Ministri Gogu: Rekomandimet e Këshillit të Evropës, bazë për rishikimin e Kodit të Procedurës Penale
Rekomandimet e Këshillit të Evropës për paraburgimin po përfshihen në procesin e nisur për rishikimin e Kodit të Procedurës Penale, ku po shqyrtohen rregullat dhe garancitë që lidhen me masat e sigurimit.
Gjatë një tryeze kushtuar masave të sigurimit, vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri të ditur se puna po fokusohet te forcimi i mbrojtjes së lirisë së personit dhe krijimi i kushteve që alternativat ndaj arrestit në burg të jenë funksionale dhe të zbatueshme në praktikë.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për të ruajtur njëkohësisht efektivitetin e hetimit penal dhe garancitë e procesit të rregullt ligjor.
Paralelisht me rishikimin e kuadrit ligjor, Ministria e Drejtësisë po punon për rikthimin e mbikëqyrjes elektronike dhe forcimin e Shërbimit të Provës, me synim zbatimin më të mirë të masave alternative.