Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë në konferencën “Gruaja, Paqja, Siguria,” ku u diskutua roli thelbësor i grave dhe vajzave, në proceset vendimmarrëse për paqen dhe sigurinë.
Ministri Hasani nënvizoi angazhimin e Shqipërisë ndaj agjendës mbi gratë, paqen dhe sigurinë, dhe avancimit të të drejtave të grave në vendimmarrje.
“ Nëse synimi ynë është të arrijmë një të ardhme më të sigurt dhe më të drejtë, atëherë duhet të vendosim në qendër të përpjekjeve për paqe dhe siguri, fuqizimin e grave dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Për këtë, nevojiten veprime konkrete dhe një angazhim gjithëpërfshirës që gratë të jenë pjesë e proceseve vendimmarrëse dhe zërat e tyre të dëgjohen dhe të vlerësohen. Kjo është një çështje e drejtësisë, e barazisë dhe e paqes – me ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhmen tonë të përbashkët”, nënvizoi Ministri Hasani.
Aktiviteti, i organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara, UN Women Albania, përkoi me 25 vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.