Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, kryesoi Debatin e Hapur të Nivelit të Lartë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me temë “Nxitja e Partneritetit Publik-Privat në trajtimin e çështjeve humanitare”.
Ministri Hasani prezantoi nismën e Shqipërisë për krijimin e Aleancës Humanitare të Sektorit Privat, e cila sipas tij do të mobilizojë burimet në mënyrë efikase me qëllim që ndihma e nevojshme të rrjedhë përmes mekanizmave ekzistuese të këtyre sektorëve.
“Ne besojmë se avancimi i kësaj ideje të një partneriteti humanitar publik privat është jo vetëm i nevojshëm, por gjëja e duhur për t’u bërë! Ne presim me padurim konsolidimin e Aleancës dhe punën e saj në muajt dhe vitet në vijim, në dobi të një përgjigjeje më të mirë ndaj nevojave në rritje në mbarë botën. Duke punuar së bashku, ne mund të maksimizojmë impaktin e ndihmës, të shpëtojmë më shumë jetë dhe të ndërtojmë komunitete të qëndrueshme përballë vështirësive”, u shpreh kryediplomati shqiptar.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme do të takohet edhe me homologë të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe do të marrë pjesë në takime me fokus Ballkanin Perëndimor, paqen dhe sigurinë etj.