Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mirëpriti sot në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Sekretarin e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet e Jashtme, Komonuelthin dhe Zhvillimin, Lord David Cameron, i cili zhvilloi një vizitë disa orëshe në Tiranë.
Ministri Hasani dhe Sekretari i Shtetit Cameron vlerësuan marrëdhëniet e mira dypalëshe mes dy vendeve, teksa theksuan forcimin e bashkëpunimit për intensifikimin e këtyre marrëdhënieve.
Ministri Hasani çmoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE, dhe nënvizoi se Shqipëria mirëpret investimet dhe mbështetjen britanike në sektorët strategjikë, si mbrojtja, siguria, energjia, infrastruktura etj.
Sekretari i Shtetit David Cameron u prit në një takim nga Kryeministri Edi Rama. Pas takimit, dy zyrtarët mbajtën një deklaratë të përbashkët për mediat.