Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi se mosmarrja e një vendimi për anëtarësimin e Kosovës, në Ministerialin e sotëm të Këshilit të Evropës, është një mundësi e humbur në mishërimin e parimeve të kësaj Organizate.
Në përfundim të sesionit të 133-të të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Ministri Hasani u shpreh se pala shqiptare do vijojë përpjekjet e saj për të përmbushur çfarë i detyrohet popullit të Kosovës.
“Shpreha keqardhjen tonë që ky Ministerial nuk ishte në gjendje të shqyrtonte kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë Organizatë.
Mbështetja dërrmuese e Asamblesë Parlamentare në prill pasqyroi një përkushtim për solidaritet dhe përparim që duhet të ketë zë.
Është e nevojshme që edhe qeveria e Kosovës të veprojë menjëherë për përmbushjen e zotimeve të ndërmarra”, tha ai.
Teksa shprehu urimet e tij për 75-vjetorin e kësaj organizate, Kryediplomati shqiptar nënvizoi se solidariteti me Ukrainën mbetet parimor në mbrojtje të trashëgimisë dhe vlerave mbi të cilat u ngrit KiE.
“Sa i takon vendit tonë, falë anëtarësimit në këtë Organizatë 29 vjet më parë, Shqipëria ka njohur arritje të jashtëzakonshme në të tre shtyllat e kësaj Organizate, falë ekspertizës, asistencës dhe mbështetjes së një sërë mekanizmash dhe instrumentesh që burojnë nga sistemi i Konventave të Këshillit të Evropës”, deklaroi Ministri Hasani.
Gjatë vizitës së tij në Strasburg, Ministri Hasani zhvilloi edhe një sërë takimesh dypalëshe me homologë të tij nga vendet anëtare të KiE.