Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë në një takim të nivelit të lartë në kuadër të formatit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE, organizuar për herë të parë nga Presidenca belge e Këshillit të BE-së, me fokus sundimin e ligjit në kuadër të procesit të zgjerimit.
Kryediplomati shqiptar rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe avancimin e agjendës së integrimit evropian teksa theksoi se zgjerimi ka rezultuar gjithmonë dhe përtej çdo dyshimi si një nga politikat më të suksesshme të BE-së dhe tani konsiderohet me rëndësi strategjike, jo vetëm për BE-në për të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Hasani u ndal tek rruga e reformave të vazhdueshme, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës.
“Shqipëria ka ndërmarrë reformat më transformuese në drejtësi në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, e cila mbetet vendimtare për forcimin e vlerave demokratike dhe sigurimin e progresit ekonomik”.
Ndër të tjera, kryediplomati shqiptar shprehu angazhimin në reformat kundër korrupsionit, rritjen e transparencës, integritetin në administratën publike, teksa theksoi nevojën për mbështetjen dhe bashkëpunimin e mëtejshëm nga Bashkimi Evropian.
“Mirëpresim zbatimin e shpejtë dhe në kohë të Planit të Rritjes, si pjesë e integrimit të përshpejtuar dhe jemi gati për të filluar negociatat për grupin themelor. Duhet t’i shndërrojmë fjalët dhe premtimet në vepra konkrete dhe reale. T’u mundësojmë qytetarëve tanë Evropën në çdo shtet të rajonit”.
Në takimin joformal në kuadër të formatit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE morën pjesë Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe atyre kandidate.