Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u prit në Selinë e Shenjtë në një audiencë private nga Papa Françesku.
Ministri Hasani, në emër të qeverisë dhe shtetit shqiptar vlerësoi përpjekjet e Atit të Shenjtë dhe të Kishës Katolike për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe harmoninë midis komuniteteve fetare, kombeve dhe popujve në botë.
“Vlerësimi i thellë i Shenjtërisë së Tij për shembullin që Shqipëria i jep botës për solidaritetin njerëzor dhe vëllazërinë fetare, vazhdon të jetë një frymëzim dhe dritë udhërrëfyese për përpjekjen e vazhdueshme të vendit tonë për të qenë në anën e duhur të historisë”, theksoi Ministri Hasani.
Në takimin me Papa Françesku u vlerësua harmonia fetare në Shqipëri si një model shumë i mirë për të gjithë rajonin dhe jo vetëm.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Selinë e Shenjtë janë shumë të rëndësishme dhe shkojnë përtej marrëdhënieve institucionale. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin (1991) përkon me vendosjen e pluralizmit dhe demokracisë, që solli lirinë për institucionet, edhe ato fetare, dhe riktheu besimin e shqiptarëve.
Këtë vit mbushen 10 vjet nga vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, i cili zgjodhi të vizitojë Shqipërinë si vendin e parë në Evropë pikërisht për Dialogun Ndërfetar midis besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri dhe për të nderuar martirët e persekutimit të regjimit komunist.