Ministri Hoxha: Anëtarësimi në BE prioritet strategjik, Samiti i Diasporës platformë për bashkëpunim konkret
Shqipëria vijon rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian si prioritet strategjik kombëtar, ndërsa paralelisht synon forcimin e lidhjeve me diasporën dhe modernizimin e shërbimit të jashtëm. Këto ishin disa nga mesazhet kryesore të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë një konference për mediat.
Ministri theksoi se procesi i anëtarësimit në BE mbetet busulla që udhëheq reformat e vendit, duke e cilësuar atë si një transformim të thellë shoqëror dhe ekonomik, përtej një procesi teknik. Sipas tij, Shqipëria ka shënuar përparim të dukshëm në avancimin e negociatave, fakt i konfirmuar edhe nga institucionet evropiane dhe vendet anëtare.
Në këtë kuadër, forcimi i shtetit ligjor, funksionimi i drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përmirësimi i administratës publike mbeten në qendër të reformave.
Një tjetër fokus i rëndësishëm ishte Samiti IV i Diasporës Shqiptare, që do të mbahet në Tiranë më 13-15 prill 2026. Sipas ministrit, ky samit synon të shërbejë si një platformë konkrete bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare dhe bashkatdhetarëve në mbarë botën, duke nxitur investimet, shkëmbimin e ekspertizës dhe përfshirjen më të madhe të diasporës në zhvillimin e vendit.
Samiti do të përfshijë 18 panele tematike në fusha si ekonomia, arsimi, inovacioni dhe kultura, si dhe do të trajtojë çështje të rëndësishme si e drejta e votës së diasporës dhe rritja e rolit të saj në vendimmarrje.
Në lidhje me zhvillimet në rajon, Hoxha nënvizoi rëndësinë e stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe angazhimin për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Ai u ndal edhe te çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se ajo është një e drejtë kushtetuese që duhet të respektohet dhe të trajtohet në rrugë institucionale, pa u politizuar.
Duke folur për shërbimin e jashtëm, ministri theksoi nevojën për modernizimin e tij, në përputhje me dinamikat ndërkombëtare dhe procesin e integrimit evropian. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një diplomaci më fleksibël, profesionale dhe të aftë për të reaguar shpejt, me fokus mbrojtjen e interesave kombëtare dhe, në të ardhmen, kontributin në interesat e përbashkëta të Bashkimit Evropian.
Transformimi i shërbimit të jashtëm, përfundoi ai, është një domosdoshmëri për të përballuar sfidat e reja dhe për të përmbushur standardet e kërkuara në rrugën drejt anëtarësimit në BE.