Ministri Hoxha: Mbi 17 mijë tekste mësimore për fëmijët shqiptarë në diasporë për vitin e ri shkollor

Mbi 17 mijë tekste mësimore, të organizuara në më shumë se 5700 paketa, janë parashikuar për fëmijët shqiptarë në diasporë për vitin shkollor 2026-2027. Tekstet do të shpërndahen në 15 shtete të Evropës, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, bëri të ditur se paketat përfshijnë tekstet e përbashkëta “Gjuha shqipe” dhe “Kultura shqiptare” për nivelin e parë, të dytë dhe të tretë.

Risi e këtij viti shkollor është përfshirja e nivelit të tretë, duke plotësuar më tej ciklin e teksteve të përbashkëta për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.

Ministri Hoxha theksoi se, në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën dhe Ministrinë e Arsimit, synohet plotësimi i të gjitha kërkesave për tekste mësimore.

Ndërkohë, përfaqësitë diplomatike shqiptare po përditësojnë të dhënat për numrin e nxënësve, nivelet mësimore, mësuesit dhe adresat e shpërndarjes. Prindërit dhe mësuesit në diasporë mund të ndjekin njoftimet e përfaqësive diplomatike shqiptare në vendet përkatëse për informacion mbi procesin e shpërndarjes.