Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha zhvilloi një takim online me Sekretaren e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ku u vlerësuan lidhjet e forta politike, bashkëpunimi dhe partneriteti i ngushtë mes dy vendeve.
Homologët diskutuan mbi Dokumentin e Dialogut kundër Krimit të Organizuar (SOC Dialogue) dhe shprehëm gatishmërinë për të vazhduar koordinimin për finalizimin e tij. Është dakordësuar që Dokumenti të nënshkruhet gjatë vizitës së Nënsekretarit të Dytë të Përhershëm të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, në Dhjetor 2024. Ministri i Brendshëm vlerësoi mbështetjen e palës britanike për përfshirjen e masave të reja në Dokument dhe vijimin e bashkëpunimit për realizimin e tyre, si dhe materializimin në variantin final të Dokumentit. Gjatë bisedës me Sekretaren e Shtetit, Cooper, u trajtua edhe çështja e migracionit. Ata nënvizuan se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Britanisë në këtë fushë përfaqëson një model të suksesshëm.
“Adresuam migracionin e paligjshëm si një prej sfidave më kritike, me të cilën përballen të dyja vendet”, theksoi Hoxha.
Më tej u vu në dukje se krijimi dhe funksionimi i Task Forcës së Përbashkët të Migracionit ka sjellë ulje të konsiderueshme, me mbi 90%, të mbërritjeve të anijeve të vogla shqiptare në brigjet britanike. Gjithashtu përfshirja e Kosovës në Task Forcën e Përbashkët shënon një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të qasjes rajonale.
Ministri shqiptar vlerësoi asistencën britanike për zbatimin sa më efektiv të ligjit të ri të Policisë Shtetit, kryesisht në hartimin e akteve nënligjore sa i përket fushës së krimit të organizuar dhe forensikës; organizimin e ri të Policisë së Shtetit, duke marrë në konsideratë parashikimet ligjore mbi formën e re të organizimit të Departamentit të Policisë Kriminale dhe përzgjedhjen e lidershipit të ri të strukturave policore. Anglia ka ofruar ndihmën përmes Projektit “Forensic for Albania”, si pjesë e bashkëpunimit në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet dy ministrive. Ky projekt 3-vjeçar është thelbësor për përmirësimin e kapaciteteve teknike e ligjore të Shqipërisë në fushën e ADN-së dhe të shkencave ligjore.