Ministri i Brendshëm nënshkruan me FRONTEX, Balla: Ambicia jonë, të marrim rolin e një vendi kontribuues për sigurinë në rajon e më gjerë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministri i Brendshëm nënshkruan me FRONTEX, Balla: Ambicia jonë, të marrim rolin e një vendi kontribuues për sigurinë në rajon e më gjerë

Ministri i Brendshëm nënshkruan me FRONTEX, Balla: Ambicia jonë, të marrim rolin e një vendi kontribuues për sigurinë në rajon e më gjerë

Komisioni Europian: Marrëveshja, dëshmi tjetër e fortë e përafrimit gjithnjë e më afër të Shqipërisë me BE

 Nënshkruhet marrëveshja mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për aktivitetet operacionale të FRONTEX në vendin tonë. Nënshkrimi i saj është rezultat i prekshëm për Planin e Veprimit të BE-së për BP, për fuqizimin e bashkëpunimit për menaxhimin e kufirit në korridorin e Ballkanit Perëndimor. Dokumenti u firmos nga Ministri i Brendshëm Taulant Balla për Shqipërinë, në emër të Bashkimit Europian nga Johannes Luchner, Zv.drejtor i Përgjithshëm për Çështjet e Brendshme në Komisionin Europian, si dhe Álvaro Renedo Zalba, Ambasador i Spanjës në Tiranë, vendi i të cilit mban Presidencën e Këshillit të BE.

Tiranë – Ministri i Brendshëm Taulant Balla nënshkroi sot marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për aktivitetet operacionale të FRONTEX në vendin tonë. Në emër të Bashkimit Europian firmosën Johannes Luchner, Zv.drejtor i Përgjithshëm për Çështjet e Brendshme në Komisionin Europian dhe Álvaro Renedo Zalba, Ambasador i Spanjës në Tiranë, vendi i të cilit mban Presidencën e Këshillit të BE.

Ministri Balla e konsideroi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje të përmirësuar, si dëshmia e radhës e vullnetit të padiskutueshëm për të kontribuar në sigurinë e përbashkët të hapësirës së zgjeruar evropiane.

”Ambicia jonë nuk është të jemi thjesht përfitues nga mekanizmat komunitarë për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, por të marrim rolin e një vendi kontribuues për sigurinë në rajon e më gjerë”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Ambasadori spanjoll tha se marrëveshja do të ndihmojë në fuqizimin e bashkëpunimit me të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili është një prioritet për BE-në dhe në veçanti, sipas tij për Presidencën spanjolle të BE-së.

“Kufij të përbashkët nënkuptojnë edhe përgjegjësi të përbashkëta. Kjo është filozofi thelbësore e integrimit në BE. Në të njëjtën kohë, kufijtë e përbashkët dhe përgjegjësitë e përbashkëta, ofrojnë gjithashtu mundësi të gjera për ndërveprim konstruktiv, e nëse ne kemi një qasje koordinuese dhe bashkëpunuese, dhe ndajmë praktikat më të mira, mësojmë prej njëri-tjetrit. Një mjet veçanërisht i fuqishëm në menaxhimin e kufirit konsiston në përpjekjet e përbashkëta dhe të harmonizuara prej të gjithë aktorëve, BE, agjencitë e saj, vendet anëtare, por gjithashtu edhe partnerët e saj të privilegjuar, të tillë si Shqipëria, një vend kandidat që në qershor 2014, procesi i integrimit të së cilës ka një natyrë strategjike, jo vetëm për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, por edhe për Europën si një e tërë”, nënvizoi ambasadori i Spanjës në Tiranë.

Zv.drejtori i DG Home tha se operacionet e përbashkëta që vijojnë në Shqipëri që prej 2019 kanë sjellë rezultate vërtet shumë pozitive, sa i përket uljes së migracionit të parregullt e krimit ndërkufitar. Zyrtari i lartë i Komisionit Europian deklaroi se nënshkrimi i marrëveshje është një dëshmi tjetër e fortë e përafrimit gjithnjë e më afër të Shqipërisë me BE-në.

“Migracioni është vërtetë një sfidë, por një sfidë ama, e cila trajtohet në mënyrën më të mundshme duke bashkëpunuar, duke punuar së bashku, duke vënë në zbatim një model të duhur të menaxhimit të kufirit, i cili bazohet tek siguria, tek dinjiteti, tek fakti që ne të gjithë duhet të përpiqemi, që të japim mbrojtjen e duhur atyre që e meritojnë dhe që kanë nevojë për të”, tha  z. Luchner.

Ministri Balla tha se për Shqipërinë nuk ka plan B, por vetëm plani A, që është anëtarësimi në Bashkimin Europian. E bashkëpunimi me FRONTEX në këto 4 vite e në vijim ka në thelb edhe transformimin e Policisë Kufitare në një partnere të denjë të Policive partnere europiane.

“Me nivelin e bashkëpunimit të arritur me FRONTEX dhe EUROPOL, Policia e Shtetit ka arritur vërtet të dëshmojë se mund të mbajë barrën e një përgjegjësie të lartë, të denjë për një vend kandidat për në familjen e madhe evropiane. Po ashtu jemi të sigurt se përmes kësaj marrëveshjeje, do të zhvillojmë cilësisht më tej kapacitetet e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit ndërkufitar, por mbi të gjitha, do të rrisim nivelin e besimit reciprok mes Policisë Shqiptare dhe strukturave homologe evropiane”, theksoi Balla.

“Ekspertiza e oficerëve të FRONTEX merr vlerë të shumëfishtë, pasi ata posedojnë njëherësh përvojën dhe mjetet për të kuptuar një dokument të falsifikuar, apo një tentativë për trafik njerëzor. Marrëveshja e sotme e përmirësuar me FRONTEX hedh bazat e një bashkëpunimi edhe më cilësor edhe më të plotë me strukturat policore dhe në besojmë se përmes këtij operacioni të përbashkët, do të mund të adresojmë shumë herë më mirë çështjet e migracionit të parregullt drejt Shqipërisë”, u shpreh ministri shqiptar i Brendshëm.

__________________________________________________________________________________________________________________

Álvaro Renedo Zalba, Ambasador i Spanjës në Tiranë:

Shumë faleminderit Ministër,

Është kënaqësi vërtet e madha për mua që jam këtu sot me ju për të marrë pjesë në emër të Presidencës së Këshillit të BE-së, në nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet BE dhe Shqipërisë për aktivitetet operacionale të kryera nga Agjencia e Rojes Bregdetare të Kufirit të BE, një marrëveshje kjo që për mendimin tim është vërtet historike.

Shqipëria ishte vendi i parë, i cili ra dakord të kishte një marrëveshje status me BE. Marrëveshja u nënshkrua në tetor 2018 dhe hyri në fuqi në muajin maj 2019.

Marrëveshja që do të nënshkruhet sot do të zëvendësojë marrëveshjen e mëparshme. Marrëveshja e re do të bëjë të mundur zhvillimin e operacioneve të përbashkëta në vendet që janë në kufi me BE dhe të lejohet vendosja e oficerëve të FRONTEX-it përgjatë gjithë kufirit të Shqipërisë.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të re është një dëshmi tjetër e bashkëpunimit gjithnjë e më të thelluar dhe zgjeruar me Shqipërinë. Kjo marrëveshje do të sjellë përfitime për të dyja palët, në veçanti sa i përket kontrollit të flukseve migratore, përballimit të çështjes së migracionit të parregullt dhe krimit ndërkufitar, përfshirë këtu kontrabandën e migrantëve, trafikimin e qenieve njerëzore dhe të terroristëve.

Këto janë disa sfida madhore të cilat fatkeqësisht të cilat i kemi ne sot për detyrë që t’u bëjmë ballë në botën në të cilën jetojmë. Mënyra më efektive dhe më e fuqishmja për të trajtuar këto çështje, është duke punuar ngushtë së bashku, duke ndarë njohuritë, burimet dhe ekspertizën. Kufij të përbashkët nënkuptojnë edhe përgjegjësi të përbashkëta. Kjo është filozofi thelbësore e integrimit në BE. Në të njëjtën kohë, kufijtë e përbashkët dhe përgjegjësitë e përbashkëta, ofrojnë gjithashtu mundësi të gjera për ndërveprim konstruktiv, e nëse ne kemi një qasje koordinuese dhe bashkëpunuese, dhe ndajmë praktikat më të mira, mësojmë prej njëri-tjetrit.

Një mjet veçanërisht i fuqishëm në menaxhimin e kufirit konsiston në përpjekjet e përbashkëta dhe të harmonizuara prej të gjithë aktorëve, BE, agjencitë e saj, vendet anëtare, por gjithashtu edhe partnerët e saj të privilegjuar, të tillë si Shqipëria, një vend kandidat që në qershor 2014, procesi i integrimit të së cilës ka një natyrë strategjike, jo vetëm për Shqipërinë dhe Ballkanin perëndimor, por edhe për Europën si një e tërë.

Ne jemi të bindur se kjo marrëveshje statusi e re, do të ndihmojë në fuqizimin e bashkëpunimit me të gjithë rajonin e Ballkanit perëndimor, i cili është një prioritet për BE-në dhe në veçanti, për Presidencën spanjolle. Negociatat për marrëveshjen u kryen vërtet me një frymë shumë bashkëpunuese, shumë konstruktive dhe në mënyrë luajale, çka karakterizon edhe marrëdhëniet tona. Dëshiroj të falënderoj dhe përgëzoj nga zemra të gjithë  negociatorët e të dyja palëve për këtë rezultat kaq të kënaqshëm.

Ne presim me shumë kënaqësi që kjo të vijojë edhe në procesin e ratifikimit të marrëveshjes dhe hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje historike sa më shpejt të jetë e mundshme. Shumë faleminderit.

Johannes Luchner, Zv.drejtor i Përgjithshëm për Çështjet e Brendshme në Komisionin Europian:

Faleminderit shumë,

Ministër, ambasadorë, parlamentarë, kolegë, miq,

Sot është vërtet një ditë e gëzueshme, për Komisionin Europian dhe FRONTEX. Dëshiroj të falënderoj Shqipërinë dhe kolegët shqiptarë për mënyrën bashkëpunues dhe kolegjiale që zhvilluan negociatat për marrëveshjen status. I gjithë procesi ishte tejet efikas dhe ju keni vendosur standardet me të cilat duhet të krahasohen negociatat në të ardhshmen.

Nënshkrimi i marrëveshjes është një rezultat i prekshëm për planin e veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor i cili u prezantua në dhjetor të vitit 2022 dhe me anë të këtij, në fakt, trajtohet edhe shtylla e parë, që është për fuqizimin e bashkëpunimit për menaxhimin e kufirit në korridorin e Ballkanit Perëndimor.

Më lejoni të theksoj mbështetjen e Komisionit Europian për lançimin kaq të shpejtë të operacioneve të përbashkëta, duke u bazuar në këtë marrëveshje të re dhe të inkurajoj Shqipërinë që të shfrytëzojë sa më shumë që të jetë e mundur FRONTEX-in.

Shqipëria ka qenë vendi i parë që do të fillonte këto operacione të përbashkëta me anën e një marrëveshjeje status. Dhe është shembulli më i mirë i mundshëm i mënyrës sesa efektive pra mund të jenë këto aktivitete të përbashkëta. Operacionet e përbashkëta që po vijojnë në Shqipëri në bazë të marrëveshjes së mëparshme që prej vitit 2019 kanë sjellë rezultate vërtet shumë pozitive sa i përket uljes së migracionit të parregullt dhe të krimit ndërkufitar. Komisioni Europian ka besim që aktivitetet e zgjeruara në bazë të kësaj marrëveshjeje që do të nënshkruhet sot, do sjellin një ndikim akoma edhe më të madh.

Më lejoni që të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet oficerëve të FRONTEX-it që ndodhen në Shqipëri dhe autoriteteve të menaxhimit të kufirit të Shqipërisë për të mbështetur natyrisht pra kalimin e rregullt kufitar, menaxhimin e migracionit të parregullt si edhe trajtimin e krimit ndërkufitar dhe kontributin që ato do të japin për sigurinë e qytetarëve jo vetëm të Shqipërisë por edhe të Bashkimit Europian.

Migracioni është vërtetë një sfidë, por një sfidë ama, e cila trajtohet në mënyrën më të mundshme duke bashkëpunuar, duke punuar së bashku, duke vënë në zbatim një model të duhur të menaxhimit të kufirit, i cili bazohet tek siguria, tek dinjiteti, tek fakti që ne të gjithë duhet të përpiqemi, që të japim mbrojtjen e duhur atyre që e meritojnë dhe që kanë nevojë për të.

Sipas kësaj marrëveshjeje të përmirësuar dhe sipas kërkesës që na erdhi nga Shqipëria, oficerët e FRONTEX-it, që ndodhen në Shqipëri, mund të punojnë dhe të bëjnë kontrolle kufitare, pra edhe survejimin e kufirit natyrisht, dhe çfarëdolloj pune tjetër të nevojshme, në çfarëdolloj pjese të territorit të Shqipërisë, përfshirë këtu dhe kufirin me vendet fqinje që nuk janë shtete anëtare e BE si Mali i Zi, Kosova, apo Maqedonia e Veriut.

Në përfundim të fjalës time më lejoni të them që nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një dëshmi tjetër e radhës e fortë e përafrimit gjithnjë e më afër të Shqipërisë me BE. Faleminderit.

Previous Ministria e Arsimit dhe Sportit: Regjistrimet e nxënësve në e-Albania do të bëhen deri më 30 shtator