Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, mori pjesë në Ministerialin “Forcimi i konvergjencës socio-ekonomike mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor për integrim të përshpejtuar në BE”, i cili u zhvillua në Shkup, Maqedoni e Veriut.
Në këtë Ministerial u prezantua Plani i ri Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin 6 miliardë Euro grante dhe kredi dhe synon të sjellë përfitime për vendet e BP përpara anëtarësimit në BE, nxitjen e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike mes Ballkanit Perëndimor dhe BE.
Pjesëmarrës ishin Ministrat e Financave dhe Ekonomisë të Ballkanit Perëndimor, Kryenegociatorët, Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në KE, z. Gert Jan Koopman, përfaqësues të tjerë të Bashkimit Europian, të cilët diskutuan mbi mundësitë për të maksimizuar përfitimet nga Plani i ri i Rritjes.
Në fjalën e tij, Ministri Ervin Mete shprehu mirënjohjen në emër të qeverisë shqiptare ndaj Bashkimit Europian për Planin e ri të Rritjes, si një mbështetje që vjen në një moment kritik për rajonin dhe Evropën.
Ministri tha se kjo mbështetje do të shërbejë si një shtysë për vijimin e reformave nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nxitjen e instrumenteve që aktualisht janë në proces.
Pavarësisht reformave që vendet e Ballkanit Perëndimor po ndërmarrin në drejtim të konektivitetit dhe agjendës së gjelbër, Ministri Mete tha se fokusi i reformave të mëtejshme duhet të ketë një qasje në drejtim të biznesit. Kjo, sipas Ministrit, në mënyrë që të lehtësohet mënyra e të bërit biznesit dhe të përmirësohet klima e biznesit, të mundësohet aksesimi i tregut të Bashkimit Europian përpara së të ndodhë integrimi, të përshpejtohet procesi i integrimit dhe konvergjenca e vendeve të Ballkanit Perëndimor me vendet e BE.
Nga ana tjetër, Ministri Mete theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të tregohen të afta për të përdorur më së miri instrumentet që do të ofrohen nga Plani i ri i Rritjes dhe të forcojnë kapacitetet e tyre institucionale përthithëse.
Pjesëmarrëse në Ministerial ishte dhe Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, e cila në fjalën e saj diskutoi mbi reformat lidhur me avancimin e konvergjencës socio-ekonomike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE, ndërsa e konsideroi Planin e ri të Rritjes si një platformë kyçe që do të nxisë më tej agjendën e reformave. Kryenegociatorja tha se agjenda e reformave të Shqipërisë është në linjë me kërkesat e BE për anëtarësimin dhe Planin e ri të Rritjes, ndërsa shprehu angazhimin për rritjen e përpjekjeve për të përshpejtuar ritmin e reformave kombëtare.
Plani i ri Rritjes për Ballkanin Perëndimor bazohet në katër shtylla kryesore, të cilat synojnë:
-Rritjen e integrimit ekonomik me tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian, me kusht që Ballkani Perëndimor të përafrohet me rregullat e tregut të vetëm;
-Nxitjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, të cilat potencialisht mund të shtojnë ekonomitë e tyre me 10%.
-Përshpejtimin e reformave themelore, duke përfshirë cluster-in e themelorëve, për mbështetjen e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, përmirësimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike duke përfshirë tërheqjen e investimeve të huaja dhe forcimin e stabilitetit rajonal.
-Rritjen e asistencës financiare për të mbështetur reformat përmes një Mekanizmi të Reformave dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.
Në bazë të këtij Plani, çdo vend partner i Ballkanit Perëndimor do të ftohet të përgatisë një Agjendë Reformash bazuar në rekomandimet ekzistuese, duke përfshirë ato nga Paketa vjetore e Zgjerimit dhe Programet e Reformës Ekonomike (ERP).