Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, merr pjesë në Mbledhjen e Përgjithshme të Asamblesë së “Dhomës Amerikane të Tregtisë” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, merr pjesë në Mbledhjen e Përgjithshme të Asamblesë së “Dhomës Amerikane të Tregtisë”

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, mori pjesë në Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore të Asamblesë së “Dhomës Amerikane të Tregtisë”. I pranishëm në këtë event ishte dhe i Ngarkuari me Punë pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë, z. David Wisner, si edhe Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço.

Ministri Mete vlerësoi eventin si një mundësi shumë të mirë për të shtuar komunikimin me biznesin dhe për të ndarë politikat që po ndërmerr qeveria, ndërsa theksoi se dialogu mes biznesit dhe qeverisë mbetet element kyç në përpjekjen e përbashkët për përmirësimin e klimës së biznesit në vendin tonë.

Ministri u shpreh se ekonomia e vendit është duke ecur në një trajektore pozitive, ku investimet e huaja direkte arritën rreth 700 milionë euro për 6-mujorin e parë të vitit 2023, ndërsa për vitin e kaluar në 1.3 miliardë euro.

Në këtë kuadër, Ministri theksoi se aktualisht po punohet për një ligj të unifikuar të investimeve, i cili do të dalë së shpejti në konsultim. Po ashtu, Ministri Mete informoi se po zbatohen politika që adresojnë problematika që lidhen me ofertën e punës dhe arsimin profesional, ndërsa qeveria po avancon me reformën e pagave në sektorin publik, duke synuar një punësim më cilësor dhe shpërndarje më të madhe të mirëqenies për qytetarët.

“Kemi nisur dhe po avancojmë me një reformë domethënëse në pagat e sektorit publik, të cilat këtë vit priten të arrijnë në një mesatare prej 900 euro, duke synuar që këtë momentum të mirë ekonomik ta përkthejmë edhe në një shpërndarje më të madhe të mirëqenies për qytetarët, duke synuar të ofrojmë një punësim cilësor dhe ndoshta ndër pagat më të larta në rajon. Besoj se rritja e pagave të sektorit publik do të ndikojë që të tërheqë me vete edhe pagat e sektorit privat, në mënyrë që të mund të ofrojmë një punësim më cilësor, me një ndikim edhe në rritjen e produktivitetit. Edhe buxheti që është paraqitur adreson këto sfida, në mënyrë që ta përkthejmë këtë momentum të mirë ekonomik në një pozicionim avantazhues të Shqipërisë edhe në rajon”, u shpreh Ministri. Sa i përket paketës fiskale, Ministri Mete tha se ajo parashikon pak ndryshime, duke synuar qëndrueshmërinë e legjislacionit fiskal.

Fjala e Ministrit z. Ervin Mete:

I nderuar z. Wisner,

I nderuar z. Jaço,

I nderuar z. Mullaj,

Zonja dhe Zotërinj,

Ju falënderoj për ftesën për të qenë pjesë e takimit tuaj të përvitshëm, në këtë takim që sa kam vënë re sa vjen edhe zgjerohet dhe që në këndvështrimin tim feston një miqësi shumë të mirë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.

Takime të tilla janë shumë të mira për të shtuar urat e komunikimit mes nesh, por edhe për të intensifikuar frymën e bashkëpunimit dhe të dialogut midis biznesit dhe qeverisë, që mbetet element kyç në përpjekjen e përbashkët për përmirësimin e klimës së biznesit në vendin tonë.

Gjatë ditëve të fundit ka patur një sërë zhvillimesh pozitive, që unë do të desha t’i ndaj edhe në këtë forum dhe që besoj kanë impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, si edhe në përmirësimin e klimës së biznesit, për të cilën ne të gjithë ne jemi të interesuar.

Para disa ditësh morëm një lajm besoj të mirë për të gjithë, që Shqipëria doli nga lista gri e monitorimit të FATF/MONEYVAL. Është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, ashtu edhe sa i përket perspektivës së zhvillimit ekonomik, klimës së biznesit, investimeve, por edhe lehtësimit të kostove dhe të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, gjithashtu, pati një vlerësim shumë pozitiv për ekonominë tonë, kur thotë se është ekonomia që u shfaq më e forta në rajon dhe që perspektiva ekonomike mbetet pozitive, duke vlerësuar që autoritetet kanë ndërmarrë një konsolidim të rëndësishëm fiskal dhe borxhi publik pritet të zbresë rreth 60% këtë vit dhe nën 60% vitin e ardhshëm.

Patëm një vlerësim pozitiv nga agjencia prestigjioze “Standard & Poor’s”, e cila vlerësoi pozitive perspektivën në Shqipëri, nga e qëndrueshme në perspektivë pozitive, një rishikim pas gati shtatë vitesh që besoj është një tregues i trendit pozitiv që po kalon ekonomia në përgjithësi.

Para disa ditësh isha në takimin e Shoqatën e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), ku u prezantua një anketim dhe më erdhi mirë që u konstatuan përmirësime të ndjeshme në disa sektorë kyç, siç ishte përgjithësisht vlerësimi i klimës së të bërit biznes, por edhe pritshmëritë pozitive për përmirësim të mëtejshëm.

Sigurisht që ka hapësirë për përmirësime dhe ne mbetemi të angazhuar për një forcimin të mëtejshëm të frymës së bashkëpunimit edhe në vijimësi mes Qeverisë dhe Biznesit.

Siç e përmenda edhe më lart, jemi duke ecur në një trajektore besoj pozitive. Kemi pasur një rishikim të rritjes ekonomike për këtë vit nga 2.6% në 3.7 %, rishikim të cilin e ka bërë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, ndërsa projektojmë një rritje prej 3.8% dhe të qëndrueshme në afatmesëm në 4 %, edhe në kuadrin tonë makro.

Janë inkurajuese shifrat e rritjes së investimeve të huaja në vend, ku në 6-mujorin e parë kanë qenë afro 700 milionë euro investime të huaja direkte dhe vitin e kaluar ka pasur një shifër rekord prej 1.3 miliardë euro, që besoj do të tejkalohet këtë vit.

Sigurisht që mbeten sfida, siç është një përmirësim i kuadrit ligjor. Po punojmë për një ligj të unifikuar të investimeve që do të dalë së shpejti në konsultim. E kuptojmë që vëmendja ndaj ofertës së punës dhe ndaj arsimit profesional është kyçe sepse po kthehet në një sfidë për ju dhe për ekonominë. Kemi nisur programin e Garancisë Rinore me Bashkimin Europian, në mënyrë që të japim mundësinë e integrimit të të rinjve në tregun e punës, të një integrimi më të shpejtë, dhe në këtë frymë kemi nisur dhe po avancojmë me një reformë domethënëse në pagat e sektorit publik, të cilat këtë vit priten të arrijnë në një mesatare prej 900 euro, duke synuar që këtë momentum të mirë ekonomik ta përkthejmë edhe në një shpërndarje më të madhe të mirëqenies për qytetarët, duke synuar të ofrojmë një punësim cilësor dhe ndoshta ndër pagat më të larta në rajon. Besoj se rritja e pagave të sektorit publik do të ndikojë që të tërheqë me vete edhe pagat e sektorit privat, në mënyrë që të mund të ofrojmë një punësim më cilësor, me një ndikim edhe në rritjen e produktivitetit.

Kemi mbajtur një paketë fiskale modeste, me shumë pak ndryshime, në frymën e një qëndrueshmërie të legjislacionit fiskal. Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” është një akt i mirë dhe synimi do të jetë, së pari të jemi sa më të qëndrueshëm në ndryshime dhe nga ana tjetër të jemi sa më të konsultuar. Po ashtu dhe buxheti që është paraqitur adreson këto sfida, qoftë rritjen e pagave, qoftë mbështetje ndaj turizmit që është një “bum sektor” në ekonomi, në mënyrë që ta përkthejmë këtë momentum të mirë ekonomik në një pozicionim avantazhues të Shqipërisë edhe në rajon.

Shumë faleminderit.

Previous Ministrja Koçiu nga Kukësi: Me buxhetin e 2024 do te vijojmë investimet ne pajisje mjekësore