Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, priti në një takim ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, z. Karl Bergner, së bashku me drejtoreshën e Bankës për Zhvillim KfW në Shqipëri, znj. Brit Horschke.
Gjatë takimit, Ministri Malaj dhe Ambasadori Bergner vlerësuan marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe vunë theksin në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Ministri Malaj shprehu angazhimin e Ministrisë së Financave për vijimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit me qeverinë gjermane.
Z. Malaj vlerësoi faktin se Gjermania është një partner strategjik për vendin tonë dhe mbështetëse nëpërmjet financimeve direkte e një sërë projekteve në sektorë prioritarë, si: energjia, turizmi, infrastruktura, bujqësia, etj., me rol kyç në zhvillimin e qëndrueshëm dhe proceset integruese. Në këtë kuadër, Ministri i Financave theksoi se miradministrimi financiar i fondeve nga partnerët ndërkombëtarë dhe ndjekja me rigorozitet e proceseve janë të rëndësishme për vazhdimësinë e zbatimit të projekteve të përbashkëta.
Gjatë takimit u diskutua edhe mbi bashkëpunimin me KfW, ku palët vlerësuan faktin se KfW është një nga kontributorët më të mëdhenj në zhvillimin e vendit tonë, me rreth 1 miliard Euro për sektorin energjetik, ujësjellës – kanalizimet dhe sektorë të tjerë, ndërsa u rikonfirmua vullneti dhe angazhimi për të vijuar këtë bashkëpunim.