Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi: Mbi 13.5 milionë pasagjerë në vitin 2026, trafiku ajror pritet të rritet me 18.3%
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë një vizite në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, vlerësoi zgjerimin e linjave ajrore dhe shtimin e flotës nga një prej operatorëve më të rëndësishëm low cost, si një zhvillim pozitiv për aviacionin civil në Shqipëri.
Ministri theksoi se politikat e liberalizimit të tregut ajror dhe ulja e tarifës për pasagjerët nga 10 euro në 1 euro kanë kontribuar në rritjen e trafikut, duke e pozicionuar aeroportin e Rinasit si më të madhin në rajon.
“Për vitin 2026 parashikojmë një rritje të trafikut ajror me 18.3% krahasuar me vitin 2025, ndërsa në raport me vitin 2019 kemi më shumë se trefishim të tij”, u shpreh Karakaçi.
Ai nënvizoi gjithashtu investimet e realizuara në Albcontrol, si në teknologji ashtu edhe në kapital njerëzor, për garantimin e menaxhimit efikas të trafikut ajror në rritje.
Sipas ministrit, Shqipëria parashikon ta mbyllë vitin 2026 me mbi 13.5 milionë pasagjerë të përpunuar, pa asnjë incentivë mbështetëse financiare nga Qeveria Shqiptare për operatorët ajrorë.