Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi:Më shumë energji diellore në vend, synohet furnizim më i qëndrueshëm për qytetarët.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi:Më shumë energji diellore në vend, synohet furnizim më i qëndrueshëm për qytetarët.

Shqipëria po rrit kapacitetet për prodhimin e energjisë nga dielli, me synimin për të diversifikuar burimet dhe për të forcuar sigurinë energjetike të vendit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, inspektoi në Ersekë parqet fotovoltaike “Erseka Solar Park 1” dhe “Erseka Solar Park 2”, të cilat kanë një kapacitet të përbashkët prej 40 MW. Së shpejti pritet të nisë punën edhe një park i tretë, me kapacitet 70 MW, fitues i ankandit të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Rritja e prodhimit vendas të energjisë mund të ndihmojë në uljen e varësisë nga importet dhe në përballimin më të mirë të nevojave për energji. Për qytetarët, kjo do të thotë më shumë burime prodhimi brenda vendit dhe perspektivë për furnizim më të qëndrueshëm. Ligji i ri për sektorin e energjisë elektrike parashikon edhe përfshirjen e baterive në projekte, për të ndihmuar në balancimin e energjisë së prodhuar nga dielli.

“Me ligjin e ri kemi përfshirë një kërkesë të shumë prodhuesve të energjisë, sidomos atyre fotovoltaikë dhe të energjive të rinovueshme: përfshirjen e baterive, të cilat mundësojnë një balancim më të mirë të prodhimit të energjisë elektrike”, u shpreh ministri Karakaçi.

Sipas të dhënave të bëra publike nga ministri, deri në fund të vitit 2025 në vend ishin instaluar mbi 600 MW kapacitete të reja fotovoltaike. Gjatë vitit të kaluar, 11% e prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike erdhi nga centralet fotovoltaike.

Karakaçi vlerësoi se investimet në këtë sektor u krijojnë sipërmarrjeve vendase mundësi jo vetëm të prodhojnë energji, por edhe ta tregtojnë atë në tregun e lirë përmes Bursës Shqiptare të Energjisë, ALPEX.

Qeveria synon që Shqipëria të bëhet eksportuese neto e energjisë deri në vitin 2030. Në këtë kuadër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, po përgatit një tjetër ankand për energjinë fotovoltaike, që pritet të zhvillohet në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027. Projektet e ankandit do të përfshijnë edhe bateritë.