Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi: Modernizimi i Forcave të Armatosura dhe mbrojtja civile, prioritete strategjike për sigurinë e vendit
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi një konferencë për mediat mbi prioritetet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes, me fokus modernizimin e Forcave të Armatosura, forcimin e partneritetit me NATO-n dhe masat për menaxhimin e emergjencave civile në prag të sezonit veror.
Gjatë konferencës, Nufi theksoi se Shqipëria mbetet një aleat i besueshëm në NATO dhe se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse, rritja e ndërveprueshmërisë me Aleancën dhe përmbushja e detyrimeve në kuadër të sigurisë kolektive mbeten prioritete strategjike.
Sipas tij, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kontribuojnë aktualisht me rreth 250 efektivë në misione, operacione dhe aktivitete ndërkombëtare në kuadër të NATO-s, Bashkimit Europian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Nufi bëri të ditur se modernizimi i Forcave të Armatosura po fokusohet në sistemet e mbrojtjes ajrore, teknologjitë dronë dhe kundër-dronë, mbrojtjen kibernetike, fuqinë e zjarrit të artilerisë, si dhe sistemet e komunikimit dhe informacionit.
Ai nënvizoi se ky proces po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë dhe aleatët e NATO-s, me synim rritjen e kapaciteteve operacionale dhe përputhshmërinë me standardet e Aleancës.
Sipas Nufit, një tjetër prioritet mbetet forcimi i burimeve njerëzore në Forcat e Armatosura, ndërsa bëri të ditur se në dy vitet e fundit rekrutimet janë rritur me rreth 90%, me një pjesëmarrje të grave në nivelin 12-13% për çdo fazë rekrutimi.
Gjatë konferencës u ndal gjithashtu vëmendja tek marrëveshja strategjike mes kompanisë Kayo dhe grupit italian Fincantieri, projekt që parashikon ndërtimin e një kantieri të ri në Pashaliman, krijimin e rreth 400 vendeve të punës dhe zhvillimin e industrisë detare në Shqipëri.
Në këtë kuadër, ministri Nufi theksoi se projekti përfaqëson një investim me rëndësi strategjike për mbrojtjen, zhvillimin ekonomik dhe industrinë e mbrojtjes në vend.
Sa i përket sezonit veror, ministri bëri të ditur se janë shtuar masat për menaxhimin e emergjencave civile, janë forcuar strukturat në nivel qarku dhe është rritur bashkërendimi ndërinstitucional.
Ai nënvizoi gjithashtu se fondi për mbrojtjen civile është rritur nga 800 milionë lekë në vitin 2025 në 1 miliard lekë për vitin 2026, në funksion të forcimit të kapaciteteve parandaluese dhe reagimit ndaj emergjencave.