Ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu u takua me përfaqësues të bashkive të qarqeve të Vlorës dhe Gjirokastrës për të diskutuar rreth thirrjes drejtuar të gjitha njësive vendore për projektet e Mbrojtjes Civile.
I shoqëruar edhe nga nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë Bledar Çuçi, drejtori i Përgjithshëm i AKMC Haki Çako, ministri Vengu bashkëbisedoi me prefektin e qarkut të Vlorës, Kristaq Kiço, kryebashkiakun Ermal Dredha dhe drejtuesit e 6 bashkive të tjera rreth problematikave të emergjencave civile që shqetësojnë këto zona.
Duke garantuar angazhimin e plotë të Forcave të Armatosura në raste emergjencash, ministri Vengu, gjatë fjalës së tij vuri theksin në një koordinim më të mirë të forcave nga pushteti vendor. Z. Vengu tha se, Vlora si një nga qarqet më të prekur nga fatkeqësitë natyrore ka nevojë për investime në infrastrukturë, mjete dhe ura “Bailey”, prandaj është e rëndësishme që drejtuesit e shtatë bashkive; Vlorë, Finiq, Konispol, Delvinë, Sarandë, Himarë dhe Selenicë të punojnë me projektet më të rëndësishme të emergjencave civile, për të mos e humbur mundësinë e marrjes së fondeve që përkthehen në investime të rëndësishme për sigurinë e banorëve të këtij qarku: “Ne do të fillojmë të reflektojmë, sa i përket fondit të kushtëzuar, për mënyrën se si kalkulohet jo vetëm për banorët, por pse jo edhe për turistët duke ditur se Vlora, Himara, Saranda dhe të gjitha bashkitë që në periudhë sezoni kanë turistë dhe kjo vlen edhe për grumbullimin e mbetjeve, por edhe për emergjencat”, – bëri të ditur ministri i Mbrojtjes.
Nga ana e tij, nënkryetari i Kuvendit Bledi Çuçi u bëri thirrje drejtuesve vendorë të aplikojnë sa më shpejt me projekte investimesh për vitin 2025 dhe të shfrytëzojnë këtë vëmendje më të madhe ndaj qarkut të Vlorës.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, shoqëruar edhe nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, prefekti Odise Kote ishin në Gjirokastër, ku biseduan gjithashtu për këtë temë edhe me kryebashkiakët e këtij qarku, Gjirokastrës, Këlcyrës, Përmetit, Tepelenës, Memaliajt, Dropullit dhe Libohovës.
Gjatë këtij takimi u nënvizuan problemet dhe nevojat e këtyre njësive vendore si dhe u prezantuan idetë për projektet që duhet t’i dorëzojnë deri më 25 nëntor.