Ministri Jaupaj: Shqipëria siguron projektin më të madh klimatik në Ballkanin Perëndimor me financim 40 milionë dollarë

Shqipëria ka siguruar një financim prej 40 milionë dollarësh në kuadër të programit “AlbaDapt”, projekti më i madh për ndryshimet klimatike që po zbatohet në Ballkanin Perëndimor, i mbështetur nga Fondi Global i Mjedisit.

Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, gjatë një konference për mediat, të mbajtur në përmbyllje të Konferencës Rajonale për Klimën “Të Bashkuar për Klimën”, të zhvilluar në Tiranë me pjesëmarrjen e politikëbërësve, ekspertëve të klimës dhe përfaqësuesve të institucioneve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare të mjedisit. Aktiviteti u përshëndet edhe nga Komisionerja Evropiane për Mjedisin, Jessica Roswall.

Sipas ministrit, projekti “AlbaDapt” përbën një rast unik në rajon, pasi asnjë vend tjetër i Bashkimit Evropian apo i Ballkanit Perëndimor nuk ka aktualisht një projekt të tillë të financuar nga Fondi Global i Mjedisit. Ai theksoi se konferenca do të zhvillohet çdo vit në Shqipëri, duke forcuar pozicionin e vendit në politikat rajonale për klimën dhe qëndrueshmërinë mjedisore.

Jaupaj bëri të ditur gjithashtu se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë siguruar garanci për financimin e një projekti të ri për pyjet me vlerë 50 milionë dollarë, grant nga Fondi i Gjelbër Global i Klimës. Sipas tij, fondet do të përdoren për zgjerimin e fidanishteve, ripyllëzimin e zonave të dëmtuara nga zjarret dhe erozioni, si dhe për rritjen e kapaciteteve në administrimin e fondit pyjor.

Ministri njoftoi se Ministria e Mjedisit ka prezantuar një projektligj të ri që parashikon krijimin e katër agjencive rajonale të pyjeve, krahas Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, me synim forcimin e pranisë në territor dhe mbështetjen e bashkive në hartimin e planeve të menaxhimit pyjor. Gjithashtu, do të krijohet Ndërmarrja Shtetërore e Pyjeve, sipas modeleve të zbatuara në vende evropiane me fond të madh pyjor, si Austria.

Në tetor të vitit 2025 përfundoi regjistrimi i të gjithë fondit pyjor të Shqipërisë, i cili përbëhet nga rreth 1.2 milionë hektarë pyje. Jaupaj theksoi se ky proces krijon bazën për një administrim më efikas të pyjeve dhe për zgjerimin e kapaciteteve në rikthimin e fidanishteve shtetërore dhe ripyllëzimin e zonave të degraduara.

Gjatë konferencës u prezantua edhe Plani Kombëtar i Ndryshimeve Klimatike 2026-2036, i cili parashikon 66 masa prioritare për rritjen e qëndrueshmërisë së vendit ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike, përfshirë zjarret, përmbytjet, thatësirat etj.

Jaupaj bëri të ditur se plani 10-vjeçar përfshin masa të gjelbra, infrastrukturore dhe masa të buta për mbrojtjen ndaj efekteve të klimës, ndërsa vlera totale e investimeve të nevojshme llogaritet në rreth 9.8 miliardë dollarë. Sipas tij, aktualisht ekziston një hendek i konsiderueshëm financiar për zbatimin e plotë të masave, ndaj dokumenti është prezantuar pranë Komisionit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare financiare për të siguruar mbështetje për financimin e projekteve prioritare.

Ministri u ndal edhe te reforma e sistemit hidrometeorologjik, duke theksuar se shumë prej stacioneve meteo dhe hidro në vend janë degraduar për shkak të mungesës së investimeve dhe mirëmbajtjes gjatë dekadave të fundit. Ai njoftoi nisjen e bashkëpunimit me operatorin zviceran “Swiss Meteo” për modernizimin e sistemit, shtimin e stacioneve monitoruese dhe përmirësimin e kapaciteteve të parashikimit të motit sipas standardeve evropiane deri në vitet 2027-2028.

Ai foli gjithashtu për cilësinë e ajrit, të cilën e cilësoi si një nga kapitujt më sfidues në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Ai bëri të ditur se Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik paketën e re për cilësinë e ajrit, e cila përfshin strategjinë kombëtare 10-vjeçare, planin e veprimit dhe projektligjin e ri të përafruar me direktivat evropiane.

Sipas ministrit, Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Korça mbeten ndër qytetet më problematike për ndotjen e ajrit, për shkak të trafikut, industrisë, ndërtimeve dhe përdorimit të druve për ngrohje gjatë dimrit. Ai njoftoi se qeveria ka akorduar 5 milionë euro për shtimin e stacioneve të monitorimit të ajrit dhe se ka nisur bashkëpunimi me Bankën Botërore për ngritjen e një sistemi të plotë monitorimi sipas standardeve të Agjencisë Evropiane të Mjedisit deri në vitin 2028.