Ministri Karakaçi: Ligji i ri për energjinë elektrike, hap kyç drejt tregut evropian dhe reformës së sektorit
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se ndryshimet e propozuara në ligjin për energjinë elektrike përbëjnë një hap të rëndësishëm për reformimin e sektorit dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, në kuadër të Kapitullit 15 për energjinë.
Gjatë tryezës së konsultimit me përfaqësues të institucioneve, Kuvendit, Entit Rregullator të Energjisë, kompanive publike e private dhe partnerëve të sektorit, Karakaçi theksoi se projektligji synon vendosjen e themeleve për një model të ri funksionimi të tregut të energjisë elektrike në Shqipëri dhe krijimin e një tregu energjie më të hapur, më konkurrues dhe më të integruar me tregun rajonal dhe evropian.
Ai nënvizoi se tregu i energjisë në Shqipëri ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit, me rritjen e burimeve të reja, të vetëprodhuesve dhe të instrumenteve të reja të tregut, si ALPEX, ndërsa ligji i ri i përgjigjet këtyre zhvillimeve duke vendosur bazat për një sektor më modern, më të qëndrueshëm dhe më funksional, përmes kalimit nga një model më i centralizuar drejt një tregu më të liberalizuar, ku baza e funksionimit do të jetë konkurrenca dhe rregulla të qarta për të gjithë aktorët.
Karakaçi theksoi se projektligji i kushton rëndësi të veçantë forcimit të rolit të konsumatorit, rritjes së konkurrencës, integrimit rajonal dhe përfshirjes së zhvillimeve të reja teknologjike, në funksion të tranzicionit energjetik dhe të një tregu më efikas.
Sipas tij, ndryshimet e propozuara rrisin edhe nivelin e përafrimit me të drejtën e Bashkimit Evropian dhe me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Komunitetit të Energjisë, duke krijuar një kuadër më të besueshëm për zhvillimin e sektorit.
Në përfundim, ministri vlerësoi procesin e konsultimit si të rëndësishëm për transparencën dhe cilësinë e legjislacionit, duke ftuar palët e interesuara të vijojnë kontributin e tyre në diskutimin e projektligjit.