Ministri Karakaçi: MIE ka ndërmarrë hapa ligjorë për garantimin e funksionimit të Aeroportit të Vlorës
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë një konference për shtyp deklaroi se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndërmarrë hapa ligjorë për të garantuar zbatimin e kontratës së Aeroportit të Vlorës, mes konfliktit të krijuar ndërmjet dy palëve kontraktore të projektit. Ai theksoi se shteti nuk do të tolerojë vonesa që cenojnë realizimin e një infrastrukture me rëndësi kombëtare.
Ministria ka ndjekur çdo fazë të procesit të ndërtimit të aeroportit, duke garantuar përputhshmërinë me detyrimet kontraktore, kushtet e koncesionit dhe kuadrin ligjor shqiptar e ndërkombëtar. Sipas tij, situata e krijuar mes zhvilluesve të projektit, përfshirë bllokimin e kantierit, konfliktet gjyqësore mes aksionarëve dhe procedurat penale, ka shkaktuar vonesa kritike dhe dëm reputacional për projektin.
Ministri sqaroi se konflikti që ka penguar ecurinë e aeroportit është një mosmarrëveshje civile dhe kontraktore mes dy subjekteve private dhe se ministria nuk është palë në këtë përplasje, duke mos favorizuar asnjë nga aksionarët. Ai shtoi se qeveria ka ndërhyrë vetëm në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe garantimit të zbatimit të kontratës.
Ai nënvizoi se, pavarësisht natyrës private të konfliktit, asnjë subjekt nuk mund të pengojë realizimin e një infrastrukture strategjike për vendin. Sipas ministrit, zgjidhja e mosmarrëveshjes i takon palëve dhe gjykatave, ndërsa ministria do të përdorë të gjitha instrumentet ligjore dhe kontraktore për të garantuar hapjen dhe operacionalitetin e Aeroportit të Vlorës brenda afateve të përcaktuara.
Ministri Karakaçi theksoi se ministria mbetet e përgatitur të aktivizojë çdo klauzolë kontraktore të nevojshme për të siguruar vijimin e projektit dhe funksionimin e aeroportit sipas detyrimeve të parashikuara.