Ministri Karakaçi: Përfundon Loti 1 i rrugës Kombinat-Ndroq-Plepa, së shpejti nisin punimet për 9 kilometrat vijues

Kanë përfunduar punimet për Lotin 1 të aksit rrugor Kombinat-Ndroq-Plepa, me gjatësi 5 kilometra, ndërsa pritet të nisë së shpejti puna për 9 kilometrat vijues, për të cilët Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar kontratat e ndërtimit. Ndërkohë, segmenti i fundit prej 10 kilometrash, që shkon deri në Plepa, është financuar dhe procedura e konkurrimit pritet të hapet brenda mesit të muajit nëntor.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se synimi është përmbyllja e kontraktimit të të gjithë aksit rrugor brenda këtij viti, për të vijuar me realizimin e segmenteve të mbetura.

Sipas ministrit Karakaçi, mobilizimi i kantierit për 9 kilometrat e kontraktuar pritet të nisë në fillim të nëntorit, ndërsa për segmentin e fundit prej 10 kilometrash synohet lidhja e kontratave në fillim të janarit.

Rruga Kombinat-Ndroq-Plepa do të jetë e kategorisë C1, me gjerësi 12.5 metra, ndërsa kontratat për ndërtimin e 9 kilometrave vijues parashikojnë një afat realizimi prej 24 muajsh.

Pjesë e ndërhyrjeve infrastrukturore është edhe ndërtimi i urës së re të Beshirit mbi lumin Erzen, paralel me urën ekzistuese. Ura do të ketë një gjatësi prej 179 metrash, ndërsa kontrata për ndërtimin e saj, e lidhur në korrik të këtij viti, parashikon një afat realizimi prej 12 muajsh. Punimet për ndërtimin e urës kanë nisur.

Aksi Kombinat-Ndroq-Plepa do të shërbejë si një rrugë alternative që lidh Tiranën me Durrësin, duke synuar lehtësimin e trafikut, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Investimi pritet gjithashtu të përmirësojë aksesin e zonave bujqësore me dy qytetet kryesore, si dhe të nxisë zhvillimin ekonomik të zonës.