Ministri Karakaçi: Projektligj i ri për sigurinë në ndërtim, përafrim me standardet e BE-së

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi gjatë interpelancës në Kuvend se qeveria shqiptare po punon për forcimin e kuadrit ligjor dhe mekanizmave të kontrollit për garantimin e cilësisë dhe sigurisë në ndërtim, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse ka hartuar një projektligj të ri për tregtimin e produkteve të ndërtimit, i cili synon përafrimin me rregulloren e Bashkimit Evropian të vitit 2024 dhe krijimin e një sistemi modern për vlerësimin, verifikimin dhe deklarimin e performancës së produkteve të ndërtimit. Projektligji parashikon gjithashtu ngritjen e strukturave përgjegjëse për certifikimin, vlerësimin teknik dhe mbikëqyrjen e tregut, me synim rritjen e sigurisë dhe garantimin e cilësisë së materialeve të përdorura në ndërtim.

Karakaçi theksoi se nevoja për përditësimin e legjislacionit është diktuar nga zhvillimet teknologjike, rritja e kompleksitetit të ndërtimeve dhe problematikat e evidentuara në praktikë, duke e bërë të domosdoshëm forcimin e mëtejshëm të mekanizmave të kontrollit dhe koordinimit institucional.

Sa i përket kuadrit ligjor aktual, ministri deklaroi se ai mbështetet në ligjin e vitit 2004 për produktet e ndërtimit, i cili përcakton kriteret që duhet të përmbushin materialet, përfshirë rezistencën mekanike, sigurinë ndaj zjarrit, higjienën, mbrojtjen e mjedisit, sigurinë në përdorim, izolimin akustik dhe eficiencën energjetike. Sipas legjislacionit në fuqi, hedhja në treg e materialeve të ndërtimit lejohet vetëm për produkte në përputhje me standardet shqiptare të harmonizuara me ato evropiane ose pasi të kenë kaluar procedurat e konformitetit. Përgjegjësia për deklarimin dhe vërtetimin e konformitetit bie mbi prodhuesin, ndërsa mbikëqyrja e tregut kryhet nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Duke u ndalur te kontrolli dhe disiplinimi i punimeve në ndërtim, ministri nënvizoi se legjislacioni përcakton qartë përgjegjësitë e projektuesve, zbatuesve, mbikëqyrësve dhe kolaudatorëve në garantimin e cilësisë së ndërtimeve. Materialet e importit, sipas tij, duhet të shoqërohen me certifikatë cilësie nga laboratorë të akredituar, ndërsa ato të prodhuara në vend certifikohen nga institucione të licencuara.

Në përfundim, ministri Karakaçi theksoi se përmes forcimit të kuadrit ligjor, rritjes së mekanizmave të kontrollit dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian synohet garantimi i ndërtimeve më cilësore, më të sigurta dhe në përputhje me interesin publik.