Ministri Lamallari: Forcim i kontrolleve në territor dhe masa të shtuara për sigurinë gjatë sezonit turistik

Ministria e Punëve të Brendshme ka prezantuar masat prioritare për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik 2026, forcimin e kontrollit mbi territorin, rendin publik dhe luftën kundër paligjshmërisë, ndërsa Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, paralajmëroi tolerancë zero ndaj shkeljeve të ligjit dhe abuzimit me detyrën.

Gjatë një konference për mediat, ministri Lamallari bëri të ditur se Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash tekniko-organizative për sezonin veror, me fokus garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, plazhet, zonat malore dhe pikat kufitare.

Masat përfshijnë shtimin e pranisë policore në zonat turistike, patrullime me biçikleta dhe shërbime 12-orëshe gjatë periudhës 1 korrik deri më 31 gusht 2026, si dhe ngritjen e stacioneve provizore të policisë në zona me fluks të lartë turistësh, si Valbona, Thethi, Komani, Tale, Gjiri i Lalëzit dhe Ksamili. Gjithashtu, parashikohet forcimi i kontrollit të trafikut, rritja e sporteleve dhe personelit në aeroporte, porte dhe pika kufitare, si dhe garantimi i funksionalitetit të sistemit TIMS.

Në kuadër të sezonit turistik, Policia e Shtetit do të bashkëpunojë me institucionet qendrore dhe vendore, strukturat detare dhe operatorët turistikë për menaxhimin e flukseve, luftën kundër informalitetit dhe zbatimin e standardeve të sigurisë, përfshirë monitorimin e aktiviteteve detare dhe ndotjes akustike. Njësia Policore Detare do të jetë plotësisht funksionale, ndërsa do të zhvillohen patrullime të përbashkëta me policitë e Kosovës, Malit të Zi, Italisë dhe Maqedonisë së Veriut për rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e lëvizjes së turistëve.

Sa i përket kontrollit të territorit dhe ndërtimeve pa leje, ministri theksoi se IKMT ka intensifikuar monitorimin në terren, përdorimin e teknologjisë dhe dronëve inteligjentë për evidentimin në kohë reale të ndërtimeve të paligjshme dhe dëmtimeve mjedisore. Sipas tij, gjatë muajit prill janë vendosur 67 gjoba me vlerë rreth 122 milionë lekë për shkelje të konstatuara në territor.

Ministri Lamallari u ndal edhe te operacioni i zhvilluar në Sarandë, ku Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ndërmorën kontrolle lidhur me zbatimin e procedurave për parandalimin e ndërtimeve të paligjshme. Hetimet paraprake evidentuan përfshirje të punonjësve të policisë në paligjshmëri, ndërsa çështja i është referuar drejtësisë. Ministri nënvizoi se çdo punonjës që abuzon me detyrën apo bashkëpunon me elementë kriminalë do të përballet me ligjin.

Në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, Policia e Shtetit ka forcuar bashkëpunimin me autoritetet italiane në zbatim të protokollit operacional me Guardia di Finanza. Për periudhën 1 maj deri më 31 tetor 2026 janë planifikuar 200 orë monitorim ajror në të gjithë territorin, përmes helikopterëve të pajisur me sensorë, ndërsa për herë të parë do të përdoren edhe avionë për identifikimin e zonave me risk. Sipas raportit të parë të monitorimit, më 12 maj janë identifikuar koordinata të dyshuara në Mallakastër, ku në terren janë konstatuar rreth 300 bimë të dyshuara narkotike në dy zona të kontrolluara.

Në fokus të konferencës ishin edhe masat për sigurinë në shkolla, ku Policia e Shtetit ka zbatuar një plan të posaçëm për vitin shkollor 2025-2026, duke përfshirë analiza të riskut, prezencë të shtuar policore pranë institucioneve arsimore dhe zbatimin e programit “Siguria e të Rinjve” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit. Aktualisht rezultojnë 330 oficerë sigurie aktivë nga 392 të miratuar, ndërsa në kuadër të projektit “Smart City” janë identifikuar 21 shkolla në Tiranë për instalimin e kamerave të sigurisë.

Ministri prezantoi gjithashtu planin e masave për parandalimin e zjarreve gjatë sezonit veror, i cili synon rritjen e gatishmërisë operacionale dhe forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit. Plani parashikon patrullime, monitorim të territorit, kontrolle në struktura turistike me risk të lartë, si dhe koordinim të ngushtë mes institucioneve përgjegjëse për reagim të menjëhershëm ndaj emergjencave.

Gjatë konferencës, ministri Lamallari u ndal edhe te takimi i zhvilluar javën e kaluar me homologun italian, Matteo Piantedosi, ku u riafirmua bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e sigurisë, menaxhimit të kufijve, luftës kundër migracionit të paligjshëm dhe përballimit të sfidave të sigurisë rajonale dhe evropiane. Shqipëria, theksoi ai, vijon të kontribuojë aktivisht në menaxhimin e flukseve migratore dhe sigurinë e kontinentit.