Ministri Lamallari: Shpërblim financiar për policët e plagosur dhe banesa falas për familjet e efektivëve të rënë në detyrë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, njoftoi në konferencën për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave miratimin e një vendimi që forcon mbështetjen ekonomike dhe sociale për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe familjet e efektivëve të rënë në detyrë, si edhe të një vendimi për funksionimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.

Sipas ministrit, vendimi i parë përcakton masat, procedurat dhe rregullat për trajtimin ekonomik e financiar të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës, si edhe shpërblimin financiar për efektivët e plagosur gjatë ushtrimit të funksionit.

Paketa e re parashikon ndihmë të menjëhershme financiare deri në 10 paga mujore bruto për familjarët e efektivëve të rënë, pension familjar suplementar, bursa të plota arsimore për fëmijët në arsimin parauniversitar dhe të lartë, si edhe punësim me prioritet për familjarët.

Një nga risitë e vendimit është sigurimi i banesave falas për bashkëshortët dhe fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë. Sipas ministrit, banesat do të sigurohen nga Enti Kombëtar i Banesave, projektet e Korporatës së Investimeve Shqiptare, si edhe nga pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara nga krimi i organizuar, të administruara nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Ministri Lamallari bëri të ditur gjithashtu se Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për funksionimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar. Sipas tij, zbatimi i procedurave të përbashkëta synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave, të përmirësojë shërbimet për turistët dhe të rrisë efikasitetin në pikat kufitare.