Ministri Malaj: Ekonomia në rritje, 11.7% më shumë të ardhura buxhetore në katërmujorin e parë të vitit 2026

Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë një konference për mediat prezantoi treguesit kryesorë të performancës ekonomike dhe fiskale të vendit për muajt e parë të vitit 2026, duke bërë të ditur se rritja e të ardhurave në nivel qendror dhe vendor pasqyron zgjerimin e aktivitetit ekonomik, formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe rritjen e punësimit.

Ministri Malaj bëri të ditur se gjatë katër muajve të parë të vitit 2026 të ardhurat totale buxhetore arritën në 275.8 miliardë lekë, me një rritje prej 28.9 miliardë lekësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas tij, kjo ecuri reflekton kombinimin e zgjerimit ekonomik, formalizimit të aktivitetit dhe përmirësimit të administrimit fiskal.

Duke u ndalur te aktiviteti i biznesit, ai bëri të ditur se qarkullimi i bizneseve gjatë periudhës janar-prill 2026 u rrit me 133 miliardë lekë, ose 11% më shumë se një vit më parë. Rritja më e lartë u regjistrua në sektorin e shërbimeve me 24.5%, e ndjekur nga ndërtimi me 13.2% dhe tregtia me 10.4%. Këto zhvillime lidhen me rritjen ekonomike, raportimin më të plotë të aktivitetit nga bizneset dhe rritjen e konsumit të brendshëm.

Numri i bizneseve aktive në vend arriti në 144,940 në fund të prillit 2026, ndërsa gjatë katër muajve të parë të vitit u regjistruan 8,070 biznese të reja, 11% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Sipas ministrit, kjo dëshmon një klimë më të favorshme biznesi, rritje të besimit të sipërmarrjes dhe zgjerim të aktivitetit ekonomik në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, veçanërisht në shërbime dhe transport.

Sa i përket të ardhurave tatimore dhe doganore, ato arritën në 172.7 miliardë lekë, me një rritje prej 5.4% krahasuar me katërmujorin e parë të vitit 2025. Rezultatet janë mbështetur nga përmirësimi i administrimit tatimor dhe doganor, si dhe nga zbatimi i strategjisë afatmesme të të ardhurave.

Një tjetër tregues pozitiv është rritja e të ardhurave nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të cilat arritën në 66.8 miliardë lekë, ose 12.5% më shumë se një vit më parë. Ky zhvillim pasqyron zgjerimin e punësimit formal dhe rritjen e pagave, duke kontribuar në forcimin e qëndrueshmërisë së skemave të sigurimeve.

Në vijim, ministri Malaj theksoi se Shqipëria vijon të ruajë një nga normat më të ulëta të inflacionit në rajon. Në muajin prill 2026, inflacioni rezultoi 2.8%, krahasuar me mesataren prej 5% të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe 3.2% të Bashkimit Evropian. Sipas tij, ky është një tregues i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik dhe i ruajtjes së fuqisë blerëse të qytetarëve.

Gjatë konferencës u prezantuan edhe rezultatet e procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, nga i cili janë arkëtuar 3.9 miliardë lekë vetëm gjatë muajve mars dhe prill 2026. Interesi i lartë i qytetarëve për këtë proces pritet të sjellë të ardhura edhe më të larta deri në përfundimin e tij.

Sa i përket financave vendore, të ardhurat e pushtetit vendor gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 arritën në 17.2 miliardë lekë, ose 188% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje përfaqëson një forcim të ndjeshëm të autonomisë financiare të bashkive.

Kontributin kryesor në këtë ecuri e ka dhënë taksa e ndikimit në infrastrukturë, nga e cila janë arkëtuar 11.08 miliardë lekë, ose 9.1 miliardë lekë më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025. Rritja më e madhe është regjistruar në bashkitë Tiranë, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, duke reflektuar dinamikën e investimeve në ndërtim, veçanërisht në zonat urbane dhe turistike. Njëkohësisht, të ardhurat nga taksa e pasurisë arritën në 1.81 miliardë lekë, ose 27% më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, duke mbetur një nga burimet më të rëndësishme të financimit për pushtetin vendor.

Shpenzimet vendore arritën në 17.1 miliardë lekë gjatë tremujorit të parë të vitit, me një rritje prej 9.9% krahasuar me një vit më parë. Rritja më e madhe u regjistrua te shpenzimet kapitale, të cilat u zgjeruan me 31%, duke arritur në 2.23 miliardë lekë.

Në përfundim, ministri Malaj vlerësoi se rritja e të ardhurave buxhetore, zgjerimi i aktivitetit ekonomik, formalizimi i tregut të punës dhe performanca e financave vendore konfirmojnë forcimin e bazës ekonomike të vendit dhe krijojnë më shumë hapësira për investime publike dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.