Ministri Malaj në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese: Projektbuxheti 2025 mbështet financimin e sektorëve prioritarë të vendit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministri Malaj në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese: Projektbuxheti 2025 mbështet financimin e sektorëve prioritarë të vendit

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot në komisionin parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin projektligjin “Për buxhetin e vitit 2025”.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj u shpreh se shpenzimet buxhetore për vitin e ardhshëm do të përqendrohen në financimin e sektorëve prioritarë të vendit, si arsimi, shëndetësia, infrastruktura, bujqësia dhe shërbimet dixhitale.

Ministri theksoi se projektbuxheti 2025 parashikon financimin e investimeve publike në masën 162 miliardë lekë ose 6.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe infrastrukturën, si edhe duke nxitur punësimin.

Paketa e investimeve, tha z. Malaj, mbështet axhendën e konektivitetit dhe infrastrukturën dixhitale, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit.

Fjala e Ministrit Malaj:

I nderuar Kryetar, të nderuar Deputetë!

Projektbuxheti i vitit 2025 që gjendet përpara jush, synon një rritje ekonomike të qëndrueshme, më shumë mirëqënie për qytetarët, punësim dhe mbrojtje sociale për shtresat në nevojë.

Njëkohësisht, ne vijojmë konsolidimin fiskal, me një borxh publik që pritet të zbresë vitin e ardhshëm, nën nivelin 55.8% nga 56.3% që pritet për vitin 2024, çka na pozicion në grupin e vendeve me financa publike të qëndrueshme.

Në këtë projektbuxhet, një vëmendje e veçantë i është kushtuar financimit të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike sociale të vendit tonë me vendet e BE.

Sot, ekonomia shqiptare vijon në një trend pozitiv. Produkti i Brendshëm Bruto real është rritur me 3.9% në tremujorin e parë të këtij viti, e ndjekur nga një rritje edhe më e fortë prej 4.1% në tremujorin e dytë, krahasuar me periudhat përkatëse të vitit të kaluar. Gjatë periudhës afatmesme 2025-2027, rritja parashikohet të vijojë të njëjtin trendin pozitiv me mesatarisht në nivelin 3.9 përqind në vit, ndikuar nga zhvillimet e ekonomisë së brendshme dhe pritshmëritë për ekonominë globale, dhe veçanërisht atë të Bashkimit Evropian.
Sa i përket inflacionit, që ka qenë problemi kryesor global makroekonomik gjatë kohëve të fundit, ashtu si shumë vende të tjera, edhe ekonomia jonë u përball me presione inflacioniste të ndjeshme gjatë vitit 2022 dhe në fillim të 2023. Megjithatë, norma e inflacionit në vendin tonë mbeti vazhdimisht në nivele më të ulta se ajo e vendeve të tjera të rajonit, si dhe mesatarja e BE-së. Nga një mesatare prej 6.7% në vitin 2022, inflacioni mesatar në vendin tonë ra në 4.8% në 2023 dhe më tej në një mesatare prej 2.3% në nëntë muajt e parë të vitit 2024. Kjo trajektore rënëse e inflacionit ka reflektuar efektin e uljes së normave të inflacionit tek partnerët tanë tregtarë, nomalizimit të politikës monetare dhe forcimin e monedhës vendase. Për vitin 2025 ne programojmë një nivel inflacioni prej 3%.
Tregu i punës gjithashtu ka pasqyruar këtë ritëm pozitiv. Në vitin 2023, punësimi u rrit me një mesatare prej 1.6%, ndërsa shkalla e papunësisë ra në nivelin më të ulët historik prej 10.7% në tremujorin e fundit. Pjesëmarrja në forcat e punës u zgjerua më tej, duke arritur në 75.1%, ndërsa norma e punësimit arriti në 66.7%. Këto shifra tregojnë se ekonomia jonë po krijon mundësi të reja pune dhe po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për forcën punëtore. Dinamika e pagave nominale dhe reale në pothuajse gjithë sektorët e ekonomisë e dëshmon gjithashtu këtë. Këto trende pozitive pasqyrojnë jo vetëm zgjerimin e mundësive ekonomike, por edhe aftësinë për të përballuar sfidat demografike me të cilat përballemi.

Një nga synimet primare të politikës fiskale është të vazhdojmë këtë trend pozitiv të konsolidimit fiskal, duke forcuar më tej qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike dhe stabilitetit makroekonomik të vendit në tërësi, që përbën edhe shtratin thelbësor për një rritje ekonomike relativisht të lartë, të qëndrueshme dhe sa më gjithëpërfshirëse. Kjo sigurohet edhe nëpërmjet respektimit të disa rregullave fiskalë të sanksionuara në Ligjin Organik të Buxhetit të Shtetit.

Nëpërmjet këtij projektbuxheti ne materializojmë plotësisht objektivin kryesor operacional të politikës fiskale për një balancë primare jo-negative. Konkretisht ky projekt-buxhet targeton një balancë primare lehtësisht pozitive, pra me një suficit primar prej rreth 0.5 miliard Lekë.

Materializohet plotësisht objektivi thelbësor i politikës fiskale, ai i reduktimit të borxhit publik si raport ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, duke targetuar për vitin 2025 një nivel borxhi prej 55.8% të PBB nga 56.3% ai që pritet në fund të vitit 2024.

Në të njëjtën kohë, materializohet edhe objektivi tjetër mjaft i rëndësishëm i politikës fiskale, ai i raportit produktiv midis deficitit të përgjithshëm dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë ose siç quhet “rregulli i artë” fiskal. Pra, në projektbuxhetin 2025, ndërkohë që limiti i deficitit të përgjithshëm është në rreth 2.6% të PBB, shpenzimet kapitale të qeverisë qëndrore janë buxhetuar në rreth 6.2% të PBB, pra që do të thotë një balancë fiskale korente pozitive prej rreth 3.6% e PBB.

Gjithashtu, vijon mbajtja e pagesave buxhetore të kontratave koncesionare/PPP brenda nivelit prej 5% të totalit të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës. Ky rregull për projektbuxhetin 2025, sikurse dhe për vitet e kaluara, respektohet rigorozisht duke rezultuar me pagesa buxhetore që kapin 2.2% të totalit të të ardhurave tatimore për vitin 2024. Pra, nga 5 % që është limiti, për vitin 2024 ne kemi 2.2 %. Ky rregull vijon të respektohet rigorozisht edhe për vitet 2026 dhe 2027, ku përqindja e pagesave buxhetore të kontratave koncesionare/PPP ndaj totalit të parashikuar të të ardhurave tatimore të një viti më parë, ulet respektivisht në 1.7% dhe 1.5%. Dëshiroj të theksoj gjithashtu se numri i kontratave aktive koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore është në ulje, pasi kemi rreth 10 të tilla aktualisht, ndërkohë që shumica dërrmuese e projekteve koncesionare/PPP të kontraktuara apo planifikuara për të filluar gjatë vitit 2025 bazohen në skemën e tarifimit të shërbimit/përdorimit të asetit nga përdoruesit fundorë, duke mos implikuar kësisoj pagesa të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit.

Për të kaluar tek të ardhurat buxhetore të cilat për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB. Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40.6 miliardë lekë më shumë. Rritja e programuar e të ardhurave mbështetet në rritjen ekonomike të projektuar me efekt në punësim dhe kontribute; efektet nga rritja e pagave dhe kontributeve si rezultat i zbatimit të reformës së pagave në administratë, forcimin e kontrollit të punës në të zezë, nivelit të pagës së deklaruar dhe deviacionit të saj nga paga reale që përfitohet si dhe të ardhura nga mirëadministrimi dhe efektet e draft Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave për vitin 2025.

Në krahun e Shpenzimeve Buxhetore, në projektbuxhetin e vitit 2025 janë parashikuar të shpenzohen 822.7 miliardë lekë ose 31.4% e PBB, me një rritje në vlerë absolute prej 51.4 miliardë lekë më shumë krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2024. Shpenzimet për vitin e ardhshëm do të përqëndrohen në financimin e sektorëve prioritarë si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura, bujqësia dhe shërbimet dixhitale. Dëshiroj të nënvizoj, gjithashtu, se shpenzimet buxhetore për këtë vit do të financojnë me prioritet Planin e Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, ndërkohe që në këtë buxhet është parashikuar edhe një tavan për projektet që do financohet nga ky Plan.

Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2025 do të jetë në masën rreth 162 miliardë lekë ose 6.2% e PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe infrastrukturën, si edhe duke nxitur punësimin. Paketa e investimeve mbështet axhendën e konektivitetit dhe infrastrukturën dixhitale, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit.

Projektbuxheti për vitin 2025 synon qëndrueshmëri ekonomike dhe mirëqënie për qytetarët, duke ofruar incentivat e duhura për punësim cilësor dhe gjithpërfshirës. Gjithashtu, turizmi është një sektor që mbështetet nga projektbuxheti, me synimin që Shqipëria të vijojë të jetë një nga destinacionet kryesore të turizmit në rajon.

Konkretisht, në fushën e turizmit dhe mjedisit alokohet një buxhet prej 3.97 miliardë lekë dhe synohet promovimi gjerësisht i Shqipërisë nëpërmjet:

Diversifikimit të produktit turistik për të arritur një turizëm gjithëvjetor duke promovuar gjerësisht Shqipërinë në komunitetin ndërkombëtar si një destinacion i denjë për të konkurruar globalisht;
Zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve të reja në turizëm, si dhe përmirësimi i imazhit të vendit duke promovuar produkte lokale;
Mbështetjes së projekteve të rëndësishme në transport, në vijën bregdetare, por edhe në ndërlidhjen rajonale;
Përdorimit të burimeve pyjore në mënyrë të qëndrueshme, duke e kthyer në element qendror në vlerën e paketës turistike në bregdet, në mal, paketës historike dhe kulturore;
Rritjen e sipërfaqes së zonave të mbrojtura;

Në fushën e Infrastrukturës dhe Energjisë është planifikuar një buxhet prej rreth 74 miliardë lekë ose rreth 2.8% e Produktit të Brendshëm Bruto. Prioritetet për periudhën afatmesme 2025-2027 për këtë fushë do të jenë:

• Mirëmbajtja sipas standardeve e sistemit rrugor në territorin e Republikës së Shqipërisë, rreth 4 mijë kilometra, me fond total për shpenzimet e mirëmbajtjes, prej rreth 3 miliardë lekë;
• Financimi i projekteve të rëndësishme ku përmendim “Zgjerimi i Autostradës Tiranë – Durrës”, “Elbasan – Lekaj”, “By Pass i Elbasanit” dhe “Berat – Ballaban”;
• Vijimi i zbatimit të projekteve koncesionare prioritare si: Rruga e Arbrit, Rruga Orikum-Dukat si dhe Rruga Milot-Morinë;
• Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Terminali pasagjerëve Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë – Rinas;
• Rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit;
• Porti Detar i Durrësit “Porto Romano” ku për vitin 2025 janë planifikuar 14.7 miliardë lekë;
• Një portofol investimesh publike me rreth 11.3 miliardë lekë për 2025 të programit “Furnizimi me Ujë dhe Kanalizime” me financim të brendshëm dhe 2.2 miliardë lekë me financim të huaj;
Për të vazhduar me Sektorin e Bujqësisë i cili do të financohet në nivelin 0.6% e Produktit të Brendshëm Bruto ose 14.6 miliardë lekë duke synuar:
Përmirësimin e konkurrueshmërisë së bujqësisë dhe industrisë agro-ushqimore si dhe nxitjen e shumëllojshmërisë së veprimtarive ekonomike në zonat rurale, ku parashikohet të përfitojnë:
• 13 900 përfitues nga masat mbështetëse në bujqësi në vitin 2025 me një fond total prej 3.1 miliardë lekë;
• 31 500 përfitues nga Skema e Subvencionit të naftës për bujqësinë nga një fond total prej 1.3 miliardë lekë.
Administrimi i sistemit të ujitjes nëpërmjet kujdesit, sigurimit dhe administrimit të qëndrueshëm të sistemit të ujitjes dhe shmangia e përmbytjeve duke parashikuar financimin me vlerë 1.89 miliardë lekë;

Siguria e digave ujëmbledhëse merr një vemendje të veçantë në këtë projektbuxhet me një fond prej 300 milionë lekësh në zërin e Emergjencave Civile për Bashkitë për të aplikuar me projekte investimesh për ndërhyrjen emergjente për mbrojtjen e digave.

Investimet në fushën e Zhvillimit Rajonal (Fondi i Zhvillimit Shqiptar) parashikohen në masën 17.6 miliardë lekë të fokusuara kryesisht në projekte të integruara zhvillimi që ndihmojnë kryesisht turizmin vendor dhe infrastrukturën rurale.

Gjithashtu, do të doja te përmendja mbështetjen që parashikohet t’i jepet bizneseve nëpërmjet projektbuxhetit 2025, kryesisht Start-Up-et, ku parashikohen rreth 300 milionë lekë në total.

Së fundi, edhe disa fjalë për buxhetin vendor. Buxheti i Njësive të Vetëqeverisjes Vendore ështe parashikuar në masën 89.8 miliardë lekë, me një rritje prej 13.2% në raport me buxhetin e vitit 2024. Këto shpenzime për vitin 2025, zënë rreth 3.4% të PBB-së nga 2.9% që zinin në vitin 2024.

Të ardhurat e veta të pushtetit vendor për vitin 2025 parashikohet të rriten me rreth 3.6 miliard lekë, ose 10% më shumë se viti 2024.

Mbështetja që ka dhënë qeverisja qendrore për njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet reformave të ndërmarra pasqyrohet në rritjen e transfertës së pakushtëzuar, e cila në krahasim me vitin 2024 është rritur në vlerën 1.8 miliarde lekë, ose 7.6% më shumë se sa viti 2024. Transferta e pakushtëzuar për çdo bashki në vitin 2025, do të jetë me rritje mesatare në nivelin rreth 8.2% dhe për qarqet me një rritje mesatare në nivelin rreth 3% .
Në buxhetin e vitit 2025 do të vijojë mbështetja buxhetore për rritjen e nivelit të pagave e të gjithë punonjësve të administratës vendore. Për funksionet e decentralizuara në vitin 2016, rritja do të përballohet nga rritja e transfertës së pakushtëzuar sektoriale në vlerën 1.4 miliardë lekë, ndërkohë për të mbuluar efektin financiar shtesë për rritjen e kufirit minimal të nivelit të pagave, do të akordohet një fond shtesë në shumën 3.5 miliardë lekë.
Reforma e iniciuar nga Qeveria në taksën e pasurisë do të vazhdojë të reflektohet në rritjen e të ardhurave të pushtetit vendor. Në buxhetin e vitit 2025, kjo taksë është parashikuar në vlerën 8.6 miliardë lekë, e cila është rritur dhe vijon të rritet nga viti në vit dhe në vitet e ardhshme do të jetë burimi kryesor i të ardhurave vendore.
Ju faleminderit për vëmendjen!

Previous Ministri Hoxha: Ky është buxheti më i madh, që ka pasur Ministria e Brendshme – 50 milion euro më shumë, krahasuar me vitin 2024!