Ministri Malaj në konferencë për media mbi situatën makroekonomike dhe performancën e realizimit të të ardhurave - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministri Malaj në konferencë për media mbi situatën makroekonomike dhe performancën e realizimit të të ardhurave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, zhvilloi sot një konferencë për media, gjatë së cilës bëri një prezantim të treguesve kryesorë makroekonomikë dhe performancës së realizimit të mbledhjes së të ardhurave.

Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:

Përshëndetje të gjithëve,

Së pari ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj sot këtu.

Në këtë takim të sotëm unë do të doja të ndaja ju një informacion të përgjithshëm në lidhje me zhvillimet më të fundit ekonomike në Shqipëri, përfshirë këtu edhe performancën pozitive që ka pasur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Përsa i përket zhvillimeve më të fundit makroekonomike në Shqipëri, gjatë tremujorit të parë të vitit 2024 Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike në masën 3.6 %. Kjo rritje ekonomike është mbështetur kryesisht nga sektori i ndërtimit dhe sektori i shërbimit. Gjithashtu, ne shënojmë nivelin më të ulët të papunësisë në historikun e Shqipërisë në nivelin 10.7 %, ndërsa në krahun tjetër kemi një rritje të pagës reale gjatë tremujorit të parë të vitit 2024 në masën 10.8 %. Kontribuuesi kryesor në rritjen e pagës reale ka qenë natyrisht sektori publik me një rritje prej rreth 13 %, e që ndiqet pastaj nga sektori privat me një rritje në masën 9.7 %. Më duhet të theksoj që rritja e pagave në sektorin publik natyrisht ushtron një presion pozitiv në sektorin privat, i cili do të duhet ta ndjekë rritjen e pagave, në mënyrë që të jetë i konkurrueshëm në treg. Paga mesatare aktuale në Shqipëri është në masën 710 euro, ndërkohë që paga mesatare në administratën publike është në masën 900 euro.
Një indikator tjetër i rëndësishëm janë investimet e huaja direkte, të cilat në fund të vitit 2023 shënojnë një stok prej 1.5 miliardë euro, me një rritje prej mbi 8 % në raport me stokun e investimeve të huaja direkte që kemi pasur në fund të vitit 2022. Edhe për tremujorin e parë të vitit 2024 kemi një rritje të investimeve të huaja direkte me rreth 47 milionë euro ose e përkthyer ndryshe në shifra dhe në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2023 kjo rritje është 15.2 %.

Përsa i përket performancës fiskale në tatime dhe dogana, përgjatë 7 mujorit të parë të vitit 2024 kemi një rritje të të ardhurave në masën 11.4 % ose e përkthyer në vlerë është mbi 22.4 miliardë lekë më shumë në 7 mujorin e parë të 2024 në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Administrata Tatimore ka kryer edhe një punë shumë të mirë përsa i përket mbledhjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, të cilat gjatë 7 mujorit të parë të vitit 2024 ka shënuar një rritje me rreth 11.6 % ose e përkthyer në vlerë monetare ka mbledhur rreth 96 milionë euro më shumë se sa 7 mujori i parë i vitit 2023.

Kemi dhe një indikator tjetër i cili reflekton zhvillimin ekonomik dhe rritjen e konsumit, i cili vjen si pasojë e rritjes së pagave në sektorin publik kryesisht, por edhe i rritjes së turizmit. Kemi një rritje të deklarimit të xhiros të subjekteve. Kjo rritje raport me 7 mujorin e vitit 2023 është rreth 45 % më shumë, ose e përkthyer në vlerë monetare kemi rreth 2.1 miliardë euro më shumë të deklaruara si xhiro vjetore gjatë 7 mujorit të parë të vitit 2024.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka pasur performancë të mirë edhe në mbledhjen e tatimit mbi të ardhurat personale, ku edhe në këtë tatim rritja është dyshifrore. Në sektorin publik rritja e mbledhjes së tatimit mbi të ardhurat është në masën 21.4 %, ndërkohë që në sektorin privat rritja e mbledhjes së tatimit mbi të ardhurat personale, krahasuar me 7 mujorin e 2023, është 14.9 % më shumë. Përsa i përket performancës në total të tatimeve, lidhur me mbledhjen e kontributeve dhe tatimeve direkte dhe indirekte, në raport me 7 mujorin 2023, kemi një rritje të tatimeve me 11.3 % ose 22.2 miliardë lekë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit.

Përsa i përket doganave, edhe ato kanë pasur një performancë të mirë. Doganat paraqiten në 7 mujorin e parë të vitit 2024 me një rritje prej 7.9 % ose e përkthyer në vlerë monetare rreth 96 milionë euro më shumë se sa 7 mujori i vitit 2023.

Indikatorë të tjerë të rëndësishëm që reflektojnë zhvillimet pozitive ekonomike në vend janë edhe numri i bizneseve të reja të regjistruara. Kemi mbi 4700 biznese më shumë në 7 mujorin e vitit 2024 se sa në 7 mujorin e vitit 2023. Nga ana tjetër kemi pozicione të reja pune, mbi 13 mijë pozicione më shumë në 7 mujorin e 2024 në raport me 7 mujorin e 2023, sikundër kemi shtuar dhe numrin e kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me mbi 8900 persona më shumë.
Në vija të përgjithshme, përsa i përket pjesës së borxhit, borxhi në fund të vitit 2023 ka qenë në nivelet 58.9 %, në përputhje edhe me detyrimet ligjore dhe asaj që parashikon ligji për buxhetin. Ne parashikojmë që gjatë vitit 2024 nivelin e borxhit ta ulim në 58.2 % ose 0.7 % më pak se sa fundi i vitit 2023.

E thënë kjo, në bazë edhe të performancës pozitive që ka pasur ekonomia në përgjithësi por edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ajo e Doganave, ne kemi krijuar hapësira të reja fiskale për vitin 2024 dhe 2025, që do të thotë më shumë investime nga ana e shtetit.

Përsa i përket investimeve kapitale, në bazë të të ardhurave dhe të hapësirave fiskale që kemi krijuar, ne planifikojmë që për vitin 2024-2025, investimet kapitale nga ana e qeverisë të shkojnë në masën 340 milionë euro më shumë se sa ishin planifikuar në fillim të këtij viti.
Gjithashtu, si rezultat i performancës pozitive në realizimin e të ardhurave, e jo vetëm të ardhurat nga tatimet e doganat, por edhe të ardhurat që janë realizuar nga pushteti vendor apo të ardhurat jo tatimore, Ministria e Financave, ashtu siç jeni vënë në dijeni, në fund të muajit Gusht, i propozoi Këshillit të Ministrave disa ndryshime të rëndësishme në buxhetin e vitit 2024. Këto të ardhura shtesë u menduan që të shpërndahen në mënyrë që të kenë një ndikim më të lartë social, por nga ana tjetër natyrisht të kontribuojnë më shumë në ato sektorë të cilët kontribuojnë dhe më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit, siç janë infrastruktura, energjia, turizmi, bujqësia, dixhitalizimi, e kështu me radhë.
Më konkretisht, ne kemi rritur financimet e investimeve në infrastrukturë pasi infrastruktura, siç e dimë të gjithë, është e nevojshme për të suportuar sektorë të rëndësishëm në Shqipëri, siç është edhe sektori i turizmit, i cili është një nga sektorët me ndikimin më të madh në zhvillimin ekonomik në vend. Vetë publikimi i bërë nga Kryeministri Rama para disa ditësh përsa i përket numrit të pasagjerëve të cilët kanë kaluar nëpërmjet aeroportit të Rinasit është mbresëlënës, ku vetëm për periudhën janar-gusht numri i pasagjerëve është rritur me rreth 2.6 milionë pasagjerë, ndërkohë që e shprehur në përqindje është mbi 56%. Natyrisht ky numër i madh turistësh ka nevojë që të mbështetet me infrastrukturë dhe për këtë arsye ne i konsiderojmë investimet infrastrukturore si shumë të rëndësishme.

Paralelisht me investimet infrastrukturore, ne kemi rritur investimet për ujësjellës dhe kanalizime, ku deri më tani është bërë një punë e mirë, por ka nevojë për akoma më shumë investime. Kjo edhe për vetë faktin që gjatë sezonit turistik të gjithë jemi të vetëdijshëm që numri i popullatës pesëfishohet, pra ka nevojë për investime në ujësjellës dhe kanalizime. Nga ana tjetër, nuk kemi harruar që të investojmë gjithashtu edhe në infrastrukturën kulluese apo vaditëse që i shërben sektorit të bujqësisë, një sektor që natyrisht ka shumë nevojë për investime dhe për më tepër është një nga sektorët që kontribuon më shumë në Prodhimin e Brendshëm Bruto në Shqipëri.

Përsa i përket alokimit të fondeve me sfond social, në buxhetin e rishikuar të vitit 2024 ne kemi parashikuar financime shtesë edhe për Ministrinë e Brendshme. Financime shtesë për kompensimin e ushqimit të punonjësve të policisë, por edhe kompensimin e orëve shtesë që ata kanë punuar gjatë sezonit turistik për të garantuar mbarëvajtjen dhe sigurinë e vetë sezonit.

Gjithashtu kemi alokuar fonde edhe pranë Ministrisë së Mbrojtjes për kompensimin e familjarëve, të cilët janë prekur nga fatkeqësitë natyrore. Këto në përgjithësi janë detyrime të akumuluara nga e kaluara, por që tashmë ne kemi vënë një fond në dispozicion për të përmbyllur këto detyrime.

Natyrisht me sfond social janë dhe financimet që ne bëjmë në Ministrinë e Shëndetësisë, për investime në shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe dytësor, sikundër kemi bërë dhe financime të tjera shtesë me karakter social.

Ky është në përgjithësi një informacion i përgjithshëm i situatës makroekonomike.

Faleminderit.

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 shtator 2024