Ministri Malaj: Performancë pozitive fiskale në tremujorin e parë 2026, mbi 200 miliardë lekë të ardhura

Të ardhurat totale për periudhën janar-mars 2026 arritën në 205.1 miliardë lekë, duke u realizuar në masën 105.8% të planit dhe me një rritje prej 13.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, në një konferencë për mediat deklaroi se treguesit fiskalë dhe ekonomikë për tremujorin e parë paraqesin një ecuri pozitive, të mbështetur nga përmirësimi i administrimit tatimor dhe doganor, rritja e formalizimit të ekonomisë, si dhe zgjerimi i punësimit dhe aktivitetit të biznesit. Rritja e të ardhurave nuk lidhet me ndryshime në taksa, por me zbatimin më efektiv të politikave fiskale dhe të strategjisë afatmesme të të ardhurave.

Në strukturën e të ardhurave, peshën kryesore e zënë tatimet me 37.9%, të ndjekura nga doganat me 25.8% dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me 22.3%. Të ardhurat nga administrata tatimore arritën në 77.7 miliardë lekë, ose 7.1 miliardë lekë më shumë krahasuar me një vit më parë. Të ardhurat nga TVSH u realizuan në 25.2 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 19.4% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, të ardhurat nga doganat u regjistruan në 52.9 miliardë lekë, ndërsa kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore arritën në 45.7 miliardë lekë, me një rritje prej 8.9% krahasuar me vitin 2025.

Shpenzimet buxhetore për të njëjtën periudhë arritën në 156 miliardë lekë, duke u realizuar në masën 92.9% të planit dhe me një rritje prej 5.9% krahasuar me një vit më parë. Shpenzimet korrente u realizuan në 150.7 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet kapitale në 5.3 miliardë lekë, me ritëm më të ulët realizimi në këtë fazë të vitit.

Zhvillimet në tregun e punës dhe aktivitetin ekonomik mbështesin këtë ecuri. Numri i bizneseve arriti në 143,875, me një rritje prej 5% krahasuar me një vit më parë, ndërsa u regjistruan 6,085 biznese të reja, 12% më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2025. Gjatë kësaj periudhe u shtuan gjithashtu 13,825 punonjës të rinj në tregun e punës. Fashat e pagave në sektorin e ndërtimit dhe turizmit, nga 70,000 deri në 100,000 lekë janë rritur me 25% krahasuar me marsin e vitit 2025, ndërsa ato nga 100,000 deri në 120,000 lekë me 26%.

Rritje është shënuar edhe në deklarimet tatimore dhe të ardhurat personale. Janë dorëzuar 164,263 deklarata individuale të të ardhurave, 25% më shumë se një vit më parë, ndërsa sistemi ka gjeneruar rreth 1.4 miliardë lekë për rimbursime. Në total janë dorëzuar 310,700 deklarata tatimore vjetore. Po ashtu, 77,077 qytetarë kanë përfituar nga skema për fëmijët nën 18 vjeç.

Në përfundim, Ministri Malaj u bëri thirrje të gjitha subjekteve përpunuese dhe grumbulluese në sektorin bujqësor që të lëshojnë autofatura për fermerët, në mënyrë që këta të fundit të përfitojnë kompensimin e TVSH-së në masën 10%, një masë që nis zbatimin nga 1 korriku 2026. Ai bëri të ditur se Administrata Tatimore po vlerëson impaktin e kësaj politike të re, ndërsa të dhënat paraprake tregojnë një rritje me 20% të transaksioneve midis fermerëve me NIPT dhe subjekteve grumbulluese e përpunuese, me rreth 5,642 fermerë të përfshirë. Sipas përllogaritjeve, vetëm për tremujorin e parë të vitit 2026, shuma potenciale që pritet të kalojë në llogaritë e fermerëve arrin në rreth 400 milionë lekë, në një kohë kur sektori bujqësor ende nuk ka arritur kulmin e aktivitetit të tij në tregtimin e produkteve drejt përpunuesve dhe grumbulluesve.