Ministri Malaj prezanton në komisionin për Ekonominë dhe Financat Aktin Normativ të rishikimit të buxhetit 2024 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministri Malaj prezanton në komisionin për Ekonominë dhe Financat Aktin Normativ të rishikimit të buxhetit 2024

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat Aktin Normativ nr.3, datë 28.08.2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.97/2023 “Për buxhetin e vitit 2024″, i ndryshuar”.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj u shpreh se Akti Normativ ka në fokus kryesor reflektimin në buxhetin vjetor të disa rishikimeve në zërat e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, të cilat synojnë përmirësimin e parametrave të ekzekutimit të buxhetit 2024, në drejtim të përditësimit të projeksioneve të treguesve të konsoliduar për periudhën 2024-2026.
Ministri theksoi se Akti Normativ siguron rritjen me rreth 27.3 miliardë lekë të të ardhurave buxhetore, ku vetëm të ardhurat tatimore rriten me 19.2 miliardë lekë; rritjen po me 27.3 miliardë lekë të shpenzimeve buxhetore; si dhe ruajtjen të pandryshuar në masën 57.3 miliardë lekë të defiçitit buxhetor.

Z. Malaj argumentoi se disa prej çështjeve emergjente që adresohen përmes miratimit të Aktit Normativ lidhen me nevojën për të shtyrë përpara investime të rëndësishme në infrastrukturë, bujqësi, arsim e shëndetësi; zbatimin në kohë të Kodit të ri Zgjedhor, pasi përmes Aktit financohet elementi që ka të bëjë me procesin e regjistrimit të zgjedhësve jashtë vendit; nevojën për të nxitur më tej sektorin e bujqësisë nëpërmjet skemave të reja për subvencionimin e fermerëve, etj..
Po ashtu, Ministri nënvizoi se ndryshimet e propozuara në Aktin Normativ do të vijojnë të sigurojnë stabilitetin e parametrave kyç makro-fiskal e buxhetorë, krahas garantimit të trajektores rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me PBB, duke siguruar kësisoj vijimësinë e konsolidimit fiskal dhe qëndrueshmërinë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit në tërësi

Fjala e Ministrit Petrit Malaj:

I nderuar kryetar i komisionit,
Të nderuar deputetë,
Rishikimi i dytë i buxhetit për vitin 2024, të cilin qeveria e miratoi në datën 28 Gusht në formën e një Akti Normativ, ka në fokus kryesor reflektimin në buxhetin vjetor të disa rishikimeve në zërat e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, të cilat synojnë përmirësimin e parametrave të ekzekutimit të buxhetit 2024, në drejtim të përditësimit të projeksioneve të treguesve të konsoliduar për periudhën 2024-2026. Më konkretisht, ky Akt siguron:
Rritjen me rreth 27.3 miliardë lekë të të ardhurave buxhetore, ku vetëm ato tatimore rriten me 19.2 miliardë lekë;
Rritjen në të njëtën masë, me 27.3 miliardë lekë, të shpenzimeve buxhetore;
Ruajtjen të pandryshuar në masën 57.3 miliardë lekë të defiçitit buxhetor.
Disa nga çështjet emergjente që adresohen përmes miratimit të këtij Akti Normativ lidhen së pari me:
Nevojën për të shtyrë përpara investime të rëndësishme në infrastrukturë, bujqësi, arsim e shëndetësi;
Zbatimin në kohë të Kodit të ri Zgjedhor, ku elementi që financohet me këtë Akt Normativ ka të bëjë me procesin e regjistrimit të zgjedhësve jashtë vendit, pra jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;
Nevojën për të nxitur më tej sektorin e bujqësisë, si rezultat i rënies së finanimeve të huaja në këtë sektor, nëpërmjet skemave të reja për subvencionimin e fermerëve;
Akomodimin e nevojave shtesë në buxhetin e Ministrisë së Brendshme, të cilat lidhen qoftë me pjesën e kompensimit ushqimor të punonjësve të policisë, por edhe me orët shtesë që kanë kryer këta punonjës gjatë sezonit turistik.
Është me rëndësi të nënvizojmë se akomodimi i këtyre nevojave prioritare u mbështet edhe nga situata pozitive e shënuar gjatë gjysmës së parë të vitit 2024 në drejtim të nivelit të mbledhjes së të ardhurave nga administrata tatimore dhe doganore, si dhe të ardhurat e realizuara nga pushteti vendor. Rrjedhimisht, të gjitha ndryshimet që propozohen mbështeten në një sërë faktorësh realë dhe projeksionesh të pritshme, të cilat garantojnë zbatueshmërinë e tij. Është thelbësore të përmendim faktin se zhvillimet makro-fiskale dhe buxhetore që shoqëruan mbylljen e vitit buxhetor 2023 u karakterizuan në shkallë të gjerë nga përmirësime të ndjeshme të parametrave të konsoliduar kyç, të cilët vijuan me trendin pozitiv edhe përgjatë gjysmës së parë të vitit 2024, duke krijuar kësisoj besimin në vazhdimësinë e këtyre ritmeve edhe për pjesën e mbetur të vitit.
Sa i përket indikatorëve makroekonomikë:
Më lejoni t’ju paraqes një panoramë të përmbledhur të zhvillimeve më të fundit makro-fiskale në Shqipëri, ku së pari dëshiroj të theksoj se ekonomia jonë ka demonstruar një rezistencë të jashtëzakonshme përballë sfidave të shumta globale. Gjatë tre viteve të fundit, ashtu siç jeni të gjithë në dijeni, vendi ynë është përballur me tërmetin e vitit 2019, pandeminë globale Covid, si dhe goditjen që pati zinxhiri i furnizimit me mallra dhe shërbime për shkak të luftës në Ukrainë. Megjithatë, ne arritëm t’ja dilmin relativisht mjaft mirë dhe kjo jo e thënë nga faktorë të brendshëm, por e shprehur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportet e tij, ku konkludohet se Shqipëria menaxhoi mjaft mirë këto situata krizash të jashtme duke rezultuar si një nga performueset më të mira në rajon.
Përgjatë vitit 2023, pavarësisht kushteve të vështira financiare globale, ne arritëm një rritje ekonomike prej 3.5%, duke tejkaluar ndjeshëm parashikimet fillestare prej 2.6%. kjo rritje pozitive ka vijuar edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2024, ku rritja vijoi të jetë në masën 3.6%.
Gjithashtu edhe inflacioni, që ishte një sfidë e madhe përgjatë vitit 2022, ka pasuar një rënie të ndjeshme. Nga një mesatare prej 6.7% në vitin 2022, inflacioni ra në 4.8% në 2023, duke u ulur akoma në tej në periudhën janar-korrik të këtij viti dhe aktualisht shënon një mesatare prej 2.4%.
Tregu i punës vazhdon të tregojë përmirësime të qëndrueshme. Shkalla e papunësisë shënoi uljen më të madhe historike në fund të vitit 2023 në masën 10.7%, ndërkohë që nga ana tjetër, përgjatë tremujorit të parë të vitit 2024, në raport me tremujorin e parë të vitit 2023, kemi një rritje të pagave reale në masën 10.8 %, ku kontribuesi kryesor është rritja e pagave në sektorin publik me rreth 13 %, e ndjekur nga sektori privat me një rritje prej 9.7 %. Vlen për tu theksuar se rritjet në sektorin publik po ushtrojnë një trysni pozitive edhe në sektorin privat, i cili do të duhet të ndjekë rritjen e pagave në mënyrë që të jenë të konkurrueshme me sektorin publik.
Në aspektin fiskal, kemi bërë gjithashtu përparime të rëndësishme. Në vitin 2023 regjistruam një balancë primare pozitive prej 0.7%, ndërkohë që raporti i borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto vijoi të ulej ndjeshëm me 5.5 pikë përqindje krahasuar me 2022, duke arritur në 58.9% në fund të vitit 2023.
Përsa i përket borxhit publik, në fund të muajit qershor 2024 u vlerësua të jetë në 13.6 miliardë euro ose 63 milionë euro më i ulët krahasuar me fundin e vitit 2023. Viti 2024 ka shënuar përmirësim përsa i përket menaxhimit të borxhit publik dhe realizimit të huamarrjes. Treguesi i peshës së borxhit të jashtëm ka pësuar një ulje nga ai i fundit të vitit 2023, dhe për rrjedhojë kemi edhe një ulje të peshës së borxhit të denominuar në valutë të huaj, kryesisht në euro. Aktualisht niveli i borxhit të huaj është në masën 43.3 %, e cila është edhe pjesë e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit, që duhet të jetë nën masën 50% sa i përket borxhit të emetuar në valutë të huaj.
Sa i takon pozicionit të jashtëm të ekonomisë, bilanci i pagesave u përmirësua ndjeshëm gjatë vitit 2023. Defiçiti i llogarisë korente ka rënë në më pak se 1% të PBB, që është niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Ky përmirësim reflekton kryesisht flukset e larta të ardhura nga turizmi, si dhe remitencat gjithmonë e në rritje nga pjesa e disporës që kemi jashtë territorit të Shqipërisë. Gjithashtu, investimet e huaja direkte kanë shënuar një rritje me 8.7% në fund të vitit 2023, krahasuar me fundin e vitit 2022 dhe kjo trajektore pozitive përsa i përket përthithjes së investimeve të huaja direkte ka vijuar edhe përgjatë tremujorit të parë të vitit 2024, me një rritje prej mbi 15 % në raport me tremujorin e parë 2023.
Përsa i përket të ardhurave dhe shpenzimeve që janë rishikuar me këtë Akt Normativ për vitin financiar 2024, ato janë si më poshtë:
Të ardhurat e përgjithshme për 7 mujorin 2024 kanë shënuar vlerën 402 miliardë lekë, me një realizim prej 103% ose 11.6 miliardë lekë më shumë se sa plani i vitit 2024. Krahasuar me 7 mujorin 2023, kemi një rritje të të ardhurave të përgjithshme me 8% më shumë se sa 2023 ose me 30.3 miliardë lekë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Tejkalimi vërehet kryesisht në të ardhurat tatimore që administrohen nga tatimet dhe doganat, të ardhurat tatimore të pushtetit vendor, si dhe në kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat për 7 mujorin 2024 janë në total 261 miliardë lekë, ose 22.4 miliardë lekë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2023, duke shënuar një rritje prej 9.4%. Nëse do të bënim një krahasim me planin, të ardhurat për këtë periudhë janë 2% më shumë se sa plani për 7 mujorin 2024 ose e përkthyer në vlerë monetare janë 5.2 miliardë lekë më shumë.
Sa i përket rritjes ekonomike, ajo është e qëndrueshme dhe pritet të vijojë edhe në pjesën e mbetur të vitit fiskal. Si rrjedhojë, me Aktin Normativ propozohet që të ardhurat të rriten me 9.4 miliardë lekë lekë, bazuar në performancën pozitive të sipërcituar.
Përsa i përket të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për 7 mujorin 2024, ato janë 9.6 miliardë lekë më shumë se sa 7 mujori 2023, duke shënuar një rritje dyshifrore prej 11.6%. Krahasuar me planin, të ardhurat janë 1 miliardë lekë ose 1.1% më shumë se sa ishte planifikuar më parë. Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore kanë tejkaluar projeksionet si rezultat i rritjes së nivelit të pagave jo vetëm në sektorin publik e atë privat, por edhe nga rritja e numrit të kontribuesve të rinj. Për 7 mujorin kemi më shumë kontribues të rinj në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, 8950 kontribues të rinj. Për këtë arsye, në këtë Akt Normativ kemi rishikuar të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me një rritje prej 1.7 miliardë lekë.
Të ardhurat nga pushteti vendor kanë pasur një rritje domëthënëse qoftë krahasuar me 7 mujorin e vitit 2023, qoftë krahasuar me planin. Përsa i përket rritjes në krahasim me planin, ajo është me rreth 7.9 miliardë lekë më shumë ose 48 % më shumë se sa ne kishim planifikuar. Gjatë vitit 2024 është shënuar një performancë e mirë në mbledhjen e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore. Për rrjedhojë, performanca e mirë e njësive të vetë qeverisjes vendore solli propozimin e rritjes së planit me 8 miliardë lekë, nga të cilat 1.1 miliardë lekë taksa mbi pasurinë dhe 6.9 miliardë lekë taksat lokale. Kjo rritje sjell edhe më shumë shpenzime për shërbime dhe investime publike nga ana e bashkive të vendit për komunitetet e tyre respektive.
Ndërkohë, propozohet dhe rritja e zërit të të ardhurave jotatimore në masën 8.1 miliardë lekë, nga kthimi në buxhet si të ardhura i një pjese të gjendjes së Llogarisë së Shpronësimeve në Bankën e Shqipërisë. Kjo, duke garantuar natyrisht disponueshmërinë e fondeve të nevojshme për zbatimin e akteve ligjore/nënligjore tashmë të miratuara dhe atyre të pritshme, me efekte financiare në shpronësime.
Përsa i përket kahut të shpenzimeve, ndryshimet thelbësore konsistojnë kryesisht në financime shtesë, si:
• Financim shtesë në masën 5 miliardë lekë për projekte të reja të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, të cilat konsistojnë në projekte të reja në programe zhvillimi, të infrastrukturës vendore dhe rajonale, si dhe programit 100 fshatrat.
• Financim shtesë në masën 4.75 miliardë lekë për projektet e reja të Transportit Rrugor, për financimin e projekteve të rrugëve Elbasan-Lekaj, Fier-Kthesa Patos-Frataj dhe Berdice-Unaza Lindore.
• Financim shtesë në masën 2 miliardë lekë për projektet e reja në sektorin e Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime, për projektet “Ndërtimi i sistemit të kanalizimeve të Njësisë Administrative Hudënisht, Bashkia Pogradec”, “Optimizimi i ujësjellësit të Vorës dhe rrethinat”, “Sistemi i ri KUZ+ITUP në zonën turistike të Spillesë, Bashkia Kavajë”, ujësjellësa në zona turistike, etj.
• Shtesë fondesh për Agjencinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike në masën 1.5 miliardë lekë, në kuadër të procesit të implementimit të ‘Platformave me teknologji të avancuar që shfrytëzojnë inteligjencën artificiale në fushën e sigurisë kibernetike, për sistemet dhe infrastrukturat qeveritare të vendit’.
• Shtesë fondesh në masën 1.4 miliardë lekë për Ministrinë e Brendshme, me qëllim përballimin e nevojave për kompensimin ushqimor të punonjësve të policisë për periudhën 12 mujore, krahas orëve jashtëorarit në kuadër të sezonit intensiv turistik. Pjesa e kontributit për ushqimin është rreth 1 miliardë lekë, ndërsa pjesa për orët jashtë orarit që do paguhen përmes këtij Akti Normativ është rreth 300 milionë lekë fond shtesë.
• Shtesë fondesh në masën 900 milionë lekë për MBZHR, përkatësisht 500 milionë lekë shkojnë drejtpërdrejt si mbështetje për fermerët në implementimin e skemës së re të mbështetjes/grand për investime, e cila synon të krijojë iniciativë për rritjen e investimeve në sektorin e bujqësisë, si edhe 400 milionë lekë për projektet e reja që lidhen kryesisht me investime në sektorin e ujitje-kullimit.
• Shtesë fondesh në masën 690 milionë lekë për Ministrinë e Mbrojtjes, me qëllim financimin e kapitalit fillestar për shoqërinë e re KAYO sh.a, shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të ndërmarrjeve ekzistuese të sektorit, pagesën e dëmshpërblimeve të mbartura për familje që janë përballur me fatkeqësi natyrore.
• Shtesë fondesh në masën 450 milionë lekë për MAS, që lidhen kryesisht me shpenzimet e personelit si rezultat i rritjes së pagave në këtë sektor, si dhe financimin e projekteve komunitare apo shpërblimin e sportistëve elitarë të vendit.
• Akti Normativ parashikon gjithashtu financim shtesë në masën 250 milionë lekë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për projektin e regjistrimit të zgjedhësve në diasporë.
• Financim shtesë në masën 250 milionë lekë për projekte të reja në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me qëllim financimin e projekteve të investimeve për ndërtim apo rikonstruksion të spitaleve dhe qendrave shëndetësore në rang vendi.
• Financim shtesë në masën 223 milionë lekë për Ministrinë e Financave, për projekte që lidhen me azhornimin e sistemit të thesarit dhe serverave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për shkak edhe të problematikave të krijuara.
Në lidhje me aspektin e defiçitit dhe borxhit publik:
Defiçiti buxhetor si rrjedhojë e ndryshimeve të mësipërme në të ardhura dhe shpenzime, mbetet i njëjtë sipas atij të miratuar me anë të Aktit Normativ nr.1, datë 21.2.2024.
Borxhi publik për buxhetin 2024 rishikohet duke reflektuar ndryshimet si vijon:
Financimi nëpërmjet kredive të huaja në formën e mbështetjeve buxhetore rritet me rreth 3.2 miliardë lekë, duke reflektuar disbursimin e pritshëm të paradhënies së mbështetjes së Bashkimit Evropian që do të akordojë për vendet e Ballkanit perëndimor në kuadër të Planit të Rritjes;
Në shpenzimet e parashikuara për interesat e borxhit, gjatë vitit 2024 vlerësohet të ketë një kursim në vlerën prej 2 miliardë lekë në interesat e jashtme, kryesisht si rezultat i efektit të kursit të këmbimit;
Gjithashtu zëri i ripagesave të borxhit të jashtëm rishikohet me një ulje prej rreth 6.8 miliardë lekë po si rezultat i efektit të kursit të këmbimit, si dhe të mos materializimit të pagesave të mundshme të parashikuara për t’u kryer për kredi të garantuara, pagesa të cilat janë kryer nga vetë huamarrësi.
Sa i takon pritshmërive:
Në fund të vitit 2024 borxhi publik pritet të jetë në nivelin e rreth 14 miliardë euro ose 58.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me një ulje prej 0.7 % krahasuar me nivelin e fund vitit 2023. Ky vlerësim i pritshëm reflekton të gjitha statistikat dhe projeksionet më të fundit, që ndikojnë në stokun total të borxhit.

Huamarrja e brendshme vijon të mbetet e njëjtë si në planin fillestar të projektbuxhetit. Zërat e financimit të huaj janë përditësuar duke reflektuar pritshmëritë më të fundit, ku ndër më kryesorët do të theksonim përfshirjen e mbështetjes buxhetore që pritet të disbursohet brenda këtij viti nga programi “Plani i Ritjes për Ballkanin Perëndimor”. Një tranche prej rreth 30 milionë euro i kësaj mbështetje të rëndësishme pritet të disbursohet brenda 2024.
Në mbyllje të fjalës sime, mbështetur në sa më sipër gjerësisht parashtruar, dëshiroj të ritheksoj se ndryshimet e propozuara në Aktin Normativ do të vijojnë të sigurojnë stabilitetin e parametrave kyç makro-fiskal e buxhetorë, krahas garantimit të trajektores rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me PBB, duke siguruar kësisoj vijimësinë e konsolidimit fiskal dhe qëndrueshmërinë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit në tërësi.

Faleminderit!

Previous Muzhaqi dhe Mazniku në Përrenjas për nisjen e vitit të ri shkollor