Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, zhvilloi një takim me drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi ecurinë e realizimit të objektivave nga këto dy institucione të varësisë të Ministrisë së Financave.
Ministri Malaj theksoi rëndësinë e intensifikimit të punës në mënyrë që të përmbushen me efikasitet prioritetet e përcaktuara, duke sjellë në vëmendje se planifikimi buxhetor, bazuar në mbledhjen e të ardhurave, duhet t’i përgjigjet vijimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.
Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua edhe digjitalizimit të mëtejshëm në administratën tatimore dhe doganore, me synim përmirësimin e performancës, optimizimin e shërbimeve dhe reduktimin e kohës së marrjes së tyre.
Ministri Petrit Malaj u shpreh se mirë planifikimi nga Ministria e Financave dhe realizimi i objektivave nga strukturat e administratës tatimore dhe doganore do të jenë çelësi i suksesit dhe qëndrueshmërisë financiare që pritet në vazhdimësi nga qeveria shqiptare.