Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, priti në një takim Të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, znj. Nancy VanHorn.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe ecurinë e bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Palët theksuan partneritetin strategjik mes dy vendeve, i cili shënon një të ardhme premtuese për marrëdhëniet ekonomike në rritje mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.
Ministri Malaj shprehu mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e reformave kryesore të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe përparimit të Shqipërisë sa i përket integrimit në Bashkimin Europian, mbështetje e cila kontribuon drejtpërdrejt në rritjen dhe zhvillimin ekonomik.
Ministri i Financave tha se qeveria shqiptare mirëpret rritjen e prezencës së investitorëve amerikanë dhe nxiti kompanitë amerikanë të investojnë në sektorët prioritarë të ekonomisë shqiptare, si energjia, turizmi, bujqësia, etj.
Nga ana e saj, znj. Nancy VanHorn shprehu gatishmërinë për të vijuar dhe forcuar bashkëpunimin me qeverinë shqiptare sa i përket projekteve strategjike dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë.