Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u prit me nderime të thella nga Ministri Italian i Drejtësisë, Carlo Nordio, gjatë vizitës zyrtare që zhvilloi në Itali, në datat 12-14 nëntor 2023.
Në frymën e bashkëpunimit dhe miqësisë, dy ministrat gjatë takimit theksuan bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston ndërmjet dy vendeve, si dhe shprehën angazimin e përbashkët për të çuar përpara agjendat sipas prioriteteve të caktuara nga bashkëpunimi ndërmjet dy qeverive.
Ministrat u angazhuan në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në sfidat e përbashkëta si, krimi i organizuar, korrupsioni dhe rehabilitimi i të dënuarve shqiptarë në Itali.
Në përfundim të vizitës ministri Manja e përshkroi vizitën si “2 Ministri, një agjendë”
Nga ana tjetër, me ftesë të Manjës, pritet që shumë shpejt ministri Nordio të vizitojë zyrtarisht Shqipërinë.
“Miqësia jonë e kahershme dhe tradicionale midis dy vendeve tona e konfirmuar së fundmi nga dy kryeministrat, Rama dhe Meloni, reflektohet dhe në fushën e drejtësisë! Me mikun tim, ministrin Nordio ndamë qëndrimin e përbashkët se marrëdhëniet tona në fushën e drejtësisë në të gjitha nivelet janë të shkëlqyera dhe nuk njohin asnjë pengesë ligjore. U dakordësuan që stafet e dy ministrive të punojnë ngushtësisht në grupe pune të përbashkëta në nivel teknik sipas prioriteteve të dy qeverive dhe ministrive, për të avancuar përpara të gjitha marrëveshjet dhe axhendat tona në fushën e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar, nëpërmjet skuadrave të përbashkëta hetimore, edukimit dhe rehabilitimit të të dënuarve shqiptarë në Itali, si dhe projekte të tjera që ndihmojnë rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, – u shpreh Manja.