Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, zhvilluan një takim për dialogun vendor në Bashkinë e Fierit, në kuadër të turit që po mbahet në secilën prej 61 bashkive të vendit, me qëllim evidentimin e problematikave kryesore të vetëqeverisjes vendore.
Ministri i Brendshëm theksoi rëndësinë e intenstifikimit të dialogut mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore dhe u ndal tek nevoja për një koordinim më të mirë mes Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së territorit dhe inspektorateve vendore të mbrojtjes së territorit.
“Na duhet të rrisim kontrollet, duke përfshirë këtu edhe një rol të ri që do të marri policia bashkiake në koordinim me policinë e shtetit, për të garantuar që Shqipëria turistike, ndërsa përgatitet për sezonin turistik 2024, të jetë më e sigurt dhe e pastër. I kam kërkuar kryetarëve të bashkive që të ridimensionojnë rolin e bashkive bashkiake, të cilët nuk mund të jenë më vende qokash po duhet të jenë mbrojtësit e territorit. Ndërsa me ligjin e ri, i kemi rritur kompetencat, ndër to ajo për ruajtjen e detit në bashkëveprim me institucionet e tjera. Ne do të kërkojmë që përgjatë procesit të rekrutimit të respektohen jo vetëm kriteret e pranimit, por çdo punonjës i policisë bashkiake të kalojë trajnimin katër javor në Akademinë e Sigurisë. Kemi përcaktuar me vendim të qeverisë edhe uniformat e reja të policisë bashkiake dhe gjithçka tjetër që lidhet me imazhin dhe qasjen e re që duhet t’i japim policisë bashkiake” tha Ministri Balla.
Ndërsa Ministri Mazniku deklaroi se: “Ka qenë një takim shumë frytdhënës dhe besoj se kemi një agjendë pune për adresimin e këtyre problematikave. Në thelb ne kemi nevojë për rritjen e profesionalizimit të administratës, ndaj dhe një nga aksionet që do të ndërmarrë Ministria për Pushtetin Vendor është krijimi, që në fillin të vitit që vjen, i një strukture që quhet Akademia e Pushtetit Vendor, që do të merret me trajnimin specifik të administratës së bashkive për punë specifike si psh: çështje të urbanistikës, prokurimeve, legjislacionit, kontrollit të territorit, pra aftësimi periodik, i vazhdueshëm i stafeve të bashkive në të gjithë vendin për funksione shumë të vogla specifike dhe në mënyrë periodike.”