Ministri Mete merr pjesë në konferencën ndërkombëtare “Zhvillimi i Sektorit të Sigurimeve – Mundësitë dhe Sfidat në Evropën Juglindore” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministri Mete merr pjesë në konferencën ndërkombëtare “Zhvillimi i Sektorit të Sigurimeve – Mundësitë dhe Sfidat në Evropën Juglindore”

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë “Zhvillimi i Sektorit të Sigurimeve – Mundësitë dhe Sfidat në Evropën Juglindore”. Konferenca u organizua nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Bankën Botërore.

Në fjalën e tij, z. Mete vlerësoi kontributin e sigurimeve në promovimin e stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik, si dhe në sigurinë e qytetarëve dhe bizneseve, pasi ato mund të ulin impaktin e goditjeve në ekonomi dhe të rrisin përfshirjen financiare.

Ministri tha se zhvillimi i tregut të sigurimeve ka njohur trende pozitive në vitet e fundit dhe shprehu angazhimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të tij.

“Zhvillimi i sektorit të sigurimeve, avancimi drejt standardeve më të mira ndërkombëtare dhe harmonizimi i kuadrit rregullator me direktivat evropiane janë procese që kërkojnë angazhim të përbashkët të të gjithë aktorëve ndaj Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të jetë mbështetëse për të gjitha përpjekjet dhe iniciativat e sektorit dhe të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në avancimin në këtë drejtim”, u shpreh z. Mete.

Nisur nga fakti se i gjithë rajoni është i ekspozuar ndaj katastrofave natyrore dhe ndryshimeve të klimës, Ministri nënvizoi rëndësinë e sigurimit nga katastrofat dhe sigurimit në bujqësi. Tërmeti i vitit 2019 shkaktoi pasoja të rënda për vendin tonë dhe nxori në pah nivelin e ulët të sigurimit vullnetar të banesave, në pjesën më të madhe i diktuar nga bankat për kreditë hipotekore.

“Me mbështetjen e Bankës Botërore, po shqyrtojmë opsionet më të mira për zhvillimin e një programi kombëtar për sigurimin nga tërmetet. Është e rëndësishme që ky sigurim të jetë me kosto të përballueshme për qytetarët dhe të bazohet në standardet më të mira të sigurimit të rrezikut”, u shpreh z. Mete.

Sa i përket sigurimit në bujqësi, Ministri tha se ai mund të jetë një mjet i rëndësishëm i menaxhimit të rrezikut që ndihmon fermerët të mbrohen nga humbjet financiare për shkak të fatkeqësive natyrore dhe kushteve klimatike.

Konferenca mblodhi së bashku përfaqësues të nivelit të lartë të Qeverisë Shqiptare, institucioneve financiare ndërkombëtare, autoriteteve mbikëqyrëse financiare dhe pjesëmarrësve të tregut vendas dhe ndërkombëtar. Ajo u organizua në tre panele: “Mundësitë dhe sfidat për zhvillimin e sektorit të sigurimeve në Evropën Juglindore”; “Roli i sigurimeve në menaxhimin e riskut të katastrofave”; “Sfidat për zhvillimin e sigurimeve në bujqësi”. Panelistët ndanë mendimet dhe eksperiencat e tyre në lidhje me tregun e sigurimeve, praktikat botërore dhe nevojën për diversifikimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të sigurimeve në rajon dhe në Shqipëri.

Fjala e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete:

Të nderuar panelistë

Të nderuar pjesëmarrës

Është kënaqësi e veçantë për mua t’ju drejtohem në këtë konferencë për tregun e sigurimeve, e para e këtyre përmasave dhe e këtij formati në vendin tonë. Kjo edhe për faktin se kur filluam ta ideonim dhe të strukturonim organizimin unë mbaja rolin e Drejtorit Ekzekutiv të AMF dhe më vjen mirë që konferenca të këtij formati po kthehen në një traditë për Autoritetin. Krahas atyre që janë organizuar ne planifikojmë të organizojmë një konferencë vjetore në bashkëpunim me Autoritetin dhe Bankën Botërore, sepse ka rezultuar se janë një format shumë i mirë për të ndarë mendime dhe për të diskutuar sfida që na prekin jo vetëm ne, por edhe rajonin.

Ashtu siç është një lajm shumë i mirë që në vitin 2025 mbledhja vjetore e të gjithë mbikëqyrësve të sigurimeve në botë do të bëhet në Shqipëri. Besoj është shenjë vlerësimi e bashkëpunimit ekselent që AMF ka pasur me IAIS që është Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime, ashtu siç është një vlerësim i lartë për Shqipërinë dhe rajonin që një takim që u bë Siatëll, do të bëhet në Tokio dhe vjen e bëhet në Tiranë.

Ka pasur një trend pozitiv zhvillimi të tregut të sigurimeve në Shqipëri përgjatë këtyre viteve, bazuar edhe mbi avancimet domethënëse ligjore dhe rregullatore, të përafruar në masë të gjerë me Direktivat e BE, si edhe bazuar mbi forcimin e rolit dhe pavarësisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Ashtu siç ka pasur edhe përmirësime të ndjeshme në treguesit kyç të këtij sektori, siç janë kapitali dhe mbulimi me provigjone.

Zbatimi i ligjit të ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit ka sjellë një sërë zhvillimesh pozitive në segmentin më të rëndësishëm të këtij tregu.

Përparimet e viteve të fundit u vlerësuan edhe nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS), e cila pas një vlerësimi përputhshmërie vlerësoi një nivel të lartë në një sërë komponentësh kyç si baza rregullatore, pavarësia institucionale, procedurat e licencimit dhe praktikat mbikëqyrëse.

Sigurimet janë një pjesë e rëndësishme e sektorit financiar, me kontribut në promovimin e stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik. Ato mund të ulin impaktin e goditjeve në ekonomi dhe të rrisin përfshirjen financiare.

Diversifikimi dhe zhvillimi i tregut të sigurimeve është i një rëndësie të veçantë, pasi ndikon drejtpërdrejt në një sërë faktorësh që kanë të bëjnë me zhvillimin e tregjeve financiare, progresin ekonomik të vendit, si edhe sigurinë e qytetarëve dhe bizneseve.

Shtysë kryesore për zhvillimin e këtij tregu tashmë do të jetë përafrimi i plotë me standardet evropiane dhe Udhërrëfyesi që ne kemi miratuar së bashku me Bankën Botërore drejt regjimit Solvency II, që është regjimi europian, po ashtu edhe rregullat e Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar IFRS 17 që pritet të hyjnë në fuqi në fillim të vitit 2025, si edhe më gjerë baza rregullatore evropiane do të jenë përcaktuese për zhvillimin e sektorit të sigurimeve në të gjithë rajonin e jo vetëm në Shqipëri.

Ndaj, do të jetë kënaqësi të dëgjoj diskutimet e rregullatorëve nga rajoni dhe EIOPA, që është rregullatori europian, për të ndarë me ne objektivat dhe sfidat lidhur me këtë çështje.

Në këtë rrugë evropiane, zhvillimi i mëtejshëm i tregut, diversifikimi i tij dhe përfshirja më e gjerë financiare do të jenë fokus kryesor.

Nga ana tjetër, i gjithë rajoni është i ekspozuar ndaj katastrofave natyrore dhe ndryshimeve të klimës. Sigurimi nga katastrofat dhe sigurimi në bujqësi janë në vëmendje të rregullatorëve rajonalë, por edhe atyre ndërkombëtarë.

Siç jeni në dijeni, Shqipëria u përball në vitin 2019 me një tërmet me pasoja të rënda, me efekte shkatërrimtare dhe humbje jete. Nga shoqëritë e sigurimit u paguan rreth 40 milionë euro dëme për qytetarët dhe bizneset e dëmtuara, ndërsa për pjesën tjetër, nga buxheti i shtetit, janë shpenzuar deri tani 890 milionë euro për procesin e rindërtimit dhe për pagesat e bonusit të qerasë. Tërmeti nxori në pah një aspekt të rëndësishëm, që sigurimi vullnetar i banesave është në nivele të ulëta dhe në pjesën më të madhe i diktuar nga bankat për kreditë hipotekore.

Nisur nga sa më sipër, vlerësohet i domosdoshëm përcaktimi i mekanizmave të mbrojtjes dhe transferimit të rrezikut. Ndaj, me mbështetjen e Bankës Botërore, po shqyrtojmë opsionet më të mira për zhvillimin e një programi kombëtar për sigurimin nga tërmetet. Kjo konferencë do të diskutojë më në detaje këtë temë, por është e rëndësishme që ky sigurim të jetë me kosto të përballueshme për qytetarët dhe të bazohet në standardet më të mira të sigurimit të rrezikut.

Po ashtu, bujqësia është një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë sonë, që rezulton në masë të madhe e ekspozuar ndaj ndryshimeve të klimës. Sigurimi i bujqësisë mund të ishte një mjet i rëndësishëm i menaxhimit të rrezikut që ndihmon fermerët të mbrohen nga humbjet financiare për shkak të fatkeqësive natyrore dhe kushteve klimatike. Ky sigurim është pak i zhvilluar në Shqipëri, ndaj ndarja e eksperiencave më të mira në këtë drejtim do të të jetë e dobishme për një avancim sa më të mirëmenduar lidhur me këtë çështje.

Zhvillimi i sektorit të sigurimeve, avancimi drejt standardeve më të mira ndërkombëtare dhe harmonizimi i kuadrit rregullator me direktivat evropiane janë procese që kërkojnë angazhim të përbashkët të të gjithë aktorëve ndaj Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të jetë mbështetëse për të gjitha përpjekjet dhe iniciativat e sektorit dhe të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në avancimin në këtë drejtim. 

Vlerësoj se konferenca do të shërbejë si një platformë e rëndësishme për rregullatorët, ekspertët dhe drejtuesit e shoqërive të sigurimit për të ndarë eksperiencat, njohuritë dhe sfidat në zhvillimin e këtij sektori.

Shumë suksese dhe shumë Faleminderit!

Previous Ministrja Denaj: Sigurimi në bujqësi, i rëndësishëm në kushtet e ndryshimeve klimatike