Ministri Mete në aktivitetin e prezantimit të nisjes së fluturimeve të kompanisë Ryanair në Shqipëri - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministri Mete në aktivitetin e prezantimit të nisjes së fluturimeve të kompanisë Ryanair në Shqipëri

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete mbajti një konferencë të përbashkët shtypi me Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Raynair, z. Michael O’Leary dhe Drejtorin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Piervittorio Farabbi. Eventi u organizua me rastin e nisjes së fluturimeve zyrtare të kompanisë Ryanair në Shqipëri, duke nisur nga data 31 tetor 2023.

Ministri Mete vlerësoi nisjen e operimit të kompanisë Ryanair në vendin tonë, e cila deri në fund të vitit 2023 ka parashikuar rreth 200 fluturime në javë, në 17 destinacione dhe krijimin e rreth 1 mijë vendeve të reja të punës.

“Ardhja e një kompanie si Ryanair, një emër me kaq eksperiencë në industrinë evropiane të aviacionit, pritet të sjellë më shumë diversifikim, mundësi dhe sigurisht në rastin konkret edhe më shumë destinacione të reja për fluturime direkte me Tiranën, siç janë Bukureshti dhe Praga”, tha z. Mete.

Gjatë fjalës së tij, Ministri theksoi faktin se turizmi në vend ka njohur rritje gjatë këtij viti dhe Shqipëria është kthyer tashmë në një destinacion të preferuar thuajse gjithëvjetor.

Sipas shifrave më të fundit të INSTAT, për periudhën 9 mujore vendin e kanë vizituar rreth 8.3 milionë turistë, ndërsa muaji shtator u mbyll me 1.1 milionë vizitorë të huaj, ose rreth 45% më shumë se vitin e kaluar.

Po ashtu, shifrat e Eurostat e renditën Shqipërinë në vend të parë në Evropë sa i takon rritjes së numrit të fluturimeve tregtare në periudhën qershor-shtator, një rezultat impresionues, me gjithsej 19.300 fluturime, ose 27.8% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ministri Mete u shpreh se Qeveria synon të mbështesë dhe zhvillojë më tej infrastrukturën aeroportuale dhe ndërlidhjet e saj me rrjetet rrugore dhe hekurudhore, ashtu siç do të jenë në vëmendje të gjitha shërbimet mbështetëse që lidhen me industrinë e turizmit”.

Operimi i kompanisë Ryanair, përfundoi z. Mete, do ta theksojë edhe më tepër imazhin e Shqipërisë si një destinacion turistik.

***

Fjala e Ministrit Ervin Mete – Konferenca për shtyp me “Ryanair”

I nderuar z. O’Leary

I nderuar z. Farabbi

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi pjesëmarrja në këtë event, vetëm një javë përpara nisjes zyrtare të fluturimeve të kompanisë Ryanair nga dhe drejt Shqipërisë, duke e lidhur atë me një sërë destinacionesh evropiane.

Numri i fluturimeve të përcaktuara për këtë periudhë deri në fund të vitit, 200 fluturime në javë, si edhe numri i destinacioneve, 17 të tilla, vlerësoj se janë tregues i angazhimit dhe përkushtimit të kompanisë për të operuar në vendin tonë.

Ardhja e një kompanie si Ryanair, një emër me kaq eksperiencë në industrinë evropiane të aviacionit, pritet të sjellë më shumë diversifikim, mundësi dhe sigurisht në rastin konkret edhe më shumë destinacione të reja për fluturime direkte me Tiranën, siç janë Bukureshti dhe Praga.

Është një lajm gjithashtu shumë i mirë që kompania parashikon të krijojë rreth 1 mijë vende të reja pune në vendin tonë.

Ky vit për Shqipërinë është padyshim viti i turizmit. Turizmi ka qenë dhe mbetet kryefjalë edhe gjatë këtyre ditëve dhe konstatojmë me kënaqësi se Shqipëria është kthyer tashmë në një destinacion të preferuar thuajse gjithëvjetor.

Muaji shtator u mbyll me 1.1 milionë vizitorë të huaj, rreth 45% më shumë se viti i kaluar, ndërsa për 9-mujorin vendin e kanë vizituar afro 8.3 milionë turistë.

Gjithashtu, shifrat e Eurostat e renditën Shqipërinë në vend të parë në Evropë sa i takon rritjes së numrit të fluturimeve tregtare në periudhën qershor-shtator, një rezultat impresionues, me gjithsej 19.300 fluturime, ose 27.8% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas, porta hyrëse kryesore ajrore, tashmë ka një infrastrukturë të përmirësuar dhe është gati të mirëpresë mbi 10 milionë pasagjerë, falë investimeve të realizuara.

Qeveria synon të mbështesë dhe zhvillojë më tej infrastrukturën aeroportuale dhe ndërlidhjet e saj me rrjetet rrugore dhe hekurudhore, ashtu siç do të jenë në vëmendje të gjitha shërbimet mbështetëse që lidhen me industrinë e turizmit.

Është për t’u vlerësuar edhe puna e mirë e bërë nga policia dhe dogana për të përballuar flukset e pasagjerëve, të cilët gjej rastin t’i falënderoj.

Rritja e numrit të pasagjerëve ka shtuar konkurrencën dhe interesin e kompanive “low cost” që të operojnë në Shqipëri, duke rritur numrin e fluturimeve dhe prania e tyre tregon se vendi po kthehet në një destinacion turistik.

Jam i bindur se ardhja e Ryanair në Shqipëri do ta theksojë edhe më tepër këtë imazh.

Shumë suksese dhe shumë faleminderit!

Previous Koçiu te “Zyber Hallulli”: Mbështesim të rinjtë për realizimin e pasioneve përmes kurseve profesionale