Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete dhe Ministri i Brendshëm, z. Taulant Balla, morën pjesë në ceremoninë e akordimit të 92 kredive për përfitimin e banesave për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Ministri Mete u shpreh se akordimi i 92 kredive për punonjësit e Policisë së Shtetit vjen si zbatim i politikave të ndërmarra nga qeveria për strehimin social për disa kategori të caktuara, ku subvencionimi i interesave të kredive do të mundësohet përmes buxhetit të shtetit.
Ministri theksoi faktin se programi i strehimit me kushte lehtësuese do të vijojë edhe vitin e ardhshëm, ku në projektbuxhetin e vitit 2024 është parashikuar të akordohet një fond prej 100 milionë lekësh.
Gjatë fjalës së tij, Ministri falënderoi punonjësit e Policisë së Shtetit për kontributin që japin në garantimin e rendit dhe sigurisë publike në vend, e sidomos edhe gjatë sezonit turistik.
“Turizmi gjatë këtij viti, por edhe në vijim parashikohet të luajë rol kyç jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe sa i përket përmirësimit të imazhit të vendit. Dhe në këtë kuadër, sezoni turistik, i cili kaloi pa incidente, kontribuon më së miri në këtë drejtim”, u shpreh Ministri.
Po ashtu, Ministri Mete tha se qeveria do të vijojë mbështetjen për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe për administratën publike në tërësi, siç është ajo që lidhet me rritjen e pagave.
“Reforma e rritjes së pagave, e nisur gjatë këtij viti, do të vijojë edhe përgjatë vitit të ardhshëm. Duke nisur nga mesi i vitit 2024 do të ketë një rritje domethënëse të pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, si edhe për një sërë kategorish të tjera, për mjekët, infermierët, ushtarakët, si dhe për punonjës të tjerë të administratës publike. Përmes rritjes së programuar për vitin e ardhshëm, niveli i pagës mesatare do të arrijë 900 euro, në mbështetje të punësimit cilësor dhe rritjes së konkurrueshmërisë me vendet e rajonit”, tha Ministri.
Akordimi i kredive me zero interes për punonjësit e Policisë së Shtetit u bë i mundur falë miratimit në muajin qershor 2023 të ndryshimeve në ligjin “Për strehimin social”. Në zbatim të këtyre ndryshimeve, në shtator të këtij viti u hapën për herë të parë aplikimet për zbatimin e këtij programi lehtësues për punonjësit e administratës publike, specifikisht për 300 punonjës të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe personelit mjekësor. Pas procedurave të aplikimit, 92 punonjës të Policisë së Shtetit që do të përfitojnë kredi me kushte lehtësuese përmbushnin kriteret e vendosura me vendim të Këshillit të Ministrave për këto kategori.
Fjala e Ministrit Ervin Mete:
I nderuar Ministër Balla,
Të nderuar pjesëmarrës,
Është kënaqësi të jem sot pjesë e kësaj ceremonie, në zbatim të një politike të rëndësishme të ndërmarrë nga Qeveria që ka të bëjë me mbështetjen për strehim për kategori të caktuara.
Në shtator të këtij viti u hapën për herë të parë aplikimet për zbatimin e këtij programi lehtësues për punonjësit e administratës publike, specifikisht për 300 punonjës të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe personelit mjekësor.
Sot, së bashku me Ministrin Balla, japim mbështetje përmes 92 kredive me kushte lehtësuese për punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët kanë rezultuar përfitues të këtij programi sipas kritereve të veçanta dhe procedurave përzgjedhëse, të specifikuara edhe në vendimin e Këshillit të Ministrave për këto kategori.
Në qershor të këtij viti, u miratuan ndryshime të rëndësishme në ligjin “Për strehimin social”, me synimin për të përfshirë në skemën e programit të subvencionit të interesave të kredive një sërë kategorish, përfshirë familjet e reja, punonjësit e administratës, të rinjtë, familjet e punonjësve të policisë së shtetit të rënë në krye të detyrës, si dhe fëmijët në përkujdesje të Republikës.
Në këtë mënyrë, programet e strehimit, të cilat aplikohen përmes Entit Kombëtar të Banesave, u zgjeruan me një program të dedikuar në mbështetje të kategorive të caktuara, duke mundësuar në bashkëpunim me bankat tregtare kredi me zero përqind interes për punonjësit e Policisë së Shtetit, personelin e Forcave të Armatosura dhe atë mjekësor.
Subvencionimi i interesave të kredive realizohet nga Buxheti i Shtetit, në mbështetje të këtyre kategorive dhe në kuadër të politikave të strehimit.
Programi i strehimit me kushte lehtësuese do të vijojë edhe vitin e ardhshëm, për të cilin është akorduar një fond prej 100 milionë lekësh në projektbuxhetin 2024, i cili miratohet ditën e nesërme në Kuvend. Ashtu si edhe gjatë këtij viti, procedurat e aplikimit do të realizohen online, përmes e-Albania.
Dua të falënderoj punonjësit e Policisë së Shtetit për angazhimin e tyre dhe kontributin e dhënë në garantimin e rendit dhe sigurisë publike edhe përgjatë sezonit turistik. Turizmi gjatë këtij viti, por edhe në vijim parashikohet të luajë rol kyç jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe sa i përket përmirësimit të imazhit të vendit. Dhe në këtë kuadër, sezoni turistik, i cili kaloi pa incidente, kontribuon më së miri në këtë drejtim.
Mbështetja për punonjësit e Policisë së Shtetit, por edhe për administratën publike në tërësi do të jetë e vazhdueshme. Në këtë kuadër ishte edhe reforma e rritjes së pagave, e nisur gjatë këtij viti, e cila do të vijojë edhe përgjatë vitit të ardhshëm. Duke nisur nga mesi i vitit 2024 do të ketë një rritje domethënëse të pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, si edhe për një sërë kategorish të tjera, për mjekët, infermierët, ushtarakët, si dhe për punonjës të tjerë të administratës publike.
Përmes rritjes së programuar për vitin e ardhshëm, niveli i pagës mesatare do të arrijë 900 euro, në mbështetje të punësimit cilësor dhe rritjes së konkurrueshmërisë me vendet e rajonit.
Shumë faleminderit!