Ministri i Financave, Ervin Mete, mori pjesë në takimin e Ministrave të Financave dhe atyre të Çështjeve Evropiane të Ballkanit Perëndimor “Një rajon, vizion i përbashkët”, organizuar në Kotor të Malit të Zi. Në këtë takim, i cili mbahet një ditë para Samitit të Liderëve Rajonalë, u diskutua për Planin e Rritjes dhe masat konkrete që synojnë përshpejtimin e konvergjencës ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian.
Ministri Mete, në fjalën e tij, u shpreh se procesi i miratimit të Planit të Rritjes brenda BE-së ka ecur me ritme të shpejta dhe se tani do të kontribuojë për të përshpejtuar reformat dhe rritur konvergjencën mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
“Plani i Rritjes ka krijuar një moment reformash. Tashmë jemi në fazën e dakordësimit final të masave të këtij Plani dhe instrumentat financiare që lidhen me të priten të kalojnë në Parlament brenda verës.”
Ministri theksoi se Shqipëria është në një fazë të përparuar sa i përket anëtarësimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), ku rezulton ndër vendet e para në rajon që ka dërguar tashmë para-aplikimin dhe po përgatitet të aplikojë zyrtarisht në muajin qershor. Gjithashtu, Ministri Mete vlerësoi mundësitë e ofruara nga BE-ja përmes Planit të Rritjes, ku qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të përfitojnë një sërë lehtësish dhe masash konkrete, përpara se të bëhen anëtare të BE-së.
Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Zgjerimit në KE, Gert Jan Koopman, vlerësoi progresin e bërë nga vendi ynë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit, ndërsa theksoi se Plani i Rritjes përfshin një set reformash ambicioze dhe sfiduese për rajonin. Ai inkurajoi vendet e Ballkanit Perëndimor të vijojnë me ritmin e lartë të reformave, duke theksuar edhe njëherë mbështetjen e Komisionit në procesin e integrimit.
E pranishme në këtë takim ishte Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja znj. Majlinda Dhuka, e cila u ndal te progresi i bërë nga vendi ynë në procesin e integrimit dhe reformave që synohet të ndërmerren edhe në kuadër të Planit të Rritjes.
Në takimin e Ministrave të Çështjeve Evropiane dhe Financave të Ballkanit Perëndimor në Kotor u disktua gjithashtu edhe Programi për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit 2.0, një iniciativë që shihet si një vazhdimësi dhe përmirësim i mëtejshëm i Fazës së parë të Programit të zbatuar nga Banka Botërore, si edhe për çështje të tjera bashkëpunimi me interes të përbashkët për vendet e Ballkanit Perëndimor.