Ministri Mete prezanton në komisionin për Ekonominë dhe Financat Aktin Normativ për ndryshimin e Buxhetit të vitit 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministri Mete prezanton në komisionin për Ekonominë dhe Financat Aktin Normativ për ndryshimin e Buxhetit të vitit 2023

Rishikimi i parë i Buxhetit për vitin 2023, të cilin Qeveria miratoi përmes këtij Akti Normativ, ka në fokus rritjen e eficiencës së përdorimit të fondeve publike, nëpërmjet rialokimit të kursimeve dhe të ardhurave shtesë drejt projekteve me ecuri pozitive, duke siguruar realizimin e objektivave makroekonomikë e fiskalë të përcaktuara në planin e miratuar të Buxhetit fillestar 2023. Më konkretisht, ky Akt siguron:

 Reflektimin e një rritjeje prej 7.5 miliardë lekë të të ardhurave, si rezultat i performancës pozitive në realizimin e të ardhurave për 9 mujorin 2023.

Rishpërndarjen e 45.8 miliardë lekëve mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korrente e kapitale, për mobilizimin e planit të shpenzimeve publike për pjesën e mbetur të vitit 2023, veçanërisht përshpejtimin e projekteve me ecuri pozitive.

Ruajtjen të pandryshuar të defiçitit buxhetor, siç ishte parashikuar në buxhetin fillestar 2023. Ndërkohë që, borxhi publik reflekton uljen e financimit nga projektet e huaja dhe rritjen e financimit të instrumenteve të tjera financiare si Eurobond dhe mbështetje buxhetore me terma të buta.

Sa i takon të ardhurave, plani i të ardhurave të përgjithshme u rrit me 7.5 miliardë lekë, mbështetet në ecurinë pozitive të të ardhurave tatimore për 9 mujorin, si edhe vlerësimet e pritshme pozitive për mbylljen e këtij viti.

Në terma konkretë, gjatë periudhës janar-shtator, të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë realizuar 100.2%, ndërkohë, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë realizuar 111.4%, duke arkëtuar 10.4 miliardë lekë më shumë. Gjithashtu, edhe për mbylljen e vitit 2023, parashikohet një performancë pozitive në realizimin e të ardhurave doganore dhe tatimore.

Ekonomia ka pasur një ecuri pozitive dhe së fundmi kemi rishikuar në rritje projeksionet për rritjen reale të këtij viti, në 3.7%, nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar. Edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë rishikuar në rritje parashikimet e tyre sa i përket rritjes ekonomike të vendit tonë gjatë këtij viti.

Sektorët që kanë udhëhequr rritjen ekonomike kanë qenë turizmi dhe ndërtimi, mbështetur nga rritja e kërkesës së brendshme. Në gjysmën e parë të vitit 2023, punësimi vijoi të forcohet, duke u rritur me 2.7% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që shkalla e papunësisë vijoi tendencën rënëse të viteve të fundit, duke zbritur në 10.7%, një nga shifrat më të ulëta historike.

Sektori financiar mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid për të mbështetur kreditimin dhe rritjen e mëtejshme ekonomike. Sa i takon inflacionit, ai ka qëndruar në nivele më të ulëta se vendet e rajonit dhe se mesatarja e vendeve të BE-së. Aktualisht, në muajin shtator 2023, inflacioni ka zbritur në nivelin 4.1%, i përgjysmuar krahasuar me një vit më parë.

Vlerësojmë se ekonomia ka fondemente të qëndrueshme dhe kjo u vu në dukje edhe në deklaratën e fundit të Misionit të FMN-së. Konsolidimi fiskal do të vijojë të jetë objektiv, në funksion të sigurimit të stabilitetit makroekonomik të vendit. Politika fiskale do të synojë një trajektore rënëse të borxhit publik, duke planifikuar balancë primare pozitive prej vitit 2024 e në vijim, në përputhje edhe me rregullat fiskalë në Ligjin Organik të Buxhetit.

Sa i përket shpenzimeve, në Aktin Normativ, parashikohet rritje e shpenzimeve të përgjithshme, kundrejt rritjes së të ardhurave, në të njëjtën masë prej rreth 7.5 miliardë lekë, duke arritur nivelin 705.6 miliardë lekë. Së bashku me këtë rritje, Akti Normativ rishpërndan rreth 46 miliardë lekë dhe kjo vlerë është rezultat i kombinimit të kursimeve në zërat që kanë patur nën-realizim në nivel 9 mujor nga njëra anë, dhe alokimit të shtesave për politikat dhe projektet me performancë pozitive, nga ana tjetër.

Shpenzimet publike gjatë 2023 janë karakterizuar nga kursime, si pasojë e situatës së përmirësuar energjitike, shpenzimeve më të ulëta për interesa, dhe ecurisë në disa projekte investimesh publike, sidomos me financim të huaj, të cilat për shkak të vonesave kryesisht proceduriale nuk kanë arritur disbursimet e planifikuara. Ndërkohë, zbatimi i projekteve të brendshme, në veçanti procesi i Rindërtimit synohet të përshpejtohet më tej përmes rialokimit të fondeve shtesë të propozuara në këtë Akt Normativ.

Referuar sa më lart, shtesat në shpenzimet buxhetore shkojnë në sektorë si rindërtimi, ujësjellësit, rrugët, bujqësia, policia e shtetit, etj. Në terma konkretë, rritjet më domethënëse janë aplikuar si më poshtë:

Fondi i Rindërtimit rritet në masën 12 miliardë lekë, me qëllim plotësimin e nevojave për financimin e projekteve në vazhdim, që aktualisht zbatohen nga bashkitë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kjo shtesë siguron financimin e plotë të punimeve të kryera deri tani si dhe punëve të pritshme për t’u realizuar deri në fund të vitit 2023.

Projektet me financim të brendshëm rriten me 13.8 miliardë lekë, kryesisht me qëllim akomodimin e detyrimeve për projektet në vazhdim të rrugëve me rreth 8.6 miliardë lekë, ujësjellësve me rreth 4.9 miliardë lekë, AKSHI-t me 2.35 miliardë lekë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit me 1.5 miliardë lekë. Fondet buxhetore për shpenzime kapitale po orientohen drejt atyre sektorëve, të cilët performojnë më mirë, natyrisht duke vlerësuar dhe të gjithë sektorët e tjerë.

Shpenzimet Korrente rriten me 10.7 miliardë lekë, ku vendin kryesor e zë mbështetja për fermerët, skemat e paaftësisë, ish-të përndjekurit, policisë, sistemi i burgjeve, rrugët dhe mirëmbajtja e sistemeve të AKSHI-t.

Fondi Rezervë dhe Kontigjenca është rritur në 1.7 miliardë lekë, përkatësisht 300 milionë lekë fondi rezervë me qëllim garantimin e financimit të shpenzimeve të paparashikuara deri në fund të vitit 2023 dhe 1.4 miliardë lekë kontigjenca me qëllim adresimin eventual të të gjitha kërkesave të mbetura të institucioneve për mbulimin e efektit të aplikimit të pagave për vitin 2023.

Fondi për pushtetin vendor shtohet 250 milionë lekë për pjesën e taksave të ndara që i transferohen buxhetit vendor, për shkak të realizimit të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale dhe taksës së rentës minerare në rang vendi. Gjithashtu, akordohet një shtesë prej 220 milionë lekë, në formën e transfertës së pakushtëzuar për mbulimin e shpenzimeve të veprimtarive dhe të funksioneve të njësive të vetëqeverisjes vendore me vështirësi financiare.

Në përmbyllje, është e rëndësishme të ritheksoj se ndryshimet e propozuara në këtë Akt Normativ nuk prekin defiçitin buxhetor, i cili ruhet në nivelin e planit fillestar të vitit 2023, duke siguruar rënien e mëtejshme të borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Shumë faleminderit!

Previous Shqipëria e përkushtuar ndaj fuqizimit të parlamentarëve të rinj