Ministri Nufi: Autorizohet prodhimi i mjeteve lundruese dhe dronëve luftarakë në Shqipëri, në bashkëpunim me kompani ndërkombëtare

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se qeveria ka autorizuar shoqërinë “KAYO” për të negociuar dhe lidhur marrëveshje me dy kompani ndërkombëtare për ndërtimin e mjeteve lundruese dhe dronëve luftarakë në Shqipëri.

Sipas tij, marrëveshja, e cila pritet të finalizohet në vijim, synon të krijojë bazat për zhvillimin e industrisë ushtarake në vend, duke hapur gjithashtu mundësi të reja punësimi dhe duke nxitur investimet në këtë sektor.

Ministri theksoi se ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të kapaciteteve prodhuese në fushën e mbrojtjes, duke krijuar për herë të parë pas shumë vitesh kushtet për ndërtimin e mjeteve të tilla në Shqipëri. Sipas tij, kjo çështje është diskutuar edhe në kuadër të bashkëpunimit ndërqeveritar me Italinë.

Dy vendime të tjera të miratuara lidhen specifikisht me Forcat e Armatosura dhe pjesëmarrjen e tyre në misionet ushtarake ndërkombëtare, ku ministri Ermal Nufi theksoi se angazhimi në këto operacione dëshmon nivelin e përgatitjes së efektivëve dhe rolin aktiv të Shqipërisë në bashkëpunim me partnerët strategjikë, si dhe konfirmon pjesëmarrjen e vendit në vendimmarrjet e përbashkëta me aleatët, ndërsa përvoja e përfituar nga operacionet komplekse në shkallë globale rikthehet në vend, duke forcuar kapacitetet dhe profesionalizmin e Forcave të Armatosura.