Ministri Nufi: Mbrojtja civile duhet të mbështetet te parandalimi, jo vetëm te reagimi
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, theksoi rëndësinë e forcimit të masave parandaluese dhe të standardeve të sigurisë nga zjarri, veçanërisht në kushtet e zhvillimit të shpejtë urban dhe ndërtimit të strukturave gjithnjë e më komplekse.
Duke folur në konferencën ndërkombëtare “Tirana Fire Safety 2026”, ai u shpreh se siguria nga zjarri duhet të merret në konsideratë që në fazën e projektimit të ndërtesave dhe jo vetëm pas përfundimit të tyre.
Në lidhje me situatën e zjarreve gjatë verës, ministri Nufi bëri të ditur se deri më 9 shtator 2026, sistemi i mbrojtjes civile është përballur me 81 raste zjarresh masive, për menaxhimin e të cilave janë angazhuar mbi 14,600 forca, rreth 1,350 mjete tokësore dhe janë zhvilluar 180 operacione ajrore. Në këto operacione janë përfshirë Forcat e Armatosura, shërbimet zjarrfikëse, strukturat e pushtetit vendor, Policia e Shtetit, shërbimet pyjore, administratat e zonave të mbrojtura dhe vullnetarë.
Në këtë kontekst, ministri theksoi se sistemi i mbrojtjes civile duhet të mbështetet jo vetëm te reagimi ndaj emergjencave, por edhe te zvogëlimi i riskut, parandalimi, gatishmëria dhe koordinimi institucional.
Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim mes institucioneve publike, ekspertëve dhe sektorit privat, përmes standardeve të qarta, projektimit të sigurt, inspektimeve efektive dhe përdorimit të teknologjive moderne. Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe institucionet e tjera do të vijojnë të mbështesin nisma për forcimin e kulturës së parandalimit dhe reduktimin e dëmeve nga emergjencat civile.
Ministri iu referua edhe pjesëmarrjes së Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si një mundësi për rritjen e standardeve, trajnimin e personelit, zhvillimin e kapaciteteve të ndërveprueshme dhe përvetësimin e praktikave evropiane.
Konferenca dhe ekspozita ndërkombëtare dyditore “Tirana Fire Safety 2026” bashkon ekspertë të sigurisë nga zjarri, inxhinierë, arkitektë, autoritete publike dhe përfaqësues të industrisë së ndërtimit për të diskutuar sfidat dhe zhvillimet në mbrojtjen nga zjarri në ndërtesat moderne.