Ministri Nufi: Shqipëria dhe Kosova, partneritet më konkret për forcimin e sigurisë kibernetike
Forcimi i kapaciteteve për mbrojtjen e informacionit, infrastrukturave kritike dhe sistemeve digjitale, si dhe thellimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës për përballimin e kërcënimeve kibernetike, ishin në fokus të konferencës “Sfidat e Sigurisë së Informacionit në realitetin e TIK”.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, mori pjesë në këtë konferencë, të organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar në Shqipëri dhe Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar në Kosovë, ku theksoi rëndësinë strategjike të sigurisë së informacionit si pjesë e sovranitetit dhe sigurisë kombëtare, si dhe të përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
Ministri Nufi nënvizoi se sulmet ndaj sistemeve të informacionit, cenimi i infrastrukturave kritike dhe rrjedhja e informacionit të klasifikuar mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare, funksionimin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve.
Duke u ndalur te zhvillimi i Inteligjencës Artificiale dhe teknologjive të reja, ai vlerësoi se këto zhvillime po ndryshojnë natyrën e kërcënimeve, duke krijuar mundësi për sulme më komplekse dhe manipulim të informacionit, por njëkohësisht edhe instrumente të reja për identifikimin e hershëm dhe parandalimin e tyre. Në këtë drejtim, Ministri theksoi se inovacioni duhet të ecë paralelisht me sigurinë, besueshmërinë dhe kontrollin mbi informacionin.
Një fokus i veçantë iu kushtua bashkëpunimit Shqipëri–Kosovë, të cilin Ministri Nufi e cilësoi si një domosdoshmëri strategjike. Ai propozoi forcimin e konsultimeve ndërinstitucionale, hartimin e një agjende të përbashkët me objektiva të matshme, zhvillimin e ushtrimeve të përbashkëta kibernetike, shkëmbimin e sigurt të informacionit, si dhe krijimin e programeve të përbashkëta akademike dhe profesionale.
Ministri vlerësoi gjithashtu rëndësinë e koordinimit me NATO-n, Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se përballimi i sfidave të reja të sigurisë kërkon bashkëpunim dhe përgjigje të koordinuara.
Në përfundim, duke iu referuar edhe incidentit me anijen ruse në Libi dhe përhapjes së pretendimeve dezinformuese që përfshinë Shqipërinë, Ministri Nufi nënvizoi rëndësinë e informimit të saktë dhe të mbrojtjes nga manipulimi i informacionit. Ai bëri thirrje që partneriteti mes Shqipërisë dhe Kosovës të përkthehet në kapacitete dhe veprime konkrete, në funksion të sigurisë së të dy vendeve, stabilitetit rajonal dhe qëndrueshmërisë së hapësirës euroatlantike.