Ministri Petrit Malaj merr pjesë në Takimet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Grupit të Bankës Botërore - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministri Petrit Malaj merr pjesë në Takimet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Grupit të Bankës Botërore

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë në Takimet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Grupit të Bankës Botërore, që u zhvilluan në datat 21- 26 Tetor 2024, në Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipëria u përfaqësua në këto takime nga një delegacion i nivelit të lartë me përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë.

Ministri Malaj zhvilloi disa takime të rëndësishme me drejtues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, një prej të cilëve ishte ai me z. Matteo Bugamelli, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në Bankën Botërore. Gjatë këtij takimi, palët diskutuan mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vendin tonë dhe mbi ecurinë e bashkëpunimit mes Ministrisë së Financave dhe Bankës Botërorë, e cila është një partnere e rëndësishme dhe mbështetëse për zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Ministri Malaj bëri një prezantim të treguesve kryesorë makroekonomike dhe nënvizoi faktin se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet pozitivisht gjatë vitit 2024. Kështu, viti 2024 ka vijuar të jetë pozitiv për zhvillimin e sektorit të turizmit, rritja ekonomike mbetet pozitive dhe papunësia ka shënuar ulje të mëtejshme. Palët vlerësuan se balancat fiskale vijojnë të jenë të qëndrueshme, ndërsa konsolidimi fiskal vijon të mbetet objektiv kryesor.
Një tjetër takim i Ministrit të Financave ishte dhe ai me Shefen e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, znj. Anke Weber dhe ekipin e saj, me të cilët bisedoi mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në Shqipëri dhe perspektivën e së ardhmes.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi progresin ekonomik dhe uljen e borxhit publik, si element dallues, në një kohë kur pjesa tjetër e vendeve të rajonit dhe të Evropës kanë shfaqur shenja të përkeqësimit të ritmeve të rritjes dhe niveleve të borxhit.

Ministri Malaj theksoi rëndësinë e zhvillimit që po merr sektori i turizmit, çeljen e kapitujve të parë në procesin e integrimit, si dhe thellimin e reformave ekonomike, që do të ndihmojnë në ruajtjen e prirjeve pozitive. Palët diskutuan në veçanti edhe për Projektbuxhetin e vitit 2025, i cili do të sigurojë nivele të larta investimesh publike dhe politika efikase për një zhvillim të qëndrueshëm.

Ministri i Financave mori pjesë në ministerialin e organizuar nga Banka Botërore për rritjen e efektivitetit të projekteve të zhvillimit, ku u propozuan dy iniciativa të reja për të përshpejtuar zbatimin dhe impaktin e projekteve.

Iniciativa e parë ka të bëjë me mobilizimin e granteve për përgatitjen e projekteve pa rënduar borxhin publik, duke përmirësuar kohën e përgatitjes dhe cilësinë, që ka të bëjë me përputhjen më të mirë të propozimeve të investimeve me PBA. Propozimi i dytë është ngritja e një akademie për të rritur kapacitetin e punonjësve të administratës për të menaxhuar projekte të ndryshme, që lidhet me përmirësimin e proceseve të prokurimit, mundësisht duke përdorur Inteligjencën Artificiale.

Nga ana e saj, Ministria e Financave mbështeti këto iniciativa të dobishme për përmirësimin e zbatimit të projekteve dhe theksoi hapat e ndjekura nga qeveria. Mbështetja e ofruar nga Banka Botërore në sektorët prioritarë të ekonomisë shqiptare, përmes projekteve të ndryshme dhe asistencës teknike, ishte në fokus të takimit që Ministri i Financave zhvilloi me Zëvendëspresidenten për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, pranë Bankës Botërore, znj. Antonella Bassani.

Banka Botërore vlerësoi ecurinë pozitive të ekonomisë, të reflektuar edhe në raportin e fundit mbi vendet e rajonit, ndërsa shprehën angazhimin për një koordinim të ngushtë në lidhje me projektet, që do të zbatohen në kuadër të Planit të Rritjes me BE-në. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe mbi projektet e bashkëpunimit që lidhen kryesisht me digjitalizimin e sistemeve (AFMIS).

Një tjetër takim i zhvilluar ishte dhe ai me Drejtorin e FMN-së për Evropën, z. Alfred Kammer dhe ekipin e tij, ku biseda u përqendrua mbi zhvillimet pozitive të ekonomisë shqiptare dhe sektorët që mbështesin rritjen ekonomike.

Ministri Malaj vlerësoi mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme të FMN-së, ndërsa garantoi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Ministri Petrit Malaj mori pjesë dhe në takimin me dyer të mbyllura të organizuar nga Departamenti Evropian i FMN-së me ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore.

Ky takim është një mundësi për të diskutuar perspektivën dhe sfidat që po kalon ekonomia, të diktuara nga një sërë aspektesh dhe konfliktet gjeopolitike, në një kohë që politika më të qëndrueshme makroekonomike, reforma strukturore dhe një treg më i integruar do të nxisnin investimet dhe inovacionin.

Po ashtu, Ministri Malaj zhvilloi një takim me Drejtorin e ardhshëm Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, z.Riccardo Ercoli, ku u shpreh vullneti për bashkëpunim dhe vijimin e axhendave të përbashkëta, në dobi të zbatimit të politikave efikase për zhvillimin e vendit.

Takimet Vjetore të FMN-së dhe BB-së mbledhin së bashku drejtues të lartë të këtyre institucioneve, ministrat e financave dhe guvernatorëve e vendeve anëtarë të tyre, e kanë në fokus diskutimin rreth zhvillimeve më të fundit të ekonomisë globale dhe sfidave të ardhshme.

Previous Kumbaro pret ministrin e Turizmit të Bullgarisë/ Marrëveshje e përbashkët për të çuar përpara ekonomitë e dy vendeve përmes turizmit