Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, priti sot në një takim Drejtoreshën e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, znj. Ekaterina Solovova.
Gjatë këtij takimi, palët diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Financave dhe BERZH-it, me fokus në zhvillimin e sektorëve prioritarë, si: infrastruktura, energjia e rinovueshme, investimet e gjelbra, por edhe përmirësimin e klimës së biznesit.
Ministri Malaj vlerësoi kontributin dhe mbështetjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Shqipërinë, veçanërisht sa i përket zhvillimit të qëndrueshëm të vendit tonë, si dhe axhendën e reformave në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë.
Nga ana e saj, znj. Solovova shprehu angazhimin e BERZH për vijimin e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare sa i përket zbatimit të projekteve të nisura dhe atyre në vijim.
BERZH llogarit mbi 2 miliardë euro investime kumulative në Shqipëri, me një total prej 152 projektesh.