Ministri Salla: 5.2 miliardë lekë për bujqësinë në 2026, mbështetje financiare për të rinjtë me grante deri në 10 mijë euro
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në një konferencë për media prezantoi Paketën e Mbështetjes për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural 2026, me një fond total prej 5.2 miliardë lekësh, duke e cilësuar si skemën më të madhe të ofruar ndonjëherë për fermerët dhe agrobizneset në vend.
Paketa kombinon pagesa direkte dhe investime në sektorët prioritarë të bujqësisë dhe blegtorisë, me fokus rritjen e prodhimit, formalizimin e tregut dhe forcimin e potencialit tregtar të fermerëve. Sipas ministrit, skema është hartuar pas 23 dëgjesave publike në të gjitha qarqet dhe drafti përfundimtar pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave.
Një nga risitë kryesore është kompensimi 10% mbi vlerën e faturës së shitjes së produkteve bujqësore dhe blegtorale, i cili përfshin faturat e lëshuara nga pikat e grumbullimit, përpunuesit dhe subjektet e agroturizmit. Fermerët do të mund të dorëzojnë autofaturat çdo gjashtë muaj pranë zyrave tatimore dhe të përfitojnë rimbursimin direkt në llogaritë bankare. Ministri u bëri thirrje fermerëve të pajisen me NIPT dhe të formalizojnë aktivitetin për të përfituar nga skema.
Për lehtësimin e aksesit në financim, qeveria ka vendosur një fond garancie prej 3 miliardë lekësh, që mbulon deri në 70% të kolateralit. Kreditë do të kenë normë interesi 2%, vlerë deri në 25 milionë lekë për përfitues, afat shlyerjeje 3-5 vjet dhe periudhë mospagese jo më pak se 12 muaj.
Skema parashikon gjithashtu mbështetje specifike për të rinjtë 18-35 vjeç, me grante nga 7 mijë deri në 10 mijë euro për hapjen e bizneseve, kryesisht në blegtori, si dhe mbulim deri në 70% për investimet në sera me mbrojtje biologjike.
Në kuadër të sigurisë ushqimore, ministri njoftoi vendosjen e kontratave me agronomë për garantimin e gjurmueshmërisë së prodhimeve, ndërsa paralajmëroi hapjen e programit IPARD III brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, me një fond total prej 147 milionë euro, duke garantuar zhvillim të qëndrueshëm dhe përputhje me standardet evropiane.
Ministri Salla deklaroi se Paketa e vitit 2026 është një angazhim konkret për fermerët dhe zonat rurale dhe se qeveria do të vazhdojë t’i dëgjojë fermerët dhe të investojë për një bujqësi më të fortë, më të formalizuar dhe më konkurruese, duke siguruar një të ardhme më të qëndrueshme për sektorin bujqësor dhe rural të Shqipërisë