Ministri Toni Gogu: Reforma në drejtësi duhet të sjellë rezultate të prekshme për qytetarët, bashkëfinancimi mbetet modeli i fazës së ardhshme
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë një tryeze koordinimi me partnerët e sistemit të drejtësisë, deklaroi se faza aktuale e reformës në drejtësi duhet të fokusohet te rezultatet konkrete për qytetarët, duke identifikuar si prioritete kryesore aksesin në drejtësi, rritjen e eficiencës së sistemit dhe garantimin e të drejtave të njeriut.
Sipas tij, financimi i sistemit të drejtësisë nga buxheti i shtetit është rritur nga 66 milionë euro në vitin 2020 në 135.6 milionë euro në vitin 2026, duke shënuar një rritje prej më shumë se 105% në gjashtë vite. Gjatë kësaj periudhe, sistemit i janë shtuar edhe 709 vende të reja pune. Ai nënvizoi se mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë për periudhën 2025-2027 arrin në 43.8 milionë euro, duke plotësuar investimet e shtetit shqiptar.
Ministri vlerësoi modelin e bashkëfinancimit mes qeverisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke sjellë si shembull investimet në sistemet e menaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe prokuroriale.
Në fjalën e tij, ministri Gogu theksoi se prioriteti i parë mbetet zgjerimi i aksesit në drejtësi, përmes forcimit të ndihmës juridike falas dhe shtrirjes së shërbimeve në zonat rurale. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të mekanizmave të riintegrimit për të miturit në konflikt me ligjin dhe rritjen e përdorimit të ndërmjetësimit.
Një tjetër prioritet është rritja e eficiencës së sistemit përmes transformimit dixhital, ku janë investuar 20.2 milionë euro. Sipas ministrit, reduktimi i çështjeve të mbartura, plotësimi i vakancave dhe përmirësimi i infrastrukturës mbeten elementë kyç për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Ministri Gogu theksoi gjithashtu nevojën për më shumë investime në fushën e të drejtave të njeriut, duke e cilësuar atë si një nga sektorët më pak të mbështetur financiarisht, pavarësisht ndikimit të drejtpërdrejtë që ka në garantimin e dinjitetit njerëzor në sistemin e drejtësisë.