Ministria e Arsimit Mirela Kumbaro: 86 doktorantë përfitojnë financim për studimet doktorale, më shumë se dyfishohen projektet fituese në vitin 2026
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, së bashku me drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), Daniel Pirushi, prezantuan rezultatet e Programit Kombëtar të Doktoraturave për vitin 2026, ku 86 doktorantë nga 15 universitete publike dhe jopublike kanë përfituar mbështetje financiare për projektet e tyre kërkimore.
Ministrja Kumbaro theksoi se numri i projekteve fituese është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2025, kur u financuan 39 projekte, ndërsa fondi mbështetës për doktorantët është gjashtëfishuar.
Sipas ministres, 50% e projekteve fituese i përkasin fushave prioritare si shkenca, teknologjia, inxhinieria, matematika, mjekësia dhe nanoteknologjia. Mes projekteve të mbështetura përfshihet edhe një bashkëpunim me CERN-in, Organizatën Europiane për Kërkime Bërthamore në Gjenevë, ku AKKSHI do të jetë bashkëfinancuese.
“Investimet dhe mbështetja financiare shtohen për kërkuesit shkencorë. Duhet të vazhdojmë punën për rritjen e standardeve dhe të nxisim studiuesit të aplikojnë për mbështetje të studimeve doktorale dhe projekteve zhvillimore”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja bëri të ditur gjithashtu se buxheti për kërkimin shkencor në vitin 2027 parashikohet të rritet me 28.2% krahasuar me vitin 2026, ndërsa fondi për investimet në laboratorët shkencorë të universiteteve publike do të dyfishohet.
Programi synon forcimin e kapaciteteve kërkimore, mbështetjen e studiuesve të rinj dhe zgjerimin e bashkëpunimit të universiteteve shqiptare me institucionet ndërkombëtare të kërkimit shkencor.