Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet Komitetit për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore i ka bërë ftesë të gjitha njësive të qeverisjes vendore për të aplikuar për programin “Fondi për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore”.
Ky fond me vlerë totale 4 milionë dollarë mund të përfitohet nga të gjitha bashkitë të cilat duhet të paraqesin projektet e tyre për marrjen e masave parandaluese dhe rehabilituese ndaj fatkeqësive, në infrastrukturën e dëmtuar si dhe veprimtari të tjera në fushën e Mbrojtjes Civile.
Prioritet do të kenë projektet për parandalimin e fatkeqësive natyrore dhe ato me bashkëfinancim.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë afat 30 ditë të paraqesin projektet e tyre, të cilat do të vlerësohen më pas nga Komiteti për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, i cili do të shpallë dhe projektet fituese.