Fjala e zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë 10 vjetorit të programit LEAD Albania:
Përshëndetje të gjithëve!
Unë këtu faktikisht më takon që të jem më shumë si Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe si një nga mbështetësit më aktiv të Programit LEAD, sesa si Zëvendëskryeministre, sepse pjesën tjetër i takon Kryeministrit është ai që i ka angazhuar gjithmonë dhe i ka dhënë mundësi pjesëmarrësve të këtij programi për tu integruar brenda administratës publike.
I nderuar zoti Granoff,
I nderuar zoti Wisner,
Të nderuar të ftuar dhe të nderuar studentë të Programit LEAD,
Është kënaqësi shumë e madhe që unë të kem mundësinë të përshëndes në dekadën që ju festoni dhe që për të thënë të drejtën Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është një nga përfituesit kryesorë të këtij programi dhe këtu në sallë ju keni Inesin, një nga këshilltaret e mia, e cila ka ardhur me këtë program dhe sigurisht unë besoj që në këtë sallë gjendet edhe një ‘to be’, një këshilltar apo një anëtar tjetër i kabinetit që do të na bashkohet gjatë këtij viti. Por, sigurisht Inesi do të qëndrojë me ne sepse çfarë është e rëndësishme është, jo thjesht ti japim mundësinë që të na bashkohen për një vit pasi kështu është marrëveshja, e rëndësishme është që ju të cilët keni arritur të keni këtë formim, ju që keni dëshirën për të kontribuar për vendin tuaj të qëndroni pranë administratës edhe duke u promovuar në pozicione të tjera, siç shumë bukur e thanë koleget e mia dhe unë njoh shumë vajza dhe djem të cilët kanë ardhur dhe fillimisht takoheshim nëpër korridoret e kryeministrisë apo të ministrive dhe më pas sot janë në pozicione drejtuese vendimmarrëse dhe kryejnë detyra me të vërtetë të rëndësishme dhe kanë dalë nga ky program.
Në ditët e sotme kur, jo vetëm Shqipëria, pasi i pëlqen disi edhe opozitarëve, edhe mediave të thonë që ka një eksod të madh nga Shqipëria, por kjo as nuk e ndihmon vendin tonë dhe as nuk është një e vërtetë dhe do ishte një detyrë që duhet ta kishte secili prej jush që ky nuk është një eksod nga Shqipëria, kjo është një lëvizje demografike post pandemike që po i ndodh të gjithë Europës dhe po i ndodh të gjithë botës. Ka një lëvizje edhe të mjekëve italianë të cilët shkojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç ka dhe një lëvizje të mjekëve bullgarë që shkojnë drejt Gjermanisë. Kështu që ka një lëvizje të lirë demografike për të cilën kemi luftuar vite të tëra që ta kishim dhe sot po e quajmë eksod. Jo nuk është një eksod. Është një momentum, i cili padyshim krijon vakume të rëndësishme do të thoja në shumë fusha, duke krijuar kështu një vakum intelektual si për Shqipërinë, si për Italinë, si për Bullgarinë, si për Francën, Gjermaninë etj., pasi është një cikël ky që lëviz. Por, është fat shumë i madh që ne të kemi mundësinë që përmes këtij programi, i cili mbas 10 vitesh quhet i kolauduar, i konsoliduar dhe i suksesshëm, të kemi djem dhe vajza të reja të cilët vendosin që të qëndrojnë në vendin e tyre, vendosin që të kontribuojnë për zhvillimin ekonomik të një vendi i cili nuk mund ta mohojë askush që sot është në momentin e tij më të mirë dhe jo se qëlloi. Apo jo? Jo se erdhi koha apo është fati, sepse kemi punuar të gjithë së bashku, së bashku me partnerët tanë strategjikë për të arritur këtu ku kemi arritur. Sepse na është dashur që të bëjmë një reformë shumë të rëndësishme, siç është reforma në drejtësi, për të krijuar njëherë e mirë një strukturë të fortë transparence dhe për ti treguar të gjithë investitorëve të huaj që në Shqipëri ti mund të vish, të investosh dhe do trajtohesh ashtu siç ligji e parashikon.
Kemi bërë reforma të thella shtet formuese të cilat kanë ndryshuar katërcipërisht perceptimin e të gjithëve, e ndërkombëtarëve, e biznesmenëve, të huaj apo shqiptar, përsa i përket mënyrës së funksionimit të Qeverisë Shqiptare. Të gjitha këto reforma kanë sjellë një rritje ekonomike të pakontestueshme dhe pavarësisht ndasive, partive apo besimeve, partiake dhe politike, askush nuk e mohon kur shifrat flasin. Kur numri i vizitorëve gjatë vitit 2023 ka arritur në 8 milionë dhe ne synojmë duke parë flukset që vazhdojnë të vijnë, ne synojmë që ta mbyllim vitin 2023 me rreth 10 milionë vizitorë. Kur nëse dilni dhe bëni një research në treg do të shikoni që të gjithë do të flasin me pozitivitet, duke thënë që 2023 ka qenë një vit i mirë ekonomik për të gjithë shqiptarët. Dhe të gjitha këto padyshim në një momentum shumë të vështirë botëror, kur konfliktet po shtohen dita ditës, kur nuk jemi më të përqendruar vetëm në atë që ndodhte midis Rusisë dhe Ukrainës, një konflikt tjetër i shtuar. Por, jo vetëm kaq edhe një situatë e vështirë në shtetin fqinj dhe shtetin vëlla të shqiptarëve të Kosovës. Të gjitha këto padyshim duan sipas mendimit tim shtrëngim radhësh. Duan një shpirt kombëtar, i cili të kuptojë që ky vend nuk shkon përpara me tifozeri politike. Ky vend shkon përpara me angazhimin e secilit prej nesh, me përmbushjen e detyrave që kemi ndaj partnerëve tanë që na kanë qëndruar në krah që në fillim të viteve ’90, kur nisëm këtë periudhë të gjatë tranzicioni, e cila nuk mund të vazhdojë pafund dhe besoj për këtë biem dakord.
Shumë nga ju nuk kishin lindur kur populli shqiptar rrëzoi regjimin komunist dhe i hyri një rruge të një tranzicioni i cili zgjati shumë, 30 vite. Tashmë ju që nuk kishit lindur në atë periudhë keni timonin, frenat, marshin, keni gjithçka në dorë për ta çuar këtë vend përpara. Dhe përsa kohë Qeveria Shqiptare me në krye Edi Ramën, i cili vizionin e tij e ka mjaft të gjerë, duke nisur nga barazia gjinore, vajza dhe gra të cilat sot drejtojnë sektorët më të rëndësishëm të vendit, e duke vazhduar kështu me derën e hapur për këdo pavarësisht kujt partie i përket, duke harruar një herë e mirë që kur dikush vjen në krye të qeverisë nuk heq nga puna të gjithë ata të cilët i përkasin një force tjetër politike. Të gjitha këto kanë bërë që Qeveria Shqiptare të jetë një qeveri e cila ka një administratë teknike. Një administratë teknike e cila punon për popullin dhe për asnjë parti. Kështu që të dashur studentë të LEAD-it, ju që keni mbaruar vite më parë dhe ju që keni sot fatin që të festoni diplomimin tuaj, dyert e çdo ministrie, e çdo agjencie, e kryeministrisë janë të hapura për ju, me të gjithë dëshirën e madhe për të bashkëpunuar dhe me të gjitha dëshirën e madhe që ju të kontribuoni për vendin tuaj.
Unë jam e sigurtë dhe vazhdoj të shikoj njerëz që i njoh këtu në sallë me të cilat kam punuar, që ministrat mezi po ju presin. Jam e sigurtë që drejtorët e përgjithshëm mezi po ju presin. Ne gjithë me njëri-tjetrin po besoj, jo vetëm administrata publike, por edhe bizneset sot kemi vetëm një lajtmotiv, kemi shumë punë, po jemi pak njerëz. Kështu që ne ju presim me krahëhapur. Unë ju uroj suksese. Motivoheni veten dhe gjeni arsye për t’u zgjuar në mëngjes. Unë shpeshherë them që më ndodh diçka nganjëherë darkave, mbas një ditë të ngarkuar, mbas disa problemeve që ndoshta nuk kam arritur ti zgjidh sepse mua më nis puna me një mbledhje për portin e Durrësit dhe më mbaron me lejet minerare apo zbulimin në Shpirag. E kam shumë të diversifikuar portofolin dhe ndoshta jo çdo ditë është një ditë pozitive. Ka disa netë që ty të duket sikur asgjë s’ka ecur dhe ndihesh sikur nuk arrin ta bësh këtë punë. Por, e di kush është fati i madh. Fati i madh është që të keni një automotivim që nesër në mëngjes të zgjoheni herët dhe mezi të prisni që të shkojë ora shtatë dhe të filloni të dërgoni mesazhe tek të gjithë bashkëpunëtorët tuaj. Nganjëherë më vjen për të qeshur edhe me veten time dhe them ‘po si ka mundësi në dy të natës re për të fjetur me idenë o Zot kjo gjë s’bëhet etj., dhe zgjohesh mbas 5 orësh sikur nuk ka ndodhur asnjë gjë’. Kjo është diçka që duhet ti thoni vetes.
Ky vend ka nevojë për ju, ky vend ka nevojë për njerëz punëtorë, por pozitivë dhe optimist. Nuk kemi nevojë as për negativitet edhe as për atë helmin që pikon dhe i bën vetëm keq vendit dhe shqiptarëve. Unë ju uroj suksese dhe besoj që edhe ky grupi që do të dalë tani do të na afrohet dhe do jetë po kaq i mirë dhe i suksesshëm sa ato që ne kemi pasur deri më sot nëpër institucionet tona.
Shumë faleminderit të gjithëve dhe veçanërisht zotit Granoff dhe të gjithë grupit tuaj për punën e shkëlqyer që bëni me këtë program.