Ministrja Balluku merr pjesë në Këshillin Kombëtar të Integrimit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministrja Balluku merr pjesë në Këshillin Kombëtar të Integrimit

Fjala e Ministres Balluku mbajtur gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit:

Faleminderit për ftesën.

Faleminderit të gjithëve kolegëve që janë këtu sot. Majlinda është kënaqësi që të jemi në panel pasi ne na duhet të punojmë shpesh bashkë. Taulant faleminderit gjithashtu për këtë ftesë.

Bashkëpunimi rajonal është mundësia më e mirë dhe ndoshta e vetmja që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur tashmë dhe padyshim ne kemi rezultate konkrete dhe të prekshme të cilat vërtetojnë që ky bashkëpunim rajonal i vendosur edhe nën ombrellën e procesit të Berlinit tashmë i ka dhënë rezultatet.

Me kënaqësi konstatojmë se vitet e fundit bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ka arritur në një nivel shumë të mirë dhe pa frikë mund të themi se jemi në momentin më të mirë të këtyre marrëdhënieve. Shqipëria ka luajtur padyshim një rol të rëndësishëm në këtë ecuri. Qeveria Shqiptare, por dhe institucionet kushtetuese si Kuvendi kanë qenë të angazhuar maksimalisht për të çuar përpara politika zhvillimi dhe projekte strategjike ndër rajonale. Përfitoj nga rasti të falenderoj deputetet e Parlamentit Shqiptar për punën dhe përkrahjen e tyre të vazhdueshme, e cila siguron përparimin e çdo reforme, nisme, akti ligjor dhe akti nënligjor, të domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të vendit, forcimin e pozitës së Shqipërisë si nyje lidhëse në rajon, si dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Viti 2023 është një vit shumë i rëndësishëm për ne, pasi Shqipëria do të jetë pritëse e një nga samiteve të Procesit të Berlinit, ashtu siç u tha edhe nga parafolësit në 16 tetor ne jemi të përgatitur që tashmë pas një eksperience të shkëlqyer që patëm me samitin e dhjetorit të presim të gjithë, le të themi ata aktorë kryesorë që tashmë prej vitesh kontribuojnë në këtë proces të rëndësishëm dhe siç thamë Shqipëria ka qenë një nga flamurmbajtësit e këtij procesi, kështu që me shumë kënaqësi ne do të duam të kurorëzojmë në 16 tetor të gjitha rezultatet që së bashku rajoni ka arritur sigurisht me mbështetjen e Këshillit të Europës dhe të gjithë aktorëve Europianë.   Kryesimi i Procesit të Berlinit është jo vetëm një tregues i rolit kyç që Shqipëria ka në rajon, por mbi të gjitha një vlerësim për punën e Qeverisë Shqiptare për të çuar përpara proceset, reformat dhe projektet në të gjithë sektorët jetikë ku ata janë të shtrirë. Procesi i Berlinit u iniciua, ashtu siç u tha edhe nga koleget, në vitin 2014 nga Gjermania, si një platformë bashkëpunimi të nivelit të lartë midis 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke qenë se në ato momente bashkëpunimi rajonal nuk shquhej as për mirëkuptim dhe as për nota optimiste. Por nëse hedhim sytë në historinë e 9 viteve të fundit nga 2014 deri më sot, ky bashkëpunim ka arritur nivele të shkëlqyera dhe këtu unë do të desha të ndalesha një moment tek pyetja që kryetarja shtroi nëse procesi i Berlinit dhe Ballkani i hapur, pra a mbivendosen mbi njëra-tjetrën apo si qëndron.

Unë do të thoja që më pas pasi të flasim për arritjet, duke qenë se zakonisht ato vëmë përpara, unë do ndaloja një moment edhe në problematikat që ne kemi gjatë gjithë zbatimit të procesit të Berlinit, që ka të bëjë me financimet e buta, proceset e tej zgjatura, të cilat detyrimisht kanë kërkuar nga ne një instrument për të përshpejtuar pikërisht këtë procesin e Berlinit. Qeveria Shqiptare si iniciatore pa të arsyeshme krijimin e një aleance, sigurisht nën këtë ombrellë, që është aleanca e Ballkanit të hapur, e cila sot ndihmon qindra mijëra prodhues bujqësorë, ndihmon qindra mijëra biznesmenë, të cilët pavarësisht se i ndante vetëm një orë nga shteti fqinj kishin barriera sikur po tregtonin me Kinën dhe jo shqiptarët me Maqedoninë e Veriut apo me Malin e Zi. Kështu që këto dy procese nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Unë do të thoja që janë integruar më së miri dhe kanë rritur frymën e bashkëpunimit rajonal. Megjithatë duhet thënë që ky proces njihet ndryshe dhe si axhenda e konektivitetit, një platformë bashkëpunimi që ka vërtetuar se është një mekanizëm i frytshëm në rrugëtimin e vendeve tona drejt Bashkimit Europian, duke jetësuar reforma dhe projekte të cilat sjellin më pranë realizimin e objektivave kombëtare dhe atyre të lidhura me zhvillimin e rajonit, por patjetër dhe me anëtarësimin që për të gjitha vendet është një prioritet sot.

Objektivat si dhe fushat kryesore të bashkëpunimit në kuadër të  Procesit të Berlinit janë:

–              Bashkëpunimi rajonal dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe,

–              Ndërlidhja dhe Zhvillimi Ekonomik,

–              Integrimi i tregjeve përmes lehtësimit të Tregtisë dhe Lëvizshmërisë,

–              Rinia, Arsimi, Shkenca dhe Kërkimi.

Sipas raporteve zyrtare, Procesi i Berlinit në tërësi ka pasur rezultate të dukshme në tërë këto fusha që unë përmenda, por sigurisht këto fusha ndikojnë direkt në bashkëpunimin ekonomik, bashkëpunimin politik dhe atë të sigurisë, bashkëpunimin social dhe bashkëpunimin në fushën e ndryshimeve ekologjike. Në fushën e bashkëpunimit ekonomik vërehet një numër i madh projektesh në fushën e transportit, si dhe projekte të ndryshme energjetike dhe programe të bazuara mbi qëndrueshmërinë. Arritjet e tjera përfshijnë krijimin e një zone ekonomike rajonale, forumin e investimeve të dhomave të industrive dhe tregtisë, si dhe Komunitetin e Transportit, një organizatë ndërkombëtare e cila përfshin 27 shtete anëtare të BE-së, gjithashtu dhe vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që promovon integrimin e rrjeteve rajonale të transportit me ato të Bashkimit Europian.

Krijimi i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor është një tjetër shembull  i mire në fushën e bashkëpunimit rajonal. Ndërkohë, bashkëpunimi dhe implementimi i udhëzimeve në kuadër të Axhendës së Gjelbër në shtetet e Ballkanit Perëndimor mbetet padyshim arritja më e madhe në fushën e energjisë dhe të ndryshimeve ekologjike. Unë e kam thënë disa herë dhe më pëlqen ta përmend këtë pasi kjo nuk ka lidhje as me pëlqimet dhe aderimet tona politike, por ka lidhje me Shqipërinë që Shqipëria qëndron në vend të parë të kësaj axhende edhe për faktin se emetimet tona vijnë vetëm nga transporti dhe e gjithë pjesa tjetër qoftë pjesa e prodhimit energjetik dhe ajo e industrisë nuk është kontribuuese përsa i përket ndotjes ambientale dhe sigurisht kjo na ka ndihmuar edhe ne në vendosjen e trageteve të larta dhe në arritjen e tyre para shumë e shumë vendeve të tjera të Bashkimit Europian.

Veçanërisht ashtu siç edhe Majlinda e përmendi gjatë pandemisë, gjatë Covid-19, u vlerësua puna e shkëlqyer që u bë me korridoret e gjelbërta, përsa i përket qëllimit për qarkullimin e pandërprerë dhe pa pengesa të mallrave esenciale ato që konsiderohen jetike, pra ushqimore dhe mjekësore, gjë që në atë periudhë kishte shumë komplikacione dhe në fillim dukej  e pamundur. Ndërkohë, në Samitin e vitit të kaluar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor u nënshkruan 3 marrëveshje shumë të rëndësishme, konkretisht për lëvizjen e lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore. Konkretisht, nën kornizën e Procesit të Berlinit, një theks i veçantë është vendosur në ndërtimin dhe lidhjen e rrjeteve të transportit dhe të energjisë si një nxitës kryesor për rritjen ekonomike të vendeve të rajonit. Objektivi kryesor i Shqipërisë në fushën e infrastrukturës është integrimi i korridoreve tona kryesore të transportit, atyre rrugor dhe hekurudhor gjithashtu, në Korridoret Evropiane TEN-T, duke i sjellë njëkohësisht ato në standarde europiane. Padyshim dy korridoret më të rëndësishme për vendin tonë janë Korridori Blu dhe Korridori VIII, që të dyja këto dy korridore prioritare po përsa i përket përmirësimit të ndërlidhjes, gjithashtu dhe rritjen e standardeve të qarkullimit përsa i përket edhe sigurisë rrugore, duke sjellë të gjitha këto akse qarkulluese në parametrat e Bashkimit Europian. Duke bërë kështu më të lehtë qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave dhe rritjen e volumeve të shkëmbimit tregtar midis vendeve të rajonit, por jo vetëm tregtar edhe atyre turistik dhe jo vetëm për rajonin, por edhe në bashkëpunim me shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

Dua të falënderoj dhe të theksoj se bashkëpunimi i shkëlqyer dhe projektet e bashkërenduara në mënyrë të vazhdueshme që kemi patur me Maqedoninë e Veriut, me Bullgarinë dhe me Malin e Zi na kanë vendosur në një pozicion totalisht tjetër. Deri para katër vitesh kur unë morra detyrën mbaj mend që kur flisnim në Komisionin Europian dhe kërkonim që Korridori Blu, por edhe korridori i VIII, si një korridor i rëndësishëm jo vetëm për transportin, por edhe për sigurinë kombëtare të vendeve që preken nga ky korridor, duhet patjetër të përfshiheshe në rrjetet e transportit europian. Refuzimi ishte para se të mbaroje fjalinë, thuhej gjithmonë jo. Kjo ka ndodhur për shkak se vendet të cilat preken nga ky korridor nuk kanë qenë të përfshira në korridore të cilat janë të dizenjuara në korridoret europiane që në fillim të viteve ’50 dhe disa prej tyre edhe në vitin ’48. Kemi gjetur disa harta të vjetra me kolegun tim Liburn Aliu nga qeveria e Kosovës, Ministri i Transporteve, të cilat tregonin sesi zona jonë, pra rajoni i Ballkanit perëndimor ishte totalisht jashtë çdo korridori të dizenjuar që në ato vite. Kështu që të shikosh sot sesi ka ndryshuar kjo përqasje, sesi me ndihmën edhe të komisionerëve për të thënë të drejtën, të cilët janë treguar të mirë kuptueshëm dhe na kanë dëgjuar, por edhe fakti që kërkesa ka ardhur nga disa shtete njëkohësisht të bashkërenduara, siç është rasti i korridorit të VIII, ku kërkesa ka ardhur nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut dhe nga Bullgaria përmes një memorandumi të përbashkët dhe me mbështetjen e plotë të shtetit italian. Pra, nga 4 shtete dy prej të cilëve janë anëtarë të Bashkimit Europian e gjithë kjo përqasje dhe i gjithë ky bashkëpunim midis qeverive dhe midis vendeve ka bërë që edhe përqasja e Bashkimit Europian të jetë totalisht e ndryshme tashmë.

Unë kam qenë me Majlindën kur kemi marrë lajmin e mirë që korridori i VIII do të përfshihet tashmë në rrjetin TEN-T gjatë samitit të dhjetorit dhe ka qenë më të vërtetë një moment shumë i gëzuar pasi mbas kaq vitesh përpjekje, negocim dhe luftë dukej sikur nuk do të ndodhte kurrë. Por, sigurisht na ka ndihmuar edhe e gjithë situata e krijuar në Ukrainë, pasi korridori i VIII është një korridor aksesi edhe për sigurinë e Europës dhe sigurinë kombëtare të të gjitha vendeve, duke qenë se lidh detin Mesdhe, pra daljen e Adriatikut me pjesën e detit të zi, duke krijuar kështu një korridor sigurie të lartë.

Megjithatë këtu kemi arritje konkrete dhe kjo duhet thënë. Republika e Shqipërisë, Qeveria Shqiptare, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tashmë ka nisur punën për ndërtimin e korridorit të VIII me lotin e parë të rrugës Elbasan-Qafë Thanë. Mban këtë titull pasi kur u nis nga ana Maqedonase nuk kishte akoma një projekt të dizenjuar saktë përsa i përkiste korridorit të VIII. Por edhe kjo ka evoluar, dalja nuk do të jetë më Qafë – Thana, por do jetë një pikë më e afërt në territorin shqiptar, pasi nesër në datë 4 prill zëvendës kryeministri Artan Grubi bën inaugurimin e segmentit të parë për palën maqedonase për ndërtimin e korridorit të VIII, kështu që tashmë përveç Shqipërisë nesër vihet guri i parë i themelit edhe nga qeveria e Maqedonisë së Veriut për nisjen e ndërtimit të korridorit të tetë. Kështu që nuk flasim më për projekte apo për marrëveshje, të cilat thjesht diskutohen dhe kanë narrativë politike brenda. Flasim për projekte konkrete ashtu siç e nisi Shqipëria punën, ashtu nesër e nis dhe Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria është në proces për të afruar në kufirin me Maqedoninë e Veriut, një pjesë të rehabilituar të autostradës pasi ata e kanë pasur mes tyre atë lidhje.

Kështu që nuk flasim më për projekte apo për marrëveshje të cilat thjesht diskutohen dhe kanë narrativë politike brenda, flasim për projekte konkrete, ashtu siç e nisi Shqipëria punën, ashtu nesër e nis dhe Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria është në proces për të afruar në kufirin me Maqedoninë e Veriut, një pjesë të rehabilituar të autostradës pasi ata e kanë pasur mes tyre atë lidhje.

Gjithashtu do doja të thoja që në territorin e Republikës së Shqipërisë Korridori VIII përmban rreth 140 km rrjet kombëtar, në ndërkohë, ashtu siç thashë, do të ketë një pikë dalje të re e cila me shumë propabilitet do të lidhet përmes një tuneli dhe në kuadër të marrëveshjeve që janë bërë midis shteteve tona për pika kufitare të përbashkëta ne as nuk do të ndjejmë ekzistencën e kufirit mes Republikës së Shqipërisë dhe republikës së Maqedonisë së Veriut kur ky Korridor, kur kjo lidhje midis dy vendeve të krijohet. Ne i kemi sot e kësaj dite, i kemi një pjesë të rezultateve të mira, siç është rasti i Murriqanit, kemi një pikë kufitare “one stop shop” apo edhe pikat e tjera të cilat do të ngrihen në të ardhmen.

Gjithashtu Korridori VIII përsa i përket Shqipërisë është një vlerë e shtuar edhe përsa i përket zhvillimit të transportit detar. Me planin e ndërtimit të Portit të ri të Durrësit, i cili tashmë është një realitet, ju e keni ndjekur që nuk është më thjesht një plan i Qeverisë, por është një projekt i përfunduar dhe i studiuar nga një nga kompanitë më të mëdha europiane, kompania holandeze “Royal Hasconing”, kemi bërë prezantimin para të gjithë aktorëve në një takim ndërkombëtar, të gjithë ata që janë të interesuar dhe sot jemi para një fakti shumë të rëndësishëm që me ndërtimin e Korridorit VIII dhe me ndërtimin e portit të ri të Durrësit dy shtete të tjera do përfitojnë direkt nga ky projekt pasi në Prishtinë dhe në Maqedoninë e Veriut do të ngrihen dy porte të thata, të cilat do të jenë të lidhura direkt  për procesimin e mallrave që arrijnë në portin e Durrësit në vendndodhjet e shteteve fqinje pa pasur asnjë humbje kohe dhe procesimi në Durrës. Ky është një tjetër rezultat i bashkëpunimit rajonal i cili do të vihet në jetë 36 muajt e ardhshëm duke i dhënë kështu një nxitje dhe mbështetje rritjes ekonomike edhe përmes shkëmbimit të mallrave dhe ndërlidhjes që vendet e rajonit synojnë.

Duhet thënë gjithashtu që Korridori VIII përfshinë edhe projektet hekurudhore që tashmë kanë nisur me hekurudhën Tiranë-Durrës dhe ne jemi në pritje të miratimit nga ËBIF të segmentit të dytë të kësaj hekurudhe që është Durrës-Rrogozhinë për të vazhduar më pas me Rrogozhinë-Pogradec dhe me ndërlidhjen nga Pogradeci me daljen në Lin me Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe me shtetin fqinj grek.

Në ndërkohë unë do doja të ndalesha edhe tek autostrada Blu. Ajo që lidh Triesten me portin e Patrës në Greqi dhe që 37% e kësaj autostrade kalon në territorin shqiptar, tashmë një projekt i realizuar në disa faza, në disa prej loteve punohet, në disa të tjera janë lidhur kontratat dhe disa prej tyre janë akoma në negocim, por tashmë është totalisht një projekt i vendosur në shinat e punës.

Gjithashtu me suportin e ËBIF gjatë këtij viti ne do nisim procesin e ndërtimit të bypasss-it të Tiranës, një nga nyjet infrastrukturore më të rëndësishme që nuk i vjen në ndihmë vetëm kryeqytetit, pavarësisht se ashtu dëgjohet, por është një ndërlidhje e të gjitha autostradave tashmë të ndërtuara për ti dhënë akses sa më të mirë të gjithë rrjedhës së trafikut që vjen nga veriu, jugu, lindja dhe perëndimi.

Do ndalesha për një moment tek energjia. Energjia e cila është vendosur tashmë në prioritetin kryesor të të gjithë qeverive, qoftë europiane, qoftë qeverive të Ballkanit Perëndimor pasi viti i fundit me të gjithë situatën e ndodhur ka vënë drejtuesit e sektorëve energjetik europianë përpara një sfide shumë të madhe nga mungesa e gazit natyral në treg dhe deri tek mungesa e sasive energjetike dhe sigurisht kjo solli rritjen e çmimeve të tregtimit deri në pikën e rekordeve historike që nuk i kishim parë më parë.

Por, edhe gjatë kësaj situate, Shqipëria ka vazhduar të avancojë në fushën energjetike dhe ashtu siç ju e dini ne jemi pjesë e Komunitetit të Traktatit të Energjisë edhe pse ky Traktat është krijuar më herët se Procesi i Berlinit ai sot funksionon si një instrument ndihmës i këtij procesi.  Komuniteti i Energjisë ka si objektiv kryesor zgjerimin e rregullave dhe të parimeve të tregut të brendshëm të energjisë në shtetet e Bashkimit Europian, por edhe në vendet që nuk janë pjesë e anëtarësisë së shteteve të Bashkimit Europian dhe sigurisht të rajonit të detit të Zi dhe më gjerë mbi bazën e një kuadri ligjor të detyrueshëm.

Ndryshe nga Komuniteti i Transportit ,që ka një karakter me promovues sesa detyrues, Traktati i Energjisë na vendos para objektivave të qarta dhe detyrimit për ti përmbushur ato me rigorozitet. Në këtë mënyrë vepron si një nxitës për reforma ligjore dhe rregullatore në fushën e energjisë, por dhe një mekanizëm për të njehsuar targetat energjetike brenda vetë rajonit dhe Bashkimit Europian.

Në bashkëpunim me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, por nën monitorimin e tyre gjithashtu , ne kemi arritur të përmbushim shume kërkesa, siç është ndarja e operatorit të shpërndarjes së energjisë, liberalizimi i pjesshëm i tregut të energjisë elektrike, krijimi i Bursës Shqiptare, e cila gjej rastin që ta deklaroj këtu tashmë është funksionale dhe në datë 11 dhe 12 Prill ne do kemi dy ankande live dhe e kemi lënë që ta lancojmë në publik pikërisht përmes një procesi të vërtetë dhe jo thjesht të bënim një inaugurim pasi është pritur shumë kohë për këtë Bursë kështu që morëm vendimin që të jetë një ankand i vërtetë në ditën kur publiku do të njihet me Bursën. Dhe padyshim Shqipëria një nga prioritetet kryesore, pasi është kërkesë e Procesit të Berlinit ka vendosur që të jetë aktive në investimin përsa i përket linjave të transmetimit.  Nëse sot investohet në energji të rinovueshme nëse Shqipëria ka synim që të bëhet një nga vendet eksportuese neto të energjisë elektrike deri në vitin 2029, ajo çka kërkohet, së bashku me këto investime për shtimin e kapaciteteve prodhuese, është fuqia transmetuese. Për këtë arsye Shqipëria ka nisur një proces të përbashkët me Maqedoninë e Veriut dhe shumë shpejt, linja e Bitolës, linja e transmetimit Bitola që çon energjinë nga vendet e Ballkanit Perëndimor në drejtim të Bullgarisë dhe të vendeve të Detit të Zi do të jetë aktive dhe për më tepër tashmë kemi një marrëveshje me shtetin grek, mes dy operatorëve të transmetimit, përsa i përket trefishimit të kapaciteteve që ne sot ndajmë me transmetimin e operatorit grek.

Të gjitha këto janë projekte rajonale të nisura, të vënë tashmë në shinat e bashkëpunimit që tregojnë se Procesi i Berlinit sot ndodhet në pozitën më të mirë se kurrë dhe padyshim pa përjashtuar këtu Ballkanin e Hapur. Të gjitha këto projekte do të jenë shpejt të prekshme duke dhënë imapkt në rritjen ekonomike të të gjitha vendeve të rajonit të cilat janë përfshirë në këto projekte.

Pozicioni i Shqipërisë si një nyje kritike e interkonjeksionit, qoftë atij të transportit, qoftë atij të energjetikës padyshim është bashkuar me aspiratat që ne të jemi pjesë e familjes së madhe europiane. Na ka motivuar në angazhimin tonë plotësisht në procesin e Berlinit i cili në këtë moment historik të ndërlikuar si një katalizator i bashkëpunimit rajonal ka një rol edhe më të rëndësishëm sesa ai i zhvillimit ekonomik.

E megjithatë siç ju thashë dhe në fillim unë do doja të ndalesha pak tek sfidat. Flasim gjithmonë për arritjet dhe për sa mirë bashkëpunojmë bashkë, por duhet pasur parasysh diçka. Pjese e Procesit te Berlinit janë gjithashtu dhe institucione te ndryshme te BE-së, si Këshilli Europian, dhe institucionet financiare ndërkombëtare si BEI, BERZH, KfË,  etj, pasi me këtë mbështetje financiare investimet tona kushtëzohen dhe me implementimin e masave të buta në përputhje me acquis ndërkombëtare.

Përsa i përket mbështetjes financiare, vendet e rajonit ndajnë të njëjtin mendim që ajo është e pamjaftueshme dhe e ngadalte dhe ky është vendi i duhur që ne ta ndajmë me ju këtë problematikë. Sigurisht nëse shikoni sesa para shkojnë për mbështetje në të tjera vende dhe sesa para vijnë në vendet e Ballkanit Perëndimor ndryshimi është i madh dhe është diçka që duhet thënë që edhe pjesa e stërgjatur, burokratike dhe e ngadaltë e këtyre proceseve ka një impakt direkt mbi ecurinë e projekteve.

Po marr vetëm një rast që ta kuptoni që miratimi i projektit të bypass-it të Tiranës, i cili u zgjat më shumë se 6 vjet sot me çmimet e reja të aplikuara në tregun e ndërtimit ka një diferencë prej 36 milionësh të cilat sigurisht nuk parashikohet që të kenë pjesë të grantit, por vijnë vetëm si kredi duke rritur kostot e projektit ndjeshëm. Pra vonesat të cilat aplikohen përsa i përket financimeve të buta sigurisht nuk ndikojnë vetëm në kohëzgjatjen e projekteve dhe fitimet e munguara që vijnë nga procesi i zhvillimit ekonomik, por japin ndikim direkt në marrjen e kredive dhe uljen e granteve që vijnë nga këto kredi.

Kështu që edhe instrumentet e para anëtarësimit, instrumentet IPA, ËBIF, apo Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin perëndimor duhen pasur parasysh dhe duhet diskutuar nga të gjithë ne, jo vetëm nga Qeveria, në çdo rast të mundshëm në tryezat që ne kemi me Bashkimin Europian që kërkohet një përshpejtim i këtyre procedurave. Kërkohet një bashkëpunim, padyshim edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të kenë problematika në mënyrën e aplikimit, përsa i përket mungesës së burimeve njerëzore përsa i përket këtyre aplikimeve, por nga ana tjetër ne vijmë duke u përmirësuar gjithmonë ndërkohë që paragjykohemi nga aktorët e këtyre proceseve duke krijuar vonesa dhe problematika.

Unë do kisha shumë të tjera për të thënë, por sigurisht duke i lënë mundësinë edhe kolegëve për të pasur pyetje dhe duke respektuar dhe kohën po e mbyll këtu duke thënë që për Qeverinë Shqiptare, Procesi i Berlinit është një nga proceset më të rëndësishme, i cili ndikon direkt në marrëdhëniet ndër rajonale, në ndërlidhjen qoftë kjo e transportit, energjisë apo edhe e rrjeteve të komunikimit dhe nuk do të rreshtim ta kemi prioritet në axhendën tonë, por sigurisht ashtu siç dhe kolegët e thanë edhe vetë prezenca e këtij Komitetit sot tregon se vetëm me bashkëpunim ne do t’ja dalim për të realizuar të gjitha objektivat që kemi vendosur.

Faleminderit!

Previous Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor mblidhen në Romë, Xhaçka: Integrimi i rajonit rrit besueshmërinë e BE